Javier Marías Franco (1951 – 2022), shkrimtar, përkthyer, kolumnist spanjoll. Autor romanesh të mirënjohura si Një zemër kaq e bardhë, Nesër në fushëbetejë mendo për mua dhe i trilogjisë Fytyra jote nesër. Fitues ndër të tjera i çmimit austrik për Letërsinë evropiane, më 2011
REINER MARIA RILKE NË PRITJE
Nga Javier Marias
Kur Reiner Maria Rilke ishte shumë i ri shkoi të vizitonte Tolstoin, atëherë burrë në moshë, në pronën e tij në Jasnaja Poljana. Dolën për një shëtitje në fshat me të kudogjindshmen Lou Andreas-Salome dhe Tolstoi e pyeti Rilken: “Në çka je i përkushtuar për momentin?” Poeti ia ktheu druajtshëm dhe natyrshëm: “Ndaj lirikës.” Me gjasë, në kundërpërgjigje ai mori jo vetëm një sërë sharjesh, por edhe një diatribë të tërë kundër të gjitha formave të lirikës, si diçka ndaj së cilës askush s’do të mund të përkushtohej ndonjëherë.
Është e qartë, në rastin e Rilkes, fjalët e mjeshtrit të moçëm rus mund të kenë hyrë nga njëri vesh dhe të kenë dalë nga tjetri, duke qenë se pak poetë në historinë e poezisë ia kanë përkushtuar veten, përkushtim është fjala e duhur, në mënyrë aq obsesive dhe ekskluzive, jo vetëm lirikës, por lirikës në të gjitha format e saj. Rilke shkroi poeti lirike, por po ashtu edhe prozë lirike, në ditarët e tij, letrat, artikujt, ditarët e udhëtimit dhe në dramat e tij. Kurdoherë që kapte pendën, qoftë edhe vetëm për të kërkuar një favor, ai shkroi lirika dhe jo gjithmonë nga ato më të mirat. Që të jemi të ndershëm, tekefundit në ditët e tij të hershme, ai ishte më tepër i dhënë pas lajkave dhe nuk e kufizonte veten thjesht të tregonte një interesim të paorganizuar dhe vlerësimin e veprës së të tjerëve, por në dy raste madje u ofrua të shkruante një libër rreth veprave që i kisthe çmuar: njërën ofertë e përmbushi në rastin e skulptorit Rodin, për të cilin kishte punuar një kohë si sekretar dhe – me gjasë fatbardhësisht për të – tjetrën nuk e përmbushi në rastin e piktorit spanjoll Zuloaga, megjithëse në mendje e tij e kishte krejt të qartë si do të ishte: “një libër i zjarrtë plot me lule dhe vallëzime.” Kush e di, mase entuziazmi i Rilkes u zbeh pjesërisht pas një ndeje spanjolle ku kishte marrë pjesë në shtëpinë e Zuloagës në Paris, me rastin e pagëzimit të djalit të këtij të fundit, më 1906, dhe për të cilën një reporter i një gazete nga Madridi ka lënë këtë përshkrim: “Kitaristi Llovet na mahniti me lojën e tij brilante dhe kitaristi Palmero, në stilin e vërtetë flamengo, e shoqëroi bailaorën Carmela të zhdërvjellët dhe të gjallë në tango si morrongo, për habinë e abati të mirë Brebain që ishte në mesin e spektatorëve.” S’e dimë reagimin e Rilkes, por pas ndejës, në fund të fundit ai e shkroi një lirikë, po pra, e shkoi një poezi me titullin e parashikueshëm: “Vallëzuesi spanjoll.”
Siç e dimë tash, falë punës së studiuesit të njohur Ferreiro Alemparte, lidhja spanjolle e Rilkes ishte e frytshme dhe e jetëgjatë, e përfunduar me një qëndrim katër mujor, kryesisht në Toledo dhe Rondë, me shkuarje të shkurtra në Kordobë, Sevijë dhe Madrid. Dy qytetet e fundit i ishin dukur të pakëndshme: për kryeqytetin andaluzian ai shkroi: “përveç diellit, s’prisja gjë dhe s’më dha asgjë, prandaj s’kemi arsye të qahemi.” Sidoqoftë, u qa përkitazi me katedralen “jomiqësore, që të mos themi armiqësore,” dhe brenda saj, “një organo e çakorduar, me një ton të tmerrshëm sentimental.” Edhe më i ashpër ishte me kryeqytetin spanjoll që e mërziste “pothuajse po aq sa Trieste” kur ishte larguar prej saj, dhe, rreth së cilës, kur u rikthye, u tregua më pak enigmatik dhe më shumë kategorik: “… është pothuajse sikurse ky vend i trishtë, Madridi, nuk mund ta durojë asnjë qytet dhe sikurse të mos kishte dashur kurrë të themelohej.” Ai e kaloi kohën në Prado, pastaj ia mabthi me galop; as Goya as Velazquesi dhe El Greko nuk ishin të mjaftueshëm për ta qetuar.
Për një kohë, ai ishte i obsesionuar me El Grekon siç kishte qenë për një kohë me Ziloagen dhe siç do të ishte me lirikën për çdo ditë të jetës së tij, kudo që të ishte. Dhe fakti është se kurrë nuk ishte në të njëjtin vend: mes viteve 1910 dhe gushtit të vitit 1914, e kaloi kohën në rreth pesëdhjetë vende të ndryshme dhe ne vetëm mund të supozojmë se, gjatë këtyre viteve, jeta e tij nuk ishte kaluar në asnjërin prej këtyre vendeve, por në mëqikun mes tyre. Kjo bredhje kishte nisur herët pasi që e kishte braktisur Pragën e lindjes për Munihun, Berlinin dhe Venedikun. Pastaj udhëtimi i tij i parë për në Rusi dhe një vit më pas, udhëtimi i tij i dytë, siç u cek më sipër. Paris, Venedik, Viarexho, Paris, Worpswede në Skandinavi, Gjermani, Paris, Romë, Afrikë e Jugut, Spanjë, natyrisht Duino në Adriatik, Munih, Vjenë, Cyrih, Venedik, Paris, Gjenevë – një kaos i njëmendtë. Është e vështirë të kuptohet nga i merrte paratë që t’i përballonte gjithë këto udhëtime përreth, edhe më pak se si arrinte të kujdesej – edhe pse minimalisht dhe në distancë – për bijën e tij, Ruth, e lindur nga martesa e tij e shkurtër me skulptoren Clara Westhoff: u martuan në pranverën e vitit 1901 dhe i ndanë në maj të vitit 1902 dhe me gjasë për shkak të kësaj i ruajtën marrëdhëniet e shkëlqyera. Përveç fëmijës, poeti i ishte borxhli edhe për diçka tjetër Clarës: ajo ishte ajo që e kishte vënë në kontakt me Auguste Rodinin, të cilit nga ana tjetër Rilke i ishte borxhli për njërën prej pak punëve të tij të paguara: është e ditur se ai punoi për Rodinin “dy orë çdo mëngjes.”
Gjykuar nga letrat dhe ditarët e tij, Rilke e kaloi jetën e tij “në pritje” të lirikës dhe duke e bashkëndarë atë pritje me gra të ndryshme, shumica prej tyre aristokrate (të paktën me emër dhe sjellje) dhe të lumtura a strehojnë në kështjellat dhe pronat e tyre të ndryshme ashtu që ai të mund të priste më rehatshëm. Ai ushqeu pasione dashurore dhe thjesht miqësore për Lou Andreas Salomen, të dëshpëruarën Eleonora Duse, princeshën Marie von Thurn und Taxis, valltaren Klossowska, baroneshën Sidonie Nadherny de Borutin, Mathilde Vollmöller-Purrmann, kontëshëzen Pia Valmarana, pianisten Magda von Hattingberg, shkrimtaren suedeze Ellen Key, konteshën Manon zu Solms-Laubach, Eva Cassirer-Solmitz, baroneshën Alice Fähndrich von Nordeck zur Rabenau, Katharina von Düring Kippenberg, Elisabeth Gundolf-Salomon, Nanny Wunderly-Volkart, konteshën Margot Sizzo-Noris Crouy, njëfarë Mimi in Venice, dhe, natyrisht, konteshën dhe poeten de Noailles, bijën e princit Bassaraba de Brancovan, pa e harruar, natyrisht, princeshën Cantacuzène. Kjo listë duket, ose e meriton, të jetë e rreme, por nuk është, megjithëse, sa u përket të paktën dy prej atyre zonjave, Rilke i kishte takuar duke përfunduar me një dështim: konteshës de Noailles i dukej i shëmtuar dhe gjëja e parë që ajo tha për të, sapo ishin prezantuar, ishin këto fjalë të rënda: “Monsieur Rilke,” tha ajo, “çka mendoni për dashurinë… çka mendoni për vdekjen?” Sa i përket divës Duse, ndaj së cilës Rilke ishte i përkushtuar, sado që e takoi kur ajo ishte në moshë dhe tashmë në gjendje të rëndë mendore dhe shëndetësore, intimiteti i tij me të ishte ndërprerë nga një palloi që, në mes të një pikniku idilik në njërin prej ishujve të Venecias, ngarendi vjedhurazi drejt vendit ku ata po pinin çaj dhe ia lëshoi britmat e tij të tmerrshme të ngjirura drejt e në veshin e aktores, e cila jo vetëm që u largua nga pikniku, por edhe nga vetëVenecia. Në njëfarë mënyre tekanjoze, Rilke u identifikua me palloin, një fakt që solli me vete ndjenja të çuditshme të brejtjes së ndërgjegjës dhe e mbajti të zgjuar gjithë natën.
Raporti i Rilkes me kafshët do të jetë familjar për këdo që ka lexuar Elegjinë e tetë duineze të jashtëzakonshme. Qentë duken të kenë nxjerrë më të mirën nga poeti.
Mjafton të lexojmë vetëm atë që ka për të thënë rreth një bushtre të vogël, të shëmtuar, shtatëzënë që e kishte hasur në Kordoba dhe me të cilën kishte ndarë një copë sheqeri dhe për të cilën ka shkruar: “ishte, në njëfarë mënyre, si një celebrim meshe”. Ajo e kishe shikuar drejt në sy dhe, sipas fjalëve të Rilkes, “në sytë e saj reflektohej e gjithë e vërteta që shkon përtej individit dhe drejt nuk e di se ku, drejt të ardhmes, ose drejt të të pakuptueshmes”. Nga ana tjetër, nuk ndihej rehat me fëmijët, megjithëse ata e adhuronin. Sa u përket shkrimtarëve të tjerë, mënyrat e tij ekstravagante me zonjat pa dyshim i linin pak kohë të fliste me to, sado që ai ishte në marrëdhënie sipërfaqësore me ca sosh dhe, gjatë njëë qëndirmi në Venecie, kishte ndarë një shërbëtor, të cilit i shkonte emri Dante, me Gabriele d’Annunzion. Sidoqoftë, ai nuk u takua me poetin qejfli.
Rainer Maria rilke, që, më herët, e kishte quajtur veten shkurt Rene Rilke dhe të cilin mikja e tij, proncesha Marie von Thurn und Taxis, e quante doktor Serafiku, ishte, gjithë jetën e tij, teksa priste lirikën, viktimë e sëmundjeve si fizike ashtu edhe psikologjike.
Miqtë e tij të ngushtë rrallë kujtojnë ta kenë parë pa qenë duke vuajtur a i shqetësuar dhe ai vetë ishte bukur i hapur në përmendjen e vuajtjeve të tij në letrat e tij të gjata dhe në ditarët: “pafatësia e përhershme” e tij nuk e lejtonte të “punonte seriozisht”, megjithëse ai ishte gjithmonë gati të sakrifikonte jetën e tj për punën e tij (punën e tij lirike, natyrisht). Një shembull: kur po qëndronte në kështjellën madhështore Bergam Irchtel, në kantonin e Cyrihut, zhurma e largët e një sharre elektrike nga ana tjetër e parkut ia bëri të pamundur të përqendrohej dhe të shkruante poezinë e tij. Për aq sa dimë, shkrimi i Elegjive duineze ia mori dhjetë vjet, shumica e të cilave të kaluara duke pritur. Kur ishte me fat, mund të dëgjonte zëra, si atë ditë janari kur, në mesin e poteres së një shtrëngate, ai dëgjoi një zë ta thërriste, një zë bukur afër, duke i thënë në vesh këto fjalë tanimë me nam: “Kush, po bërtita, do ta dëgjojë mua në mesin e rangjeve t engjëjve?” Ai qëndroi, i palëvizur, të dëgjonte zërin e Zotit. Mandej e nxori fletoren e vogël të lirikave që e mbante ngado me vete dhe i hodhi në letër ato vargje dhe pastaj të tjerat që rrodhën sa duket pavullnetshëm. N mbrëmje, Elegjia e parë ishte e përfunduar, por, për shkurt paskëtaj, Zoti ra në heshtje, përveçse për pak intervale fjalëshumë, profitabile, dhe Rilke vuajti mizorisht në atë dhjetëvjeçar heshtjeje, në pritje. Mbase mund të pyesim veten, megjithatë, thjesht sa ka të vërtetë në pritjen legjendare të Rilkes që i mbante të gjithë miqtë e tij aristokratë si mbi gjëmba, se André Gide —i cili megjithëse nuk e njihte mirë, e kishte njohur nëë ditët e tij më të pak të feminizuara — e kujtonte të kishte thënë se pjesa më e madhe e poezisë së tij vinte papritur dhe në një hop dhe kërkonte “rishkrim minimal”. Ia kishte treguar fletoren e lirikave, me një numër poezish “të improvizuara në një stol në Jardin de Luxemburg”, me rrallë ndonjë fjalë të korrigjuar.
