Edgar Morin, 101 vjeç tashmë, njëri prej mendimtarëve më të rëndësishëm të kohës sonë, reflekton në këtë libër mbi traumën e luftës që është kthyer me pushtimin e Ukrainës nga ana e Rusisë. Vetë Morin ka sqaruar ”e kam shkruar këtë libër me qëllim që këto mësime të tetëdhjetë viteve histori të mund të na shërbejnë për ta kuptuar urgjencën që të punojmë për paqen dhe ta shmangim tragjedinë më të keqe të një lufte të re botërore…”
BEFASITË E TË PAPRITURËS
Nga Edgar Morin
Duke e shqyrtuar shekullin parak dhe këtë të tonin deri më sot, mund të dëshmoj se të gjitha ngjarjet më të mëdha kanë qenë të papritura.
Kështu qe për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, pasojë zinxhirore e atentatit të një fanatiku serb ndaj arkidukës së Austrisë në Sarajevë; për revolucionin në Rusinë cariste, që solli në pushtet partinë bolshevike në tetor të vitit 1917; për fitoren e BRSS-së; për ngritjen e fashizmit në Itali më 1922; për krizën ekonomike botërore më 1929; për ardhjen legale në qeveri në Gjermani të një partie të vogël ekstremiste që nga të gjithë gjykohej pa të ardhme (asnjë politolog nuk e kishte parashikuar as fitoren as suksesin ekonomik, që konsiderohej e pamundshme) dhe për krijimin e një regjimi nacionalsocialist totalitar në Gjermani…
I papritur qe puçi ushtarak që në vitin 1936 solli luftën e Spanjës; të pabesueshme qenë gjyqet e Moskës që, mes viteve 1935-1937, dënuan si tradhtarë dhe spiunë pothuajse të gjithë drejtuesit e revolucionit sovjetik; t pakuptimta qenë kultet që iu ngritën Duçes, Fyrerit dhe Stalinit, Atit të Vogël të Popujve, që nxitën zjarrmi të papara.
I pakonceptueshëm qe pakti gjermano-sovjetik i vitit 1939 i arritur mes dy armiqve për vdekje; mandej e paimagjinueshme qe për Stalinin invazioni i BRSS-së nga ana e mikut të tij, Hitlerit.
Qenë së pari okupimi i papritur i Francës përmes Belgjikës dhe Ardeneve, vendimet e gabuara të gjeneralit Gamelin, në krye të armatës franceze, disfata e pabesueshme që ka çuar në përmbysjen e Republikës së Tretë dhe krijimit të regjimit reaksionar të Vishit. E gjithë kjo ishte e pamendueshme para 10 majit të vitit 1940, ditës së sulmit gjerman.
Kur dominimi gjerman mbi Evropën dukej jetëgjatë dhe fitorja gjermane në BRSS dukej më 1941 e besueshme, pothuajse në mënyrë të njëkohshme rrodhën dy ngjarje të paparashikueshme që e përmbysën probabilitetin: ofensiva e Žukovit, në fillim të dhjetorit – fitorja e parë sovjetike pas shumë humbjesh, që e çlironte Moskën e rrethuar – dhe sulmi i papritur japonez në Pearl Harbor, që i bëri ShBA-të të futeshin në Luftë.
Nëse mposhtja gjermane u bë gjithnjë e më e mundshme pas Stalingradit (1943) dhe pas zbarkimit aleat në Normandi (qershor 1944), ajo qe vonuar nga mësymjet befasuese, si dështimi i atentatit të von Stauffenberg ndaj Hitlerit (korrik 1944) dhe ofensiva e von Rundstedt në Ardene (dimër 1944-1945).
E papritur qe më 1945 arma atomike, ashtu si edhe përdorimi i saj, që asgjësoi Hiroshimën dhe Nagasakin.
Nëse Lufta e ftohtë qe e parashikueshme pas kontrollit të imponuar nga BRSS ndaj kombeve që i çlironte nga nazizmi për t’ia nënshtruar stalinizmit, ajo njohu momente të papritura si blloku i Berlinit (1948-1949), apo rasti i raketave të Kubës (tetor 1962), që unë i përjetova në një shtrat në spitalin e New Yorkut.
Të paparashikueshme qenë raporti i Krushqevit, që më 1956 i denoncoi krimet e Stalinit, revolta polake e tetorit, revolucioni hungarez dhe pastaj represioni i egër nën drejtimin e Krushqevit.
Më 1989 qe i papritur çlirimi i BRSS-së nën drejtimin e dirigjentit të saj, Gorbaçovit, ashtu siç qenë të papritura dështimi ekonomik dhe rënia e BRSS-së.
Të fluturojmë mbi listën e të papriturave, ku do të gjejmë terroristët islamikë të Al-Qaeda-së të ndihmuar nga Shtetet e Bashkuara kundër BRSS në Afganistan, të cilët pastaj arritën të realizojnë në territorin amerikan atentatin më impresionues të historisë: shkatërrimin e dy kullave binjake të World Trade Center të New Yorkut, më 2001. Në vijim erdhi hapërdamja botërore e kalifatit islamik, që shkaktoi agresione të papritura, posaçërisht në Francë, me masakrën e Nicës më 2016.
Të mos e harrojmë zbulimin e papritur të degradimit të biosferës (të paralajmëruar më 1972 nga raporti Meadows) për pasojë të vërshimit tekno-ekonomik në planet. Vetëdija e tragjedisë ekologjike botërore për një kohë të gjatë qe lënë anash dhe u desh alarmi klimatik gjatë verës 2022 për ta rizgjuar paksa.
Në fund, më 2021 qe habia e pamasë për shkak të pandemisë së Covid-19, që nga ana e saj solli një krizë të papritur politiko-ekonomiko-ekzistenciale për tërë njerëzimin.
Gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë rreth tetëdhjetë vjet, kam mundur të verifikoj përkatësinë e asaj që e kam quajtur ekologjia e veprimit: çdo veprim hyn në një lojë ndërveprimesh dhe retroaksionesh që mund ta modifikojnë kuptimin e veprimit, nëse jo edhe ta përmbysin, si dhe ta bëjn t bjerë mbi kokën e autorit të tij.
Sa vendimet i kam parë gjatë këtyre viteve të kthehen kundër autorëve të tyre: rezoluta franceze për të mos ndërhyrë në Luftën e Spanjës, marrëveshjet e Munihut, shpallja e luftës më 1939 (megjithatë pa e sulmuar armikun), vendimi i Hitlerit për ta pushtuar BRSS-në që përfundoi me mposhtjen dhe vetëvrasjen e tij, perestrojkën reformiste të Gorbaçovit që çoi në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, deri te vendimi i Vladimir Putinit për ta pushtuar dhe nënshtruar Ukrainën!
/Marrë nga Edgar Morin, “Di guerra in guerra”, Raffaello Cortina Editore, 2023
/Përkthimi: Gazeta Express