Droga në shkollat e Pollogut: Heshtje, fshehje rastesh dhe reagime të vonuara - Gazeta Express
string(75) "droga-ne-shkollat-e-pollogut-heshtje-fshehje-rastesh-dhe-reagime-te-vonuara"

Maqedoni

Gazeta Express

30/05/2026 8:41

Droga në shkollat e Pollogut: Heshtje, fshehje rastesh dhe reagime të vonuara

Maqedoni

Gazeta Express

30/05/2026 8:41

Mes mungesës së stafit profesional, reagimeve të vonuara dhe tendencës për t’i minimizuar rastet për të ruajtur imazhin e institucioneve, përdorimi i lëndëve narkotike mes nxënësve vazhdon të mbetet alarmant në shkollat e mesme në Pollog. Përfaqësues të nxënësve dhe gazetarë vlerësojnë se shkollat dhe institucionet shpesh dështojnë të trajtojnë seriozisht problemin, duke u fokusuar më shumë te formalitetet dhe heshtja sesa te parandalimi, mbështetja profesionale dhe krijimi i besimit te të rinjtë, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.

Ky problem po shoqërohet me kritika për trajtim sipërfaqësor, mungesë të besimit te shërbimet profesionale dhe reagime institucionale që shpesh vijnë vetëm pasi situata del jashtë kontrollit.

Pasivitet dhe reagim sipërfaqësor

Kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme në Tetovë – Ardian Ramadani për Portalb.mk thotë se situata me narkotikët është shqetësuese, ndërsa siç thotë ai qasja e shkollave ndaj problemit mbetet sipërfaqësore.

“Nuk mjafton që herë pas here të mbahen ligjërata të thata, të plotësohen formularë apo të raportohet në letër se janë realizuar aktivitete parandaluese. Problemi është se shpesh nuk ka punë reale me nxënësit, nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë, nuk ka ndjekje të vazhdueshme të rasteve dhe nuk ka metodë moderne për t’i kuptuar shqetësimet e tyre”, thotë Ramadani.

Ai thotë se në disa shkolla është vërejtur pasivitet jo vetëm në trajtimin e dukurive si përdorimi i narkotikëve, por edhe në mbrojtjen e të drejtave të nxënësve dhe në reagimin ndaj shkeljeve të tjera që prekin dinjitetin dhe mirëqenien e tyre.

Foto: Ardian Ramadani (e përdorur me leje)

“Një shqetësim edhe më i madh është zbehja e besimit të nxënësve ndaj këtyre shërbimeve. Nëse një nxënës nuk është i sigurt se biseda me psikologun, pedagogun apo ndonjë përgjegjës tjetër do të mbetet konfidenciale, atëherë ai nuk do të kërkojë ndihmë. Dhe në disa raste, për fat të keq, nxënësit kanë fituar bindjen se ajo që thuhet në zyrat e këtyre shërbimeve mund të përhapet në ambientin shkollor”, tha Ramadani.

Ai thekson se drejtoritë e shkollave nuk kanë treguar gjithmonë interes të mjaftueshëm për një përballje të drejtpërdrejtë me këto dukuri.

“Shpesh reagimi vjen vetëm kur problemi bëhet publik, kur ndodh një incident ose kur situata del jashtë kontrollit. Kjo nuk është parandalim. Kjo është reagim i vonuar”, tha Ramadani.

Heshtje në shkolla

Ramadani thotë se shqetësuese është edhe heshtja brenda vetë shkollave.

“Nëse një profesor, kujdestar klase apo përgjegjës shkollor vëren qartë se një nxënës është në gjendje të rënduar, nën ndikim apo në rrezik, dhe nuk e raporton rastin, atëherë kemi dështim moral dhe institucional. Nuk dua të përgjithësoj, sepse ka edhe profesorë e profesionistë të përgjegjshëm, por heshtja në këto raste e mbron problemin, jo nxënësin. Shkolla nuk guxon të sillet sikur nuk sheh”, thotë ai.

Ai thotë se në këtë temë nuk ka nevojë propagandë institucionale dhe as fshehje e rasteve për të ruajtur imazhin e shkollave.

“Na duhet sinqeritet. Sepse një shkollë nuk dëmtohet kur e pranon se ka problem; dëmtohet kur e fsheh atë. Heshtja nuk është zgjidhje. Heshtja vetëm e bën problemin më të thellë”, thotë Ramadani.

