Drilon Hajrizi e ka ndarë tashmë mendjen se ku do të luajë në sezonin e ardhshëm.
Njëri prej basketbollistëve më të mirë në Kosovën e pasluftës do t’i mbetet besnik ekipit të tij të zemrës, Trepça.
Kampionët e Kosovës njoftuan përmes faqes së tyre zyrtare në rrjetet sociale se e kanë vazhduar bashkëpunimin me kapitenin e tyre, shkruan “Gazeta Express”.
Palët kanë nënshkruar kontratë të re njëvjeçare që nënkupton se Hajrizi do të mundohet t’i gëzojë edhe në sezonin 2025/26 tifozët e flaktë “Torcida” në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
“Djali që u rrit me ne vazhdon të jetë pjesë e klubit tonë. Drilon Hajrizi zyrtarisht vazhdon me ne edhe për këtë vit. Ai është shtylla e ekipit dhe figurë udhëheqëse brenda dhe jashtë parketit. Vazhdojmë bashkë drejt synimeve të mëdha”, shkroi Trepça.
“Xehetarët” pritet të bëjnë përforcime të reja në ekip për t’i përsëritur sukseset e sezoneve të fundit. /Gazeta Express