Njësia Speciale qëndroi deri në mëngjes në Skenderaj, policia tha se bëhej fjalë për një plan operativ rutinor - Gazeta Express
string(109) "njesia-speciale-qendroi-deri-ne-mengjes-ne-skenderaj-policia-tha-se-behej-fjale-per-nje-plan-operativ-rutinor"

Lajme

Gazeta Express

15/05/2026 7:08

Njësia Speciale qëndroi deri në mëngjes në Skenderaj, policia tha se bëhej fjalë për një plan operativ rutinor

Lajme

Gazeta Express

15/05/2026 7:08

Mbrëmja e së enjtes në Skenderaj u shoqërua me zhvillime të shumta pas incidentit ku u përfshinë kryetari i komunës Sami Lushtaku dhe kryetari i degës së LVV-së, Hysni Mejani.

Pas ngjarjes, Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi se dy persona, E.L. dhe B.N., janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”. Burime mediale raportuan se në mesin e të ndaluarve janë edhe Amir Lushtaku dhe Bekim Nura.

Situata u tensionua më tej kur pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës zbritën në Skenderaj dhe qëndruan në qytet deri në orët e hershme të mëngjesit. Prania e tyre nxiti reagime të ashpra nga figura të PDK-së dhe qytetarë lokalë, të cilët kërkuan sqarime për arsyen e angazhimit të forcave speciale.

Qytetarët fillimisht u grumbulluan para Stacionit Policor në Skenderaj dhe më pas në qendër të qytetit, ku patën komunikim të drejtpërdrejtë me policinë. Ata kërkuan përgjigje lidhur me praninë e Njësisë Speciale, ndërsa policia deklaroi se bëhej fjalë për një “plan operativ rutinor”.

Ish-deputetja Ganimete Musliu e quajti situatën “tallje me qytetarët e Skenderajt” dhe akuzoi pushtetin për përdorim politik të institucioneve shtetërore. Ndërkohë, nënkryetari i komunës Fadil Nura deklaroi se prania e forcave speciale zgjon kujtime të rënda për qytetin.

Drejtoresha e Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Afërdita Mikullovci, tha se vendosja e Njësisë Speciale ishte çështje rutinore dhe operative, e lidhur me kontrolle dhe aktivitete policore të zakonshme.

Pas disa orësh tensione dhe grumbullimi të qytetarëve, Njësia Speciale dhe forcat tjera policore u larguan nga Skenderaj në orët e para të mëngjesit, ndërsa qytetarët paralajmëruan reagime të tjera edhe gjatë ditës së sotme.

Advertisement
Advertisement
Advertisement