Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka folur për profesionalizmin e Policisë në takimin e sotëm me disa qytetarë serbë në Komunën e Mitrovicës së Veriut, ku u diskuau për hapjen e urës së Ibrit.
Elshani iu tha se serbëve të pranishëm se “bashkëndjejmë me ju” dhe “ju kuptojmë shumë mirë”.
Për të argumentuar se Policia e Kosovës ka qasje të njëjtë si ndaj shqiptarëve, ashtu ndaj serbëve, Elshani tregoi disa raste.
“Një ditë, e kemi ndalu një person, me një muzikë të lartë, ‘patriot i madh’, kur e këqyrim, kontrabandist në 40 raste. Për neve nuk është kurrfarë rëndësi ajo çka e qysh vepron ai. Puna ime është me u marrë me problematikën. Vjen dikush prej jugu, vjen i dehur në 12 të ditës – tu nejtë bashkë, se këtu bashkëjetesë të madhe, jugu-veriu kanë ndërlidhje, njeriu i dehur në 12 të ditës veç këtu kam pa.. Vjen ai kah në 10-11 i pijtë dhe vjen me bë problem. E marrim atë njeri e qesim në jug. Këtë punë e kemi ne. Me këto probleme merremi ne. Ne kemi nevojë që qytatarët mos me u brengosë, me pasë zhvillim ekonomik, me pasë të ardhura, me ecë përpara, dhe nëse ka problem, me na thirrë neve”, tha Elshani.
Ai tregoi edhe raste të tjera të problemeve në kafeteri.
“Një problem ka qenë në Zherovnicë. Shkojnë disa shqiptarë dhe boshnjakë bashkë, për një festë fetare bëjnë problem në një kafeteri. Çohen 2-3.. 5 serbë më duket, edhe i rrehin këta 3 dhe e dëmtojnë një veturë. Kur i kemi marrë, pasi i arrestuam të pestit, iu thamë, ju nuk keni nevojë me pasë problem me qytetarë që vijnë në kafeteri. Në momentin që dikush ia nis me bë problem, ti thirrë në 192 dhe e sheh çka bëjmë. Pas 4-5 ditëve kemi shku në atë vend ose një vend tjetër, i kemi arrestu disa tjerë, sepse nuk ka nevojë me pasë ti problem me dikë, jam unë për problem”, tha ai.
Këto deklarata i bëri pasi tha se nga hapja e urës së Ibrit nuk do të vijë ndonjë problem.
“Nuk ka as shqiptar që vjen në veri me bë problem. Nëse vjen, merremi ne me të”, tha Elshani.