Energjia e lirë në treg, sfidë mbeten faturat e qytetarëve - Gazeta Express
string(57) "energjia-e-lire-ne-treg-sfide-mbeten-faturat-e-qytetareve"

Maqedoni

Gazeta Express

24/06/2026 11:02

Energjia e lirë në treg, sfidë mbeten faturat e qytetarëve

Maqedoni

Gazeta Express

24/06/2026 11:02

Nëse do të kishte pasur një korrigjim të çmimit të energjisë elektrike në korrik të këtij viti, ai do të duhej të ulej, mendon Dejan Dimovski nga Shoqata e Inxhinierëve. Kjo mbështetet tek sasia e madhe e energjisë elektrike të prodhuar nga fotovoltaikët, por edhe se kjo energji aktualisht është shumë e lirë.

Shkup, 23 qershor – Energjia elektrike mund të bëhet më e lirë dhe tarifat bllok mund të hiqen, në mënyrë që qytetarët të marrin fatura më të ulëta të energjisë elektrike, vlerëson Ministria e Energjisë. Kjo, sipas institucionit, bazohet në situatën aktuale në bursat e energjisë, ku në periudha të caktuara regjistrohen edhe “çmime zero”, si dhe në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme, çka krijon hapësirë për ulje të mundshme të çmimit të energjisë elektrike në të ardhmen. Ministria e Energjisë siguron se qytetarët nuk do të paguajnë fatura më të larta, edhe pse një pjesë e energjisë do të blihet në bursë. Sipas autoriteteve, rënia e çmimeve në treg dhe rritja e prodhimit nga burimet e rinovueshme duhet të sigurojnë stabilitet në sektor.

Kjo vjen pasi kompania shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (ESM) nuk do t’i mbulojë më plotësisht nevojat e furnizuesit universal të energjisë elektrike, “EVN Home”. Duke filluar nga viti i ardhshëm, në vend të 100 për qind të energjisë së nevojshme për familjet dhe konsumatorët e vegjël, kompania shtetërore do të sigurojë 70 për qind. Pjesa tjetër do të blihet nga burime të tjera dhe nga tregu i lirë. “Sa i përket përmbushjes së detyrimeve nga Agjenda e Reformave, të gjitha obligimet në sektorin e energjisë janë përmbushur. Po punojmë edhe për masën e fundit, që nënkupton uljen e ndërhyrjes së shtetit. Nga 100 për qind e energjisë që ESM i jep furnizuesit universal, kjo përqindje do të ulet në 70 për qind. Tenderi për këtë vit tashmë ka përfunduar. Për vitin e ardhshëm, ESM nuk do të furnizojë më 100 për qind, por maksimumi 70 për qind të nevojave të furnizuesit universal. Nëse shohim se në këtë periudhë çmimet janë zero dhe se në treg ka gjithnjë e më shumë energji elektrike, ndërsa Greqia tashmë po eksporton, mendoj se mund të pritet ulje e çmimeve. Megjithatë, tregu është i paqëndrueshëm dhe mund të ketë luhatje. Aktualisht ekziston një trend i çmimeve shumë të ulëta, madje edhe zero. Natyrisht, kemi edhe një plan B. Pavarësisht vendimit për 70 për qind, ne gjithmonë sigurohemi që qytetarët të kenë energji elektrike. Për momentin, energjia është shumë e lirë”, deklaroi ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska.

E pyetur nëse do të hiqen tarifat bllok, ajo rikujtoi se kompetencat për këtë çështje i ka Komisioni Rregullator i Energjisë (KRRE). Sipas saj, tarifat bllok u vendosën në periudhën kur çmimet e energjisë elektrike në bursat evropiane arrinin 700, 800 apo edhe 1.000 euro për megavat-orë. Bozhinovska njoftoi gjithashtu se, sipas raportit për vitin 2025, Maqedonia e Veriut siguron 58 për qind të prodhimit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, duke tejkaluar mesataren evropiane prej mbi 50 për qind. Ky trend, tha ajo, pritet të vazhdojë për shkak të interesimit të madh për investime në energjinë e rinovueshme.

Çmimi përfundimtar i faturave varet nga disa faktorë, përfshirë çmimin e blerjes së energjisë, kostot e transmetimit dhe shpërndarjes, tarifat e rregulluara dhe vendimet e KRRE-së.

Bozhinovska pret që rritja e prodhimit nga burimet e rinovueshme të ndihmojë në ruajtjen ose uljen e çmimeve nga viti 2027 e tutje, kur termocentralet shtetërore nuk do të jenë më të detyruara të mbulojnë plotësisht nevojat e tregut të rregulluar. Ministrja vlerësoi se çmimet e ulëta në treg krijojnë hapësirë për rishqyrtimin e sistemit të tarifave bllok. Ajo theksoi se vendimi përfundimtar për modelin tarifor i takon KRRE-së, por Ministria do të mbështesë çdo zgjidhje që do të sillte çmime më të ulëta për qytetarët. Nga ana tjetër, ekspertët e energjisë vlerësojnë se amvisëritë duhet të përfitojnë që tani nga ulja e çmimeve.

Sipas Dejan Dimovskit nga Shoqata e Inxhinierëve, nëse do të kishte korrigjim të çmimit të energjisë elektrike në korrik të këtij viti, ai do të duhej të ishte në drejtim të uljes. Ai e argumenton këtë me rritjen e prodhimit nga fotovoltaikët dhe me faktin se energjia elektrike në treg aktualisht është shumë e lirë. “Ministrja e Energjisë deklaroi se aktualisht, falë fotovoltaikëve dhe energjisë diellore, çmimet në bursë janë zero. Nëse bursa jonë do të lejonte çmime negative, atëherë prodhuesit do të duhej të paguanin për të shitur energjinë elektrike. Ky është një sinjal i qartë për Komisionin Rregullator të Energjisë. Besoj se në korrik duhet të kemi një çmim të korrigjuar për energjinë elektrike, pasi kjo është e paraparë edhe në modelin tarifor për furnizuesin universal. Nëse ndryshimet në treg tejkalojnë pesë për qind në drejtim të uljes, me propozim të furnizuesit, KRRE duhet të bëjë korrigjimin e çmimit”, tha Dimovski në një intervistë për TV24.

Këtë vit, Ministria e Energjisë ka dhënë pëlqim për projekte me kapacitet të përgjithshëm të planifikuar prej rreth katër gigavatësh, si dhe për sisteme baterish me kapacitet të instaluar prej dy gigavatësh. Për vitin 2027 tashmë janë paraqitur mbi 700 iniciativa të reja për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme.

Për projektet e përfshira në planet e ndërtimit, MEPSO duhet të përgatisë variantet për lidhjen me rrjetin e transmetimit. Investitorët më pas duhet të deklarojnë nëse zgjidhjet dhe kostot e propozuara janë të pranueshme për ta, pas së cilës operatori do të vendosë për dhënien e miratimit. Megjithatë, ekziston mundësia që një pjesë e termocentraleve të planifikuara të mos lidhen me rrjetin, nëse kushtet teknike nuk e lejojnë një gjë të tillë. Rritja e shpejtë e prodhimit të energjisë diellore dhe të erës prej kohësh ka ngritur pikëpyetje lidhur me kapacitetin dhe stabilitetin e sistemit energjetik të vendit. Ekspertët paralajmërojnë se ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese po ecën më shpejt sesa modernizimi dhe zgjerimi i rrjetit të transmetimit.

Një muaj më parë, EVN Maqedoni vuri në funksion sistemin e parë të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike (Battery Energy Storage System – BESS), të instaluar në kuadër të centralit fotovoltaik “Probishtip”. Me fuqi të instaluar prej 10 MW dhe kapacitet prej 20 MWh, ky sistem përfaqëson kapacitetin më të madh të baterive brenda Grupit EVN dhe njëkohësisht sistemin më të madh të licencuar të këtij lloji në vend.

Integrimi i kësaj teknologjie mundëson ruajtjen e energjisë diellore të prodhuar gjatë ditës dhe përdorimin e saj në periudhat më të favorshme, duke rritur stabilitetin, fleksibilitetin dhe efikasitetin e sistemit energjetik.

Ligji i ri për Energjinë, i cili hyri në fuqi në maj të këtij viti, i obligon prodhuesit e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme që energjinë e tepërt ta ruajnë në sisteme baterish. Çdo investitor që ndërton një sistem të tillë do të mund të veprojë si operator magazinimi dhe të blejë ose shesë energji elektrike në treg. Vitin e kaluar, KRRE dha licencën e parë për ruajtjen e energjisë elektrike nga burimet e  rinovueshme në sisteme baterish një kompanie që zotëron një central fotovoltaik me kapacitet prej rreth 4,5 megavatësh në zonën e Ginovcit dhe Rankovcit. Ruajtja e energjisë elektrike po bëhet domosdoshmëri, pasi tepricat e energjisë krijojnë probleme dhe çekuilibra në rrjet. Kjo u pa qartë në Spanjë dhe Portugali, ku ndodhi një ndërprerje masive e energjisë elektrike që preku transportin publik, aeroportet dhe shërbimet telefonike.

Edhe Maqedonia e Veriut ishte pranë një situate të ngjashme gjatë fundjavës së Pashkëve të vitit 2025. Për shkak të mungesës së kapaciteteve për të absorbuar energjinë e tepërt nga fotovoltaikët, mënyra e vetme për të shmangur një krizë ishte shkëputja urgjente e një pjese të kapaciteteve diellore nga sistemi.

Për të lehtësuar instalimin e sistemeve të baterive pa nevojën e lejes së ndërtimit, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka ndryshuar Rregulloren për Instalimin e Pajisjeve. Ligji për Energjinë përcakton se në të ardhmen 20 për qind e kapacitetit të instaluar të prodhuesve të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme duhet të sigurohet përmes sistemeve të ruajtjes në bateri. Ky detyrim vlen edhe për AD ESM. Përmes ruajtjes së energjisë, AD ESM do të mund të magazinojë energji të lirë gjatë orëve të pasdites dhe ta shesë më vonë, përmes kompanisë së saj bijë “ESM Shitja”, në periudhat kur çmimet në treg janë dukshëm më të larta. (koha.mk)

Advertisement
Advertisement
Advertisement