Drejtuesit e FFK-së i kërkojnë ministrit Zemaj t’i lejojë aktivitetet sportive - Gazeta Express

Futboll

Gazeta Express

05/08/2020 17:03

Drejtuesit e FFK-së i kërkojnë ministrit Zemaj t’i lejojë aktivitetet sportive

Futboll

Gazeta Express

05/08/2020 17:03

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i kanë kërkuar ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, ta lejojë zhvillimin e aktiviteteve sportive, të cilat janë të ndaluar në këtë kohë si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë Covid-19.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, bashkë me sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu, u takuan sot ministrin Zemaj, ku ia shprehen nevojën për lejimin e zhvillimit të aktiviteteve sportiv, raporton Gazeta Express.   

“Gjatë këtij takimi krerët e FFK-së e njoftuan ministrin për situatën shëndetësore dhe nevojën për të filluar me stërvitje të gjitha kategoritë e futbollit, nga shkollat e futbollit e deri te klubet e të gjitha ligave dhe rangjeve, përfshirë edhe futbollin e femrave dhe futsallin”, thuhet në njoftimin FFK-së.

Sezoni i ri 2020/21 në Ipko Superligë dhe kategoritë e tjera të futbollit vendor pritet të nisin më 12 shtator, prandaj FFK dëshiron të sigurohet që klubet do të mundë t’i nisin përgatitjet për stinorin e ri sa më parë.

“Në fakt, janë vetëm 5 javë para fillimit të kampionatit, që është kohë jo e mjaftueshme për fazën përgatitore. Gjatë këtij takimi me theks të veçantë u diskutua për shkollat e futbollit dhe nevojën për të stërvitur që të mos stagnohet me zhvillimin e kategorive të reja. FFK zotohet që do ta respektojë protokollin strikt për shëndetin e futbollistëve  – shëndeti para të gjithave”, thuhet tutje në njoftim.

Zemaj ka thënë se do të vendosë për ketë gjatë një takimi të enjten.  

“Ministri Zemaj tha se që nesër do ta mbledhë Këshillin për parandalimin  e përhapjes së Covid-19 dhe do t’i konsultojë ata për të dhënë një vendim të shpejtë dhe të arsyeshëm, duke pasur parasysh rëndësinë e stërvitjeve, që futbollistët t’i mbajmë në formë”. /Gazeta Express/