Ndër të tjera ai shton se organet e rendit dhe insttitucioner përgjegjëse duhet të jenë shumë më të vendosura në trajtimine këtyre rasteve dhe t’i trajtojnë siç duhet, me plane dhe masa konkrete.

Tendencë për fshehje të rasteve

Edhe gazetari nga Tetova – Senat Zylbehari nga përvoja e tij tregon se ka hasur në raste kur nga shkollat ka pasur tendencë që rastet e përdorimit të narkotikëve apo sjelljeve tjera devijante të mbeten të heshtura.

Zylbehari thotë se problemi me përdorimin e lëndëve narkotike te të rinjtë nuk mund të trajtohet duke mbyllur sytë ose duke u sjellë sikur fenomeni nuk ekziston.

Ai shton se për vite me radhë institucionet arsimore dhe autoritetet reagojnë vetëm pasi ndodh ndonjë rast alarmant, ndërkohë që mungon puna serioze parandaluese nëpër shkolla.

“Shkollat shpesh fokusohen më shumë te ruajtja e imazhit sesa te adresimi i problemit. Ka tendencë që rastet të minimizohen për të mos u ‘njollosur’ emri i institucionit, por heshtja nuk e zgjidh fenomenin. Përkundrazi, e bën më të rrezikshëm. Si gazetarë shpesh hasim në refuzim dhe tendencë për të mos i trajtuar rastet e tilla, por nëse nuk flitet hapur për këtë dukuri dhe nëse mungon bashkëpunimi mes shkollës, prindërve dhe institucioneve, atëherë të rinjtë mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze pa asnjë mekanizëm real mbrojtës”, tha Zylbheari.

Foto: Senat Zylbehari (arkivi privat)

Drejtoresha e shkollës së mjekësisë: ‘Fshehja e rasteve’, perceptim i padrejtë në shumë raste

Shkolla e Mesme e Mjekësisë ‘Nikolla Shtenj’ në Tetovë ka numrin më të madh të nxënësve në Tetovë. Lidhur me sjelljet devijante dhe përdorimin e narkotikëve dhe trajtimi që bëhet në këto raste biseduam me drejtoreshën, Malsore Ramadani.

Ajo thotë se pavarësisht përpjekjeve sistemi arsimor ende përballet me mungesë të resurseve humane dhe profesionale sidomos psikologëve shkollorë dhe programeve të qëndrueshme parandaluese. Drejtoresha thotë se shpesh mungon një bashkëpunim i thellë dhe i vazhdueshëm mes shkollës, familjes dhe institucioneve shëndetësore e sociale. Sipas saj, në shumë raste ndërhyrja vjen vonë kur problemi tashmë ka marrë formë më të rëndë

“Shkollat zakonisht aplikojnë qasje parandaluese përmes këshillimit psikologjik, punës edukative në orë kujdestarie, ligjëratave nga profesionistë të fushës dhe bashkëpunimit me prindërit. Në rastet kur ka dyshime aktivizohet shërbimi profesional i shkollës dhe informohen prindërit duke synuar mbështetje dhe jo stigmatizim të nxënësit. Po ashtu, bashkëpunohet edhe me institucione relevante sipas protokolleve ligjore”, thotë Ramadani.

Foto: Malsore Ramadani (profili në facebook)

Mes tjerash ajo thekson se shkolla nuk mund dhe nuk duhet të mbetet vetëm vëzhguese.

“Ajo ndërhyn me të gjitha mekanizmat që ka në dispozicion: nga këshillimi, te masat disiplinore dhe deri te referimi tek institucionet kompetente. Por gjithmonë duke pasur parasysh se përballë kemi një fëmijë ose adoleshent jo një “rast”, dhe çdo hap duhet të jetë edhe edukues, jo vetëm ndëshkues”, tha ajo.

Lidhur me ‘fshehjen e rasteve’, drejtoresha thotë se kjo është perceptim i padrejtë në shumë raste.

“Nuk bëhet fjalë për fshehje por për një përpjekje të kujdesshme për të mbrojtur dinjitetin e nxënësit dhe familjes së tij. Këto janë situata të ndjeshme ku një fjalë e gabuar mund të lëndojë më shumë sesa të ndihmojë. Qëllimi ynë nuk është të mbulojmë problemin por ta trajtojmë me përgjegjësi, humanizëm dhe diskrecion”, tha Ramadani.

Advertisement
Advertisement
Advertisement