Egjipti i Mohamed Salahut është përballur me probleme udhëtimi vetëm pak orë pas fitores historike 3-1 ndaj Zelandës së Re në Kupën e Botës.
Skuadra egjiptiane kishte planifikuar të udhëtonte direkt nga Vancouveri drejt Seattle, ku do të zhvillojë ndeshjen e radhës ndaj Iranit. Megjithatë, autoritetet lokale të sigurisë refuzuan kërkesën e ekipit për të qëndruar në qytet, duke e detyruar delegacionin të kthehet në bazën stërvitore në Spokane, Washington.
Federata e Futbollit të Egjiptit doli me një deklaratë zyrtare, ku trajneri Hossam Hassan konfirmoi se ekipi kishte kërkuar të qëndronte në Seattle për të shmangur lodhjen nga udhëtimet e shumta.
“Autoritetet e sigurisë refuzuan kërkesën e ekipit për të qëndruar në Seattle pas ndeshjes me Zelandën e Re, prandaj delegacioni do të kthehet në Spokane”, thuhet në deklaratë.
Egjipti mposhti Zelandën e Re me golat e Mostafa Ziko, Mohamed Salah dhe Mahmoud Trezeguet, duke regjistruar fitoren e parë në histori në Kupën e Botës. Me këtë sukses, egjiptianët morën kryesimin e Grupit G me katër pikë, pas barazimit 1-1 me Belgjikën në ndeshjen e parë.
Ndeshja e radhës ndaj Iranit do të luhet më 27 qershor në Seattle, çka do të thotë se Egjipti mund të detyrohet të bëjë një tjetër udhëtim nga Spokane drejt qytetit ku zhvillohet takimi.
Edhe Irani është përballur me probleme të ngjashme udhëtimi gjatë këtij Botërori. Përfaqësuesja iraniane është detyruar të stërvitet në Tijuana të Meksikës, edhe pse të gjitha ndeshjet e grupit i luan në SHBA.
Trajneri i Iranit, Ardeshir Ghalenoei, e ka kritikuar këtë situatë, duke thënë se skuadra e tij kishte vetëm 16 orë kohë për t’u përgatitur para ndeshjes ndaj Belgjikës.
Egjipti aktualisht kryeson Grupin G me katër pikë, para Iranit dhe Belgjikës që kanë nga dy pikë, ndërsa Zelanda e Re mban vendin e fundit me një pikë. Një barazim mund t’i mjaftojë Egjiptit për kualifikim në fazën e 1/32-ës, ndërsa fitorja do t’ia siguronte kalimin tutje. /GazetaExpress/
Blerjet e përditshme tani mund t’ju sjellin më shumë se produkte në shportë. Më 26 dhe 27 qershor, Interex...