Dyshohet se u asfiksuan, krejt çka dihet për vdekjen tragjike të çiftit në Bjeshkët e Junikut - Gazeta Express
string(93) "dyshohet-se-u-asfiksuan-krejt-cka-dihet-per-vdekjen-tragjike-te-ciftit-ne-bjeshket-e-junikut2"

Dyshohet se u asfiksuan, krejt çka dihet për vdekjen tragjike të çiftit në Bjeshkët e Junikut

Lajme

Gazeta Express

26/12/2023 8:24

Dita e hënë ishte e kobshme për familjen Tofaj nga Juniku. Pronari i fabrikës “Juniku”, Mic Tofaj dhe bashkëshortja e tij u gjetën të vdekur në një shtëpi banimi në bjeshkët e Junikut, në rrethana akoma të paqarta. Policia tashmë ka nisur hetimet në koordinim me Prokurorinë, që njoftoi se janë disa pista hetimore për ta ndriçuar rastin

Çifti u gjet pa shenja jeta në një objekt banimi në bjeshkët e Junikut.

Lexo Edhe:

Fillimisht u raportua se si pasojë e vdekjes erdhi deri te shpërthimi i një bombole, por Policia e Kosovës e demantoi këtë raportim.

Nga deklaratat e policisë, thuhet se dyshohet që rryma ka qenë shkaktar ku dyshohet se dy viktimat janë asfiksuar.

Zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës Fadil Gashi ka thënë se vdekja e tyre u konstatua nga mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes.

Siç tha dyshohet se shkaktar ka qenë rryma, ku dy viktimat janë asfiksuar.

“Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar. Dyshohet se shkaktar ka qenë rryma, nuk ka të bëjë me bombolë gazi. Viktimat dyshohet se janë asfiksuar”, tha Fadil Gashi

Për rastin kanë folur edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi konfirmoi se rryma është një nga pistat e hetimit.

Për ndarjen tragjike nga jeta të çifit ka reaguar dje edhe kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu.

Ai tha se ata ishin ndërmarrës të suksesshëm por edhe njerëz me virtyte të lara.

“Juniku do t’i kujtoj përgjithmonë si familje shembullore, mbi të gjitha si persona me virtyte të larta njerëzore por edhe si ndërmarrës të suksesshëm dhe junikas të cilët kanë kontribuar aq shumë për Komunën e Junikut”, ka shkruar ai.

Ndërkohë dëshmitarët kanë thënë për Klanin që ka qenë i biri shtatëvjeçar i çiftit që vdiq në Junik ai që i kishte njoftuar familjarët për rastin.

Trupat e pajetë të çiftit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe pritet t’u bëhet obduksioni.