“Është grup i vogël”: KOK-u i kundërpërgjigjet “opozitës” së tij, nga e cila është çuar në CAS, kurse ministri Çeku në gjykatë dhe prokurori - Gazeta Express
string(133) "eshte-grup-i-vogel-kok-u-i-kunderpergjigjet-opozites-se-tij-nga-e-cila-eshte-cuar-ne-cas-kurse-ministri-ceku-ne-gjykate-dhe-prokurori"

“Është grup i vogël”: KOK-u i kundërpërgjigjet “opozitës” së tij, nga e cila është çuar në CAS, kurse ministri Çeku në gjykatë dhe prokurori

Sport

Valon Konushevci

21/07/2022 14:01

Edhe pse brenda Lëvizjes Olimpike të Kosovës është krijuar një grup “opozitar” i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), i cili pretendon se përbëhet nga 13 federata sportive dhe me mbi 30 delegatë të Asamblesë së KOK-ut, institucioni më i lartë sportiv në vend e konsideron këtë “opozitë” si një “grup të vogël”, shkruan Gazeta Express.

Kjo “opozitë” ka dalë në skenë që nga muaji mars kur e mbi 30 delegatë e kishin lëshuar Kuvendin e Punës të KOK-ut, me pretendimin për parregullsi dhe shkelje të shumta statutore, ligjore dhe votime të pavlefshme, për çka tashmë ka dorëzuar kallëzim penal ndaj KOK-ut në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) të Kosovës.

Lexo Edhe:

Pjesë e këtij grupi janë edhe Federata e Notit dhe Federata e Taekwondosë e Kosovës, të cilat kanë ngritur padi dhe kallëzim penal ndaj ministrit të sportit, Hajrulla Çeku, të cilin e kanë akuzuar dje se në mënyrë arbitrare ua ka revokuar licencat e veprimtarisë. Sipas tyre, Ministria e Sportit e ka krijuar një “aleancë” me KOK-un, dhe bashkërisht thanë se po ndërhyjnë në mënyrë të kundërligjshme nëpër federata sportive, veçanërisht te ato që e kanë ngritur zërin kundër kryetarit aktual të KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas tyre, shkeljet e KOK-ut dhe të MKRS-së janë të shumta dhe shqetësuese e degraduese për sportin kosovar dhe kanë paralajmëruar rezistim të tyre kundër këtyre dy institucioneve.

Përfaqësuesit e këtij grupi, shkruan Gazeta Express, kanë potencuar edhe dëmtim të buxhetit të shtetit nga ana e KOK-ut, gjë që po ia mundëson “aleanca” me Ministrinë e Sportit. Akuzat e këtij grupi ndaj KOK-ut dhe MKRS-së ishin nga më të ndryshmet dhe të shumta sa që ato i kanë shprehur në një konferencë për media dje, e cila ka zgjatur hiq më pak se dy orë.

Por, krejt ato akuza i mohon KOK-u, i cili i ka thënë Gazetës Express se bashkëpunimi i këtij institucioni sportiv me MKRS-në është tejet produktiv në të mirën e sportit të Kosovës.

“Ky grup i vogël dhe i njohur për ne, prej muajsh është duke lëshuar dezinformata dhe akuza të pabaza në drejtim të KOK-ut. KOK-u është i kënaqur me punën e ministrit Hajrullah Çeku, sepse për herë të parë po ndodhin gjëra që nuk kanë ndodhur më parë. Sporti për herë të parë ka hyrë në strategji kombëtare, e cila është në proces të krijimit, sikurse që është duke u hartuar Ligji i ri për Sport, i cili do të krijojë investime në sport. Pra, shihet një vullnet i mirë nga MKRS për të avancuar sportin dhe në lidhje me të gjitha këto ne kemi një bashkëpunim profesional me MKRS-në”, ka deklaruar KOK-u për Gazetën Express.

Shtëpia e sportit të Kosovës thotë se nuk ka gisht në revokimin e licencave të Federatës së Notit dhe asaj të Taekwondosë nga ana e MKRS-së. “Së pari, KOK-u nuk merret me licencimin e federatave, por është Ministria për Kulturë, Rini e Sport (MKRS) që merret me këtë dhe licencat e federatave jepen dhe merren bazuar në Ligjin për Sport, dhe jo duke u bazuar në statutin e KOK-ut”, ka theksuar KOK-u.

“Sa i përket ndryshimeve në Federatën e Taekwondosë, ato akuza nuk qëndrojnë fare. Ne as nuk kemi marrë masa për suspendim, e as nuk kemi bërë ndërhyrje, e as nuk është komentuar fare në nivel të KOK-ut. KOK-u e njeh strukturën ekzistuese deri në një kuvend të ardhshëm të federatës. Federatës i është dhënë licenca bazuar në vendimin e MKRS”, potencon kjo organizatë.

“Kur jemi tek noti, nuk kemi pasur lidhje me marrje të licencës së tyre nga MKRS, KOK e ka zbatuar vetëm vendimin e dalë nga KAS-i”, shton ajo.

Sipas KOK-ut, problemet në këto dy sporte mund t’i zgjedhin vetëm dy komunitetet e tyre. “Problemin e taekwondosë dhe notit nuk e zgjedhin as MKRS, as KOK, por e zgjedhin vetëm komuniteti i notit dhe taekwondosë, me votat e shumicës së tyre, pra është Kuvendi që e vendos kush do t’i udhëheq”, nënvizon KOK-u.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në MKRS rreth padisë dhe kallëzimit penal që këto dy federata i kanë iniciuar ndaj ministrit Çeku dhe akuzave të rënda që ky grup i të pakënaqurve ua ka bërë kësaj ministrie dhe KOK-ut, dhe është në pritje të përgjigjeve. /GazetaExpress/