Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, u pyet se a mund të garantojë se s’do të ketë eskalim nëse hapet ura e Ibrit në Mitrovicë.
Në takimin e sotëm me qytetarë serbë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Elshani tha se për asgjë nuk mund të garantojnë, por shtoi se mund të ofrojnë “siguri shumë të madhe”, raporton Gazeta Express.
“Sa i përket urës, jo për urë, por për kurrgjë mbi këtë tokë nuk garantojmë. 100% tash këtu s’jemi të sigurt. Por për një siguri shumë të madhe, ne mund të garantojmë, ta ofrojmë. Me siguri që unë do të isha i interesuar me ditë, nëse hapet ura po e zëmë, qysh me e hapë urën? Edhe ato janë çështje teknike të cilat ne i diskutojmë mandej edhe me aspektin tonë operacional. Por unë konsideroj që praktikisht, ura është urë, KFOR-i është aty, nëse lirohet sot ura, ajo do të vijë te sheshi, dhe vjen te sheshi”, tha ai.
Elshani tha se nuk do të shkojë ndonjë shqiptar nga jugu në veri për të bërë problem.
“Nuk ka as shqiptar që vjen në veri me bë problem. Nëse vjen, merremi ne me të”, tha ai.
Komuna e Mitrovicës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, organizoi sot një “takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale”, të cilin e paralajmëroi të mërkurën kryeministri Albin Kurti.
Në takimin e sotëm ishte ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe Jeta Tela, shefe e kabinetit të ministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
KFOR-i e ka shtuar praninë në dhe përreth urës së Ibrit në Mitrovicë, pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se ajo do të hapet.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë paralajmëroi të martën se nuk do të hezitojë të përballet me çfarëdo zhvillimi që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, ndërkohë që Policia e Kosovës thotë se është e gatshme ta ekzekutojë ndonjë urdhër të mundshëm për hapjen e urës, e cila qëndron e mbyllur që prej përfundimit të luftës më 1999.