Ekskllava ruse në Ballkan - Gazeta Express
string(25) "ekskllava-ruse-ne-ballkan"

Ekskllava ruse në Ballkan

OP/ED

Gazeta Express

14/12/2022 19:12

Shkruan Lis Bukuroca

Radikalizmi rus luftohet me sanksione ekonomike dhe armë të Perëndimit, gjersa dëmtohet edhe ekonomia e botës.

Lexo Edhe:

Radikalizmi serb luftohet me pezullimin e Kushtetutës së Kosovës dhe me investime të Perëndimit, gjersa dëmtohet shteti ligjor i Kosovës.

Barrikadat ruse duhet të bombardohen, ato serbe nuk duhet të hiqen me buldozer se mund të gërvishen.

Dy pro serb janë ndërmjetësuese të negociatave: Borrel dhe Lajçak, edhe atë, nga vende që nuk njohin pavarësinë e Kosovës.

Profesori amerikan Danijel Server thotë: Serbia është e humbur për Perëndimin,…“ Citat nga revista e Beogradit „Danas“

Putini paradite kërcënon me përdorimin raketave me mbushje atomike, në mbrëmje thotë se nuk do t’i përdorte kurrë. Të nesërmen thotë se mund t’i përdorë raketat supersonike dhe se Perëndimi nuk ka idenë se çfarë posedon Rusia. Ende pa u harruar ai kërcënim shfaqet përsëri dhe thotë: „Ne nuk kemi thënë kurrë se do të sulmojmë dikë me bomba apo raketa atomike!“

Vuçiqi thotë se serbet e Kosovës nuk do të dorëzohet kurrë, por se ai nuk ka urdhëruar  bllokimin e rrugëve, se Serbia do t’i mbrojë dhe në fund, se do të bëjë çdo gjë për të ruajtur paqen. Pastaj thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe tregon se Serbia nuk ka qenë kurrë më e fortë dhe më e gatshme për ta mbrojtur serbet. Albin Kurtin e quan terrorist, edhe pse Kurti nuk ka varë asnjë njeri, por Vuçiqi me qindra, apo ka mbështetur dhe duartroket vrasjen e mijëra dhe dhjetëra mijërave kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.

Media radikale serbe e quan Kosovën „Lažna država. Fake State.“ Shtet i Rrejshëm. Millosheviqi i quante terroristë viktimat e veta në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë. Putini i quan terroristë ukrainasit, të cilët mbrojnë shtëpitë e veta nga terrorizmi rus.

Putini urdhëron bombardimin e shtëpive të ukrainasve për të vrarë edhe fëmijë, në mënyrë që nesër të mos bëhen nazistë të rritur. Kjo barbari nuk quhet luftë në Rusi, por „Operacion i Veçantë!“ Kriminelët rus që vriten në Ukrainë, quhen heronj, kurse nënave të tyre u thotë autokrati: „E rëndësishme është se ne të gjithë jemi të vdekshëm se jemi në duar të perëndisë dhe një ditë do të largohemi nga kjo botë. Pyetja është si kemi jetuar!“

Kështu ngushëllon ai nënat ruse gjersa ua vret djemtë!

Kosova nuk është shtet i rrejshëm, sepse është ndërtuar në një copë të zvogëluar të tokës së vet, shtet i rrejshëm është shteti serb, që është ndërtuar në toka shqiptare, boshnjake, bullgare, kroate, rumune dhe hungareze. Pra „fake dhe fuck state“ është krijuar gabimisht dhe në mënyrë kriminele dhe me ndihmën ruse, i zmadhuar disa herë në llogari të fqinjëve. Pasojat e atij ndërtimi, po përjetohet edhe sot.

Sipas Landeszentrale für politische Bildung Baden-Württemberg Serbia i ka 7,08 milion banorë. 83% qenkan serb dhe 17% pakica. Si romë statistika e vitit 2011 i paraqet vetëm 100.000 veta. Diku 1,3% e popullsisë. Organizatat rome thonë se janë 800.000 deri në 1.000,000 në 758 vendbanime nëpër Serbi. Nëse llogaritet edhe 1 milion romë, atëherë Serbia i ka pak më shumë se katër milion serbë dhe diku tre milion pakica. Si janë  por manipuluar numrat e romëve, janë ndryshuar edhe të pakicave tjera.

Tani shtrohet pyetja: një shtet me 95% shqiptar qenka i rrejshëm, kurse Serbia me diku 40% pakica qenka shtet jo i rrejshëm, jo fake?

Sidoqoftë një korrigjim edhe profesorit të nderuar Server: Serbia nuk i ka takuar kurrë Europës përnjëmend. Ajo shpirtërisht gjithmonë ka qenë në prehrin e Rusisë dhe gjithmonë ka lehur për të.

Përjashtim bën epoka e Josip Broz Titos, por ai nuk ishte serb dhe nuk ishte i ndikuar nga kisha ortodokse serbe. Me vdekjen e tij mori pushtetin ortodoksia radikale serbe. Ajo kishë nuk beson Krishtin e vërtetë, që ndalonte vrasjen dhe që falte edhe vrasësit e vet, por ajo Kishë Krishtin serb e imagjinon si Hitlerin dhe është frymëzuesja kryesore në masakrimin e popujve fqinj.

Perëndimi më shumë se tri dekada angazhohet dhe mundohet të gjejë një zgjidhje. Problemi i madh është se nga viti 2011 ai nuk po kupton, se askund në botë, nuk gjendet një shembull ky me radikalët mund të arrihet një kompromis. Radikalët kudo në botë ose mposhten ose humbet lufta prej tyre. Demokracia i lufton, i mbikëqyr dhe i burgos. Në Gjermani u arrestuan 25 që planifikonin ndërrimin e rendit politik. Në ShBA po mbahen procese kundër radikalëve të Trumpit, në Kosovë kërkohet mirëkuptim ndaj kriminelëve serb.

Serbet në Kosovë nuk paguajnë rrymë. Në Gjermani ta ndalnin rrymën nëse nuk paguan! Nuk paguajnë taksa, në Gjermani të burgosnin. Serbet mund të armatosen, mund t’i bllokojnë rrugët sa herë të kërkojë Vuçiqi, por policia e Kosovës, shteti i Kosovës duhet të presë ata t’i largojnë vetë, natyrisht pasi të jepet leja nga psikopati skizofrenik i Beogradit.

Ju nuk po prisni të largohen rusët nga Ukraina, por po ndihmoni në dëbimit e tyre, edhe me vrasje. Ndihmoni edhe Kosovën ta dëbojë krimin serb nga Kosova! Mjaftë më me pallavra!

Kosova nuk ka probleme me serbet e Kosovës, por me nacionalistët e Beogradit, që ishin në skenë politike edhe kur u bombardua Jugosllavia. Gazeta „Danas“ thotë se Serbia kështu qe tallur me popullin serb në Kroaci, e pastaj u dëbua, sot të njëjtën po e bën ajo edhe me serbet e Kosovës.

Ju vetëm duhet të na tregoni sesi mund të besohet se një nacionalist radikal si Vuçiqi mund të pajtohen me Kosovën, kur ai kategorikisht e përjashton njohjen, edhe nëse ndërtohet Republika Serbe, që udbashët tanë e quajtën „Asociacion“; për ta fshehur realitetin nga populli!!! Për t’ia paraqitur si fakt të padëmshëm, si klub tenisi apo i shahistëve dhe kështu, kamufluan komuna artificiale nga katundet serbe, gjersa në Luginë, Presheva me 40.000 banorë është shndërruar në katund. Ashtu si edhe Bujanoci e Medvegja.

Nëse Perëndimi dëshiron ta përfundojë këtë turizëm politik, Bruksel-Prishtinë-Beograd e pastaj Beograd-Prishtinë e Bruksel, atëherë kundër Serbisë duhet të zbatojë sanksionet e njëjta që i ka ndaj Rusisë. Kjo do të ndikonte në rrëzimin e qeverisë radikale-nacionaliste, por askund në botë dhe kurrë në histori nuk njihen shembuj, që tregojnë se ekstremistët, mashtrohen për kompromis me përkëdhelje, me mbështetje, me investime. Ata ose detyrohen me sanksione, ose mposhten me bomba.

Lajçaku dhe skuadrës së tij i konvenon negociata të zgjasin edhe nja dy dekada, sepse ata po fitojnë pas çdo suksesi dhe pas çdo dështimi. E pastaj, të bëhemi pakëz edhe serioz, edhe pse bëhet fjalë për politikë: si mund ju lutem të caktohen dy ndërmjetës kryesorë të negociatave nga dy shtete, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës? Meqenëse Lajçak dhe Borrel janë pro serb, atëherë duhen edhe dy pro shqiptarë: një amerikan dhe një anglez, apo një amerikan dhe një gjerman.

Çfarë domethënë tani tallja me kërkesën për 1000 ushtarë serb? Në vitin 2003 i qe refuzuar një kërkesë si kjo Xhinxhiqit, por atëherë Kosova nuk ishte e pavarur. Kërkesa e Vuçiqit, më saktë e psikopatit ekstremist, nuk është tallje me Kosovën, por tallje me Perëndimin, sepse atyre që kanë njohur shtetin e Kosovës, po u kërkon leje për të pushtuar Kosovën. Ky njeri nuk është thjeshtë një idiot, por një skizofren.

Pranojeni konstatimin e profesori Daniel Server dhe pajtohuni me faktin se Serbia nuk dëshiron të jetë Europë. Përforconi ushtrinë e Kosovës dhe problemi zgjidhet vetvetiu, pa luftë. Ekstremistët kuptojnë vetëm fuqinë reale.