Si çdo poet i mirë, Rilke shtrohej në goxha kuvendime, jo veç me kafshët, por edhe me yjet, me tokën, pemët, perënditë, monumentet, pikturat, heronjtë, mienralet, të vdekurit (posaçërisht me gratë që kishin të vdekur të reja dhe të dashuruara) dhe bukur rrallë me shokët e tij të gjallë. Fakti se një person kaq i ndjeshëm, kaq i dhënë pas kuvendimit, mund të kishte rezultuar të ishte njëri prej poetëve më të mëdhenj të shekullit XX (për këtë ka fare pak dyshime) kishte pasur pasoja shkatërrimtare për shumicën e poetëve lirikë që kanë ardhur pas tij, atyre që vazhdojnë të kuvendojnë në mënyrë të padiskrimunueshme me këdo që u del përpara, me, sidoqoftë, me më bukur më pak rezultate të vlerësueshme dhe, duhet të thuhet, në dëm serioz të personaliteteve të tyre.
Rilke ishte i shtatshkurtër dhe me dukë të zbehtë, goxha i shëmtuar në shikim të parë (por më pak paskëtaj), me një kokë të gjatë majuce, hundë të gjerë, buzë bukur të përdredhura që theksonin bukru fort mjekrën e tij të pakët dhe vrimën e thellë në të, sy të mëdhenj të bukur, sytë e një gruaje me një çikëz çapkënllëk fëmijëror, sipas përshkrimit të princeshes Taxis. Shoqëria e tij ishte s’do mend fort e këndshme, të paktën për klasën e veçantë të zonjave që më së shumti përfitonin prej saj. Kishte pasur bukru shumë vështirësi financiare, të cilat s’e pengonin të ishte përzgjedhës, madje edhe kritik kur vinte puna tek ushqimi: mbante një dietë vegjetariane dhe ia neveriste mishi i peshkut, të cilin s’e kishte ngrënë kurrë. Nuk është e njohur çka i pëlqente, si ushqimet e shëndetshme apo gjërat e tjera, përveç shkronjës “y” – që e shkruante kudo që kishte mundësi – si dhe, natyrisht, udhëtimeve dhe grave. Ai e kishte pranuar se mund të fliste veç për gratë, se mund t’i kuptonte vetëm gratë dhe me to ia kalonte për bukuri. Megjithatë, vetëm për një kohë të shkurtër. “Çka po pret?” kishte thënë njëherë miku i tij Kassner, kur ishte munduar t’ia shpjegonte Rilken princeshes Taxis pasi që ai ia kishte mbathur përsëri, “të gjitha këto gra në fund e mërzisin atë”.
Reiner Maria Rilke vdiq nga leukemia pas shumë dhimbjesh e vuajtjesh, në një spital në Valmont, Zvicër, më 29 dhjetor 1926, në moshën pesëdhjetenjëvjeçare. Katër ditë më vonë u varros në Raron, nën epitafin që e kishte shkruar dhe zgjedhur paraprakisht:
Trëndafil, oh kundërthënie e pastër, gëzim/ i të qenit gjumi i As-kujt përposh aq shumë/ qepallash.”
Edhe guri i varrit ishte lirik, me gjasë këto kishin qenë saktësisht tri vargjet për të cilat ai kishte kaluar aq kohë të gjatë në pritje.
Marrë nga Javier Marías, ‘Written Lives’, New Directions, 2006
/Gazeta Express