1.195 raste të dhunës në familje, 1.243 autorë dhe 1.275 viktima janë identifikuar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa janë raportuar gjithsej 5.436 ankesa, shumica për keqtrajtim psikik. Këto të dhëna tregojnë një rritje prej 10% të rasteve krahasuar me vitin e kaluar dhe një përhapje të gjerë të dhunës brenda familjes në vend. Këto janë të dhënat shqetësuese që pasqyrohen në raportin vjetor të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), i cili evidenton se dhuna në familje mbetet një nga problemet më serioze sociale dhe të sigurisë në Maqedoninë e Veriut, raporton Portalb.mk.
“Janë regjistruar 315 vepra penale “dhunë”, për të cilat janë ndërmarrë masa të ndjekjes penale ndaj 623 personave, nga të cilët një është i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (SPB Shkup). Mënyra më e zakonshme e kryerjes së këtyre veprave është përdorimi i forcës fizike ose kërcënimi me mjete të forta dhe të mprehta, ndërsa motivet kryesore lidhen me mosmarrëveshje (familjare, momentale ose në trafik), me çështje të pazgjidhura pronësore-juridike ose me marrëdhënie borxh-kreditor”, thuhet në raport.
Numri më i madh i rasteve të dhunës është regjistruar në rajonin e SPB Shkupit me 121 vepra penale, njësoj si vitin e kaluar. Pas tij renditen SPB Tetovë me 65 raste dhe SPB Kumanovë me 38 raste.
Krahasuar me vitin e kaluar, veprat e dhunës shënojnë ulje për më shumë se 10%. Uljet më të mëdha janë regjistruar në rajonet e SPB Veles dhe SPB Kumanovë, me mbi 40%, ndërsa në rajonin e SPB Ohrit është shënuar rritje e konsiderueshme prej 145,5%.
Dhuna në familje shënoi rritje prej 10%
Sipas raportit, veprat penale më të shpeshta të lidhura me dhunën në familje janë “lëndim trupor” dhe “rrezikim i sigurisë”, ndërsa shumica e rasteve kryhen me forcë fizike ose me kërcënime. Në disa situata janë përdorur edhe armë zjarri, duke e rritur ndjeshëm rrezikun për jetën e viktimave.
“Veprat penale të lidhura me dhunën në familje në krahasim me vitin 2024 shënojnë rritje prej 10%. Janë regjistruar 1.195 (1.087) vepra penale, ku më të shpeshta janë “lëndimi trupor” – 714 raste dhe “rrezikimi i sigurisë” – 439 raste. Pjesa më e madhe e veprave janë kryer në rajonin e SPB Shkupit (256) dhe Tetovës (180), ndërsa numri më i ulët është regjistruar në rajonin e SPB Ohrit (97 raste)”, thuhet në raport.
Janë regjistruar gjithsej 1.243 (1.108) kryes të veprave, nga të cilët 131 janë femra. Më shpesh si kryes paraqiten bashkëshortët (484), pastaj djemtë (190) dhe burrat në bashkëjetesë jashtëmartesore (109). Shumica e veprave janë kryer me përdorim të forcës fizike ose me kërcënim, ndërsa në nëntë raste janë përdorur kërcënime me armë zjarri. Kryesit shpesh kanë qenë nën ndikimin e çrregullimeve psikike ose alkoolit.
Raporti evidenton gjithashtu se janë regjistruar edhe gjashtë raste vrasjesh si pasojë e dhunës në familje. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhet me përdorimin e alkoolit, substancave narkotike dhe çrregullimeve psikike të autorëve, si dhe me konflikte familjare dhe sociale.
“Gjatë kryerjes së dhunës në familje këtë vit janë regjistruar gjashtë vrasje (nga tre vitin e kaluar), dy në rajonin e SPB Velesit, dy në SPB Shtipit, një në Shkup dhe një në Tetovë. Numri i viktimave është rritur me 11,2% krahasuar me vitin e kaluar. Janë regjistruar 1.275 (1.146) viktima, nga të cilat 1.033 janë gra dhe 242 burra”, thuhet në raport.
Raporti i MPB-së tregon se në shumicën e rasteve autorët janë bashkëshortët, djemtë ose partnerët në bashkëjetesë, ndërsa viktimat janë kryesisht gra, të cilat përbëjnë mbi 1.000 raste. Kjo tregon se dhuna në familje është kryesisht e drejtuar ndaj grave brenda marrëdhënieve familjare dhe intime.
“Shumica e viktimave janë bashkëshortet (484), pastaj nënat (115), gratë në bashkëjetesë (109), baballarët (93) dhe ish-bashkëshortet (88). Kundërvajtjet janë pothuajse në të njëjtin nivel me një rritje të lehtë prej 2,5%. Janë kryer gjithsej 284 kundërvajtje ndaj 337 viktimave, më së shpeshti “sulm fizik” (88 raste) dhe “grindje dhe bërtitje në vend publik” (75 raste). Janë regjistruar gjithsej 5.436 ankesa, nga të cilat 4.872 për keqtrajtim psikik. Shkaku më i shpeshtë i dhunës në familje është çrregullimi i gjendjes së kryesve, përdorimi i alkoolit dhe drogave narkotike”, thuhet në raport.
Përndryshe, numër i madh vrasjesh është regjistruar edhe këtë vit. Ajo që trazoi opinionin ishte tragjedia e 2 marsit 2026, në të cilën një grua nga Shkupi dhe vajza e saj gjashtëvjeçare vdiqën pasi ranë nga një ballkon në Shkup pas shumë vitesh dhunë në familje. Ky rast rihapi temën e përgjegjësisë së institucioneve që supozohet të mbrojnë viktimat. Ministria e Brendshme kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura ndërpersonale dhe sulme fizike mes bashkëshortëve.
tag_katrorimaqedoni_2
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...