Një nga skenat më të shëmtuara të futbollit në vitet e fundit ka ardhur nga Spanja, ku portieri i Real Zaragozas, Esteban Andrada, u bë protagonist i një incidenti të rëndë gjatë ndeshjes ndaj Huescas.
Gjithçka ndodhi në minutat shtesë të takimit, kur portieri argjentinas fillimisht u ndëshkua me karton të kuq pas një përplasjeje me kundërshtarin.
Por situata doli plotësisht jashtë kontrollit: Andrada u rikthye me shpejtësi dhe e goditi me grusht në fytyrë kapitenin e Huescas, Jorge Pulido, duke shkaktuar kaos në fushë.
Incidenti solli reagime të menjëhershme, me përfshirjen e shumë lojtarëve dhe anëtarëve të stafeve, duke e kthyer fundin e ndeshjes në një përleshje masive.
Pas ngjarjes, Andrada reagoi publikisht duke kërkuar falje për sjelljen e tij.
Në një mesazh të shpërndarë nga klubi, ai e pranoi fajin dhe theksoi se e kishte humbur kontrollin në një moment tensioni të madh:
“E vërteta është se më vjen shumë keq për atë që ndodhi. E humba kontrollin dhe kërkoj falje.”
Portieri argjentinas shtoi se është i gatshëm ta pranojë çdo vendim apo dënim që do të vijë nga autoritetet sportive, duke e cilësuar veprimin e tij të papranueshëm.
Nga ana tjetër, edhe klubi i tij Real Zaragoza e ka dënuar ashpër incidentin, duke e distancuar veten nga sjellja e lojtarit dhe duke premtuar masa disiplinore të brendshme.
Ndërkohë, Andrada pritet të përballet me një pezullim afatgjatë, që sipas rregullave mund të shkojë deri në disa ndeshje, duke ia shtuar edhe më shumë problemet skuadrës në një moment kritik të sezonit. /Gazeta Express