Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në bisedimet e mundshme të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë në Turqi, nëse në to merr pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin.
Gjatë një deklarate të bërë në kthim nga samiti i NATO-s, Erdogan tha se gjatë takimit të tij me Trump, i pari pas rikthimit të këtij të fundit në skenën politike, i propozoi organizimin e një takimi mes Zelensky-t dhe Putin në Ankara ose Stamboll.
“Nëse presidenti rus Vladimir Putin vjen në Turqi për një zgjidhje, atëherë do të vij edhe unë”, ka deklaruar Trump sipas zyrës së presidentit turk.
Turqia ka ofruar disa herë ndërmjetësimin mes Kievit dhe Moskës, dhe Erdogan duket se po përpiqet të ringjallë rolin e Ankarasë si aktor paqeje në rajon.
Turqia nuk heq dorë nga F-35 – Erdogan: Diskutimet me SHBA kanë nisur
Në të njëjtën deklaratë, Erdogan njoftoi se Turqia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të qenë pjesë e programit të avionëve luftarakë F-35 të SHBA, nga i cili ishte përjashtuar pas blerjes së sistemeve raketore ruse S-400.
“Nuk kemi hequr dorë nga F-35. Kemi nisur bisedime me homologët tanë amerikanë për rikthimin në program. Kjo çështje u diskutua edhe me Trump. Me vullnetin e Zotit, do të ketë përparim”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit turk.
SHBA e përjashtoi Turqinë nga programi F-35 në vitin 2020, duke e sanksionuar për shkak të blerjes së sistemit S-400 nga Rusia. Ankara e ka quajtur vendimin të padrejtë dhe ka kërkuar ose kompensim, ose rikthim në program.