Trupi i Vegim Kasim Qerkezi, i rrëmbyer nga forcat serbe në marsin e vitit 1999 i cili u identifikua ditë më parë e që për 21 vite ishte i varrosur në fshatin Dodaj të Kukësit nga sot do pushojë në varrezat e dëshmorëve në Çabrat të Gjakovës.
Ceremonia e rivarrimit fillimisht nisi me homazhe tek arkivoli me trupin e pajetë të Vegimit, ku të pranishëm ishin një numër i madh i familjarëve, miqve e qytetarëve nga gjithë vendi si dhe zyrtarëve institucionalë.
Mes emocionesh e lotësh, Vegimi që u rrëmbye kur ishte vetëm 18-vjeç, u kujtua dhe nderua edhe përmes akademisë përkujtimorë.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi tha se ditët si kjo e sotmja na përkujtojnë se si qeveri duhet të angazhohen në dy drejtime që të ushtrojnë presion mbi palën serbe për të dhënë informacione për pjesën tjetër të të pagjeturve dhe gjykimin dhe dënimin e atyre që kanë kryer këto krime.
Dushi tha se nuk mund të arrihet marrëveshje paqësore me Serbinë pa u gjetur të gjithë trupat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, raporton KP.