Policia ka reaguar për aksidentin e rëndë rrugor që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes, më 06.09.2025, rreth orës 01:30, në aksin Orikum–Himarë, ku dy automjete janë përplasur frontal.
Sipas informacioneve zyrtare, automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin Fadil Bodo, 22 vjeç, banues në Dukat, është përplasur me automjetin tip “Fiat”, që drejtohej nga Gabriel Lazemetaj, 20 vjeç, gjithashtu banues në Dukat.
Si pasojë e përplasjes së fortë, katër persona kanë mbetur të plagosur, përfshirë të dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerë në automjetin “Audi”:
Fadil Bodo, 22 vjeç – politrauma, shoqërohet në S.O.U. Vlorë
Gabriel Lazemetaj, 20 vjeç – politrauma, shoqërohet në S.O.U. Vlorë
Flavio Qepi, 20 vjeç, pasagjer në “Audi” – politrauma, shoqërohet në S.O.U.
Aldo Kushta, 22 vjeç, pasagjer në “Audi” – politrauma, në gjendje të rëndë, dërgohet në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Të plagosurit janë banues në fshatin Dukat dhe janë transportuar fillimisht në spitalin rajonal të Vlorës për ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të gjendjes së rënduar, njëri prej tyre është transferuar në Tiranë.
Ndërkohë, Policia Rrugore ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ku ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit F. B. (Fadil Bodo), 22 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.