“Erdhe në shtëpinë time”, Salahu tregon se çfarë roli luajti Gerrardi në largimin e tij nga Liverpooli - Gazeta Express
string(99) "erdhe-ne-shtepine-time-salahu-tregon-se-cfare-roli-luajti-gerrardi-ne-largimin-e-tij-nga-liverpooli"

Futboll

Gazeta Express

02/05/2026 22:00

“Erdhe në shtëpinë time”, Salahu tregon se çfarë roli luajti Gerrardi në largimin e tij nga Liverpooli

Futboll

Gazeta Express

02/05/2026 22:00

Mohamed Salahu ka zbuluar më në fund rolin kyç që ka luajtur Steven Gerrard në vendimin e tij për t’i dhënë fund karrierës legjendare te Liverpooli.

“Faraoni” pritet të largohet nga “Anfield” këtë verë, duke mbyllur një periudhë nëntëvjeçare të mbushur me trofe në “Merseyside”.

Në një bisedë të sinqertë në “TNT Sports”, Salahu tregoi se një darkë private në shtëpinë e tij me Gerrard ishte momenti vendimtar për të marrë këtë vendim.

“Po, jam i lumtur tani. Mbaj mend bisedën që patëm dhe e vlerësova shumë. Mendoj se njerëzit nuk e dinë që ti erdhe në shtëpinë time. Shpresoj që darka ishte e mirë!” tha Salahu me humor.

“Patëm një bisedë shumë të mirë dhe ti ndave mendimin tënd, të cilin e vlerësoj shumë”, shtoi ai.

Biseda mes tyre u përqendrua te momenti i duhur për t’u larguar dhe rëndësia e një daljeje dinjitoze për një lojtar të përmasave të tij.

Mohamed Salahu ka shënuar 257 gola për Liverpoolin, duke u renditur pas vetëm Ian Rush dhe Roger Hunt në listën e golashënuesve më të mirë të klubit.

Duke folur për ndikimin e Gerrardit, Salahu shtoi: “Jam i lumtur që po largohem nga dera e madhe dhe kjo është diçka që ma the edhe ti – të largohesh sipas kushteve të tua. I mbaj mend ato fjalë dhe jam i lumtur për këtë… është koha të largohem”.

Përveç kësaj, ai dha edhe një përditësim pozitiv për gjendjen e tij fizike.

Sulmuesi ka qenë i dëmtuar në kofshë që nga ndeshja ndaj Crystal Palace, por konfirmoi se do të rikthehet para përfundimit të sezonit.

Madje, ai synon të jetë gati për ndeshjen e fundit kundër Brentford, që pritet të jetë një paraqitje emocionale lamtumire në “Anfield”.

“Sigurisht që do të rikthehem për ndeshjen e fundit. Lëndimi është në rregull. Do të jem gati, ndoshta edhe më herët,” përfundoi Mohamed Salahu.

Megjithatë, ai do të mungojë në përballjen e ardhshme ndaj Manchester Unitedit./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement