Drejt një apokalipsi demokratik? - Gazeta Express
string(31) "drejt-nje-apokalipsi-demokratik"

Gazeta Express

03/09/2020 13:36

Drejt një apokalipsi demokratik?

Gazeta Express

03/09/2020 13:36

Për vite me radhë, demokracitë liberale janë rrethuar nga një polarizim politik gjithnjë e më i thellë, humbje e besimit te sundimi i ligjit dhe një lloj kalbje e përhapur institucionale. Me krizën COVID-19 që i ka përshpejtuar këto trendë, nevoja për një strategji të qartë për të mbrojtur demokracinë liberale është bërë më urgjente se kurrë.

Autor: Ana Palacio

Në 1947, dy vjet pasi Hiroshima dhe Nagasaki u shkatërruan nga bombat bërthamore, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë nisi Orën e Apokalipsit për të treguar se sa afër asgjësimit është bota dhe për të nxitur veprime për të “kthyer pas kohën”. Sot, vlen të merret parasysh nevoja për të krijuar një orë për të treguar se sa afër shkatërrimit janë demokracitë tona. Një orë e tillë do të tregonte se ne po i afrohemi me shpejtësi mesnatës.

Lexo Edhe:

Demokracia liberale bazohet në idenë se individët që veprojnë në mënyrë racionale në interesin e tyre do të prodhojnë rezultate të mira. Por pothuajse çdo aspekt i kësaj premise është gërryer vitet e fundit. Si fillim, gjendja e përhapur e amullisë përsa i takon të ardhurave dhe pabarazia në rritje, veçanërisht që nga kriza financiare e vitit 2008, zor se janë rezultate që njerëzit më racionalë do t’i zgjidhnin.

Për më tepër, ulja e besimit tek institucionet ka dëmtuar kushtet që u nevojiten individëve për të marrë vendime të informuara. Media tradicionale, që pritej prej kohësh të shërbente ri rojtare e informacionit, është lënë pas dhe anashkaluar nga burime në internet, modeli i biznesit i të cilit i inkurajon ata të tërheqin lexuesit duke luajtur në bindjet dhe interesat e tyre, shpesh nëpërmjet shpërndarjes së informacionit të rremë ose çorientues.

Në këtë kontekst, liderët politikë që përpiqen të veprojnë si forca moderuese shpesh humbasin ndaj atyre që përdorin frikën dhe thirrjet për tribalizëm. E gjithë kjo ka nxitur një ndjenjë interesi vetë-shkatërrues, e cila bën kompromiset e nevojshme për të ndërtuar koalicione të gjera praktikisht të pamundura.

Rezultati i kësaj është një polarizