Eseja e javës/ Toni Morrison: Boja e padukshme - Gazeta Express
string(44) "eseja-e-javes-toni-morrison-boja-e-padukshme"

Arte

Gazeta Express

03/10/2025 15:04

Eseja e javës/ Toni Morrison: Boja e padukshme

Arte

Gazeta Express

03/10/2025 15:04

Toni Morrison, pseudonim i Chloe Ardelia Wofford (1931 – 2019), shkrimtare amerikane. Morrison ka fituar çmimin Nobel për Letërsi më 1993.

BOJA E PADUKSHME

TË LEXOSH SHKRIMIN DHE TË SHKRUASH LEXIMIN

Nga Toni Morrison

Njëherë pata shkruar një artikull për një revistë që kishte një rubrikë të vogël të parregullt “arte”. Ata donin diçka lavdëruese rreth vlerës ose ndoshta thjeshtë kënaqësisë së leximit. Ky emri i fundit, “kënaqësia”, më mërziti ngase rëndom asociohet me emocionin: lezet i shoqëruar nga suspansa. Leximi është fundamental – theksi mbi “fun” (dëfrim). Tekembramja, natyrisht, është e kuptueshme, në diskursin popullor, të jetë frymëzues, udhëzues; në rastin më të mirë të inkurajojë mendimin e thellë. 

Mendimet rreth praktikimit të leximit më patën kapluar herët si shkrimtare/përfytyruese ashtu si edhe lexuese absorbuese. 

Kam filluar të lexoj kur isha tri vjeçe, por përherë e kam pasur të vështirë. Jo e vështirë si zor ta bësh, por e vështirë në kuptimin se më duhej një kohë e gjatë të kërkoja kuptimin e dhe mbrapa fjalëve. Fjalia e abetares “Vrapo, Xhip, vrapo” më kishte çuar te pyetja, Pse po vrapon ai? A është ai urdhër? Nëse po, për ku? A po e ndjek ndokush qenin? Apo ai po e ndjek ndokënd? Më vonë, kur e trajtova ‘Hanseli dhe Greteli’, shpërthyen pyetje edhe më serioze. Siç bënin me gjëegjezat dhe shakatë: “rreth trëndafilit sillu sot, xhepat me buqeta plot”. U desh një kohë e mirë para se ta kuptoja se rima, shakaja kishte të bënte me vdekjen gjatë murtajës bubonike. 

Kësodore zgjodha për këtë revistë një përpjekje të dalloja leximin si shkathtësi dhe leximin si art. 

Kjo është diçka nga ajo që kisha shkruar:

«Z. Head u zgjua të zbulonte se dhoma ishte e përmbytur nga drita e hënës. U ngrit dhe ua nguli sytë skajeve të dyshemesë – ngjyrës së argjendtë – pastaj vazhdën në jastëkun e tij, që mund të kishte qenë brokadë dhe pas një sekonde, pa gjysmën e hënës pesë këmbë larg pasqyrës së tij të rrojës, pezull thau po priste lejen e tij që të hynte. Bëri përpara dhe hodhi një dritë të dinjitetshme mbi gjithçka. Karrigia e mbështetur për murit dukej e gozhduar dhe e vëmendshme thua se po priste një urdhër dhe pantallonat e z. Head, të varur në shpinën e saj, kishin pamjen më të fisme, si rrobat që ndonjë burri i madh sapi ia kishte zgjatur shërbëtorit të tij.»

Në këto fjali hapëse, Flannery O’Connor zgjodhi të drejtonte lexuesin e saj te fantazia e z.Head, te shpresat e tij. Vazhda mbi jastëk, munis këllefi, është si brokadë, e pasur, e përpunuar. Drita e hënës e shndërron dyshemenë e drunjtë në të argjendtë dhe “një dritë të dinitetshme” ngado. Karrigia e tij është “e gozhduar dhe e vëmendshme” dhe duket sikur po pret një urdhër prej tij. Edhe pantallonat e varur pas shpinës së karrigës kanë “një pamje të fisme”, si teshat që ndonjë burrë i madh ia ka zgjatur shërbëtorit të vet. Pra, z.Head ka ëndrra të forta, ndoshta të pambarështueshme, madhështie, të kontrollimit të shërbëtorëve që të zbatojnë urdhrat e tij, plotësisht legjitimë. Edhe hëna në pasqyrën e tij të rrojës rri pezull “thua se po priste lejën e tij që të hynte”. Neve s’na duhet të presim gjatë (pak fjali tutje) të shohim alarmin e tij të orës të vënë në një kovë të kthyer mbrapsht, ose të pyetemi pse pasqyra e tij e rrojës është pesë këmbë larg shtratit të tij, të marrim vesh një mori gjërash për të – prentedimet e tij, pasigurinë e tij, dëshirat e tij të zjarrta – dhe të kuptojmë paraprakisht sjelljen e tij ndërkohë që zhvillohet tregimi. 

Në esenë time po mundohesha të identifikoja karakteristikat e shkrimit pa të meta që e bën të mundshme të lexojmë fiksion pandërprerë, të hyjmë në botën e tij me besimin se vëmendshmëria përherë do të nxisë habinë. Si të bëj veprën të funksionojë ndërkohë që ajo vetë e bën të njëjtën gjë tek unë. 

Mendoja se shembulli im ishte me vend për aq sa e kisha shtjelluar, por ajo që nuk mund të artikuloja në mënyrë të qartë ishte mënyra se si një lexuese participon në tekst – jo se si e interpreton atë, por si ndihmon në shkrimin e tij. (Bukur ngjashëm me këndimin: ke lirikën, partiturën dhe performancën – që është kontributi individual i pjesës.)

Boja e padukshme është ajo që gjendet përposh, në mes, matanë rreshtave, e fshehur derisa lexuesi i duhur ta zbulojë. Me lexuesi i “duhur” po sugjeroj se disa libra janë pa mëdyshje nuk janë për çdo lexues. Është e mundshme ta adhurosh, por të mos përzihesh emocionalisht ose intelektualisht me Proustin. Edhe një lexues që e do librin mund të mos jetë i dashuri më i mirë ose më i duhur. Lexuesi që është “gatuar për” librin është ai që është në harmoni me bojën e padukshme.

Ballafaqimi i zakonshëm në kritikën letrare është teksti stabil ndaj lexuesit të tanishëm. Lexuesi dhe leximet e tij mund të ndryshojnë, por teksti jo. Është i qëndrueshëm. Meqë teksti nuk mund të ndryshojë, rrjedh se një marrëdhënie e suksesshme mes tekstit dhe lexusit mund të vijë vetëm përmes ndryshimeve në projeksionet e lexuesit. Më duket se çështja që ngrihet është ajo nëse këto projeksione të ngathëta janë produkt i lexuesit apo të shkrimtarit. Ajo që dua të pohoj është se kjo mund të mos jetë përherë kështu. Derisa përgjegjësia e interpretimit i kalon vetvetiu lexuesit, teksti nuk është gjithmonë një pacient i qetë që lexuesi e sjell në jetë. Dua të paraqes këtu një palë të tretë të ekuacionit – autorin. 

Disa autorë të fiksionit i sajojnë tesktete tyre për të shqetësuar – jo thjesht me plote suspanse, tema provokative, personazhe interesante, apo përmes veprimeve shkatërruese. Ata e sajojnë fiksionin e tyre për të shqetësuar, për të bërë potere dhe për ta futur në lojë tërë ambientin e përvojës leximore. 

Heqja dorë nga metafora dhe buzëqeshja është po aq e rëndësishme sa zgjedhja e tyre. Fjalitë kryesore mund të shkruhen për të përmbajtur informacione të varrosura që e kompletojnë, pushtojnë ose manipulojnë lexuesin. E pashkruara është po aq e rëndësishme sa e shkruara. Humnerat që janë të qëllimshme dhe qëllimisht joshëse, kur mbushen nga lexuesi i “duhur”, prodhojnë tekstin në tërësinë e tiij dhe dëshmojnë jetën që e jeton. 

Mendoni për “Benito Cereno” me këtë rast, ku autori ka zgjedhur pikëpamjen e narratorit për të manipuluar qëllimshëm përvojën leximore. Aty ka ca supozime rreth kategorive që rregullisht përdoren për të ngjallur këtë trazim. Do të doja të shihja një libër të shkruar ku gjinia e narratorit nuk është e specifikuar, nuk është e përmendur. Gjinia, si raca, bart me vete një armatim të tërë qartësish – që të gjitha të përdorura nga shkrimtari për të nxjerrë ca përgjigje dhe, me gjasë, për të lënë anash të tjerat. 

Raca, siç na tregojnë shembujt e O’Connorit, Coetzees dhe Melvillet, përmbajnë dhe prodhojnë më shumë qartësi. Diku tjetër kam shkruar rreth përdorimit metaforik për të cilin janë caktuar kodet raciale – nganjëherë për të qartësuar, ndonjëherë për të përforcuar supozimet që lexuesit mund të ngrenë. Virginai Woolf me boshllëqet e saj, Faulkneri me mohimet e tij, që të dy kontrollojnë lexuesin dhe e drejtojnë atë në operimin me tekstin. Por është e vërtetë se teksti nuk formulon pritshmëritë apo modifikimet e tyre. Apo një formulim i tillë është provinca e lexuesit, duke ia pamundësuar tekstit të përkthehet dhe transferohet te mendja e tij?

E pranoj se kam bërë këtë zhvillim të qëllimshëm në pothuajse shumicën e librave të mi. 

Hapur kërkon që lexuesi jo vetëm të marrë pjesë në narracion, por ta ndihmojë atë në mënyrë specifike. Ndonjëherë me ndonjë pyetje. Kush vdes në fund të Këngëve të Solomonit dhe a ka rëndësi kjo? Ndonjëherë me ndonjë fshehjen e gjinisë. Kush është folësi i parë në romanin Love? Është një grua apo një burrë që thotë “Gratë i hapin këmbët e tyre gjer e gjatë dhe unë këndoj nën zë”? apo te Jazz është një burrë apo një grua që deklaron “E dua këtë qytet”? Për lexuesin jo të duhur marifetet e tilla janë mërzitëse, si mos dukja e gjalpit në tost. Për të tjerët është një derë pjesërisht e hapur që na lut të futemi. 

Nuk jam e vetmja në fokusimin te raca si një jo-shenjues. John Coetzee e ka bërë këtë me më përvojë te Jeta dhe koha e Majkël K. Në atë libër ne bëjmë supozime të menjëhershme bazuar në faktet se vendi është Afrika e Jugut, personazhi është një punëtor i skamur dhe nganjëherë endacak; se njerëzit priren ta shmangin. Por ai është buzëlepur, çka mund të jetë arsyeja e fatit të tij të keq. Askund në libër nuk përmendet raca e Majkelit. Si lexues ne bëjmë supozimet tona ose jo. Çka nëse ne e lexojmë bojën e padukshme në libër dhe gjejmë se është ndryshe – si një gjyq i afrikanojugorëve të bardhë të varfër (prej të cilëve ka legjione të tëra)?

Sigurisht, fjalia hapëse e Paradise është një shembull tipik i bojës së padukshme. “Ata e qëlluan vajzën e bardhë së pari dhe e morën me nge me pjesën tjetër.”

Sa do të jetë e preokupuar imagjinata e lexuesit të gjejë kush është vajza e bardhë? Kur do të besojë lexuesi se e ka parë atë? Kur do të jetë e qartë se të pasurit e këtij informacioni është vitale për kujdestarët e qytetit, a ka njëmend rëndësi kjo për lexuesin? Nëse është kështu, cilëndo zgjidhje që ta bëjë lexuesi unë e detyroj atë të ndihmojë në shkrimin e librit; është lexuesi ai që unë e përfshij në bojën e padukshme, duke e destabilizuar tekstin dhe duke e riorientuar lexuesin.

Nga “A je i frikësuar?”, fjalia hapëse e A Mercy, duke qetësuar lexuesin, duke u betuar se nuk do të bëj keq, te kapitulli i parafundit “A je i frikësuar? Duhet të jesh.”

Të shkruash leximin involvon joshjen – të tërheqësh lexuesin në ambiente jashtç faqes. Të skualifikosh nocionin e një teksti të qëndrueshëm për një që varet nga një lexues aktiv dhe të aktivizuar që ësht duke e shkruar leximin – me bojë të padukshme. 

Lërmeni ta mbyll me ca fjalë nga një libër që unë besoj se është një shembull i mbramë.

“U ngritën si burra. Ne i pamë. Si burra qëndronin në këmbë.”

/Marrë nga Toni Morrison, ‘Self-Regard – Selected Essays, Speeches, and Meditations, Alfred A. Knopf, 2019

/Përkthimi Gazeta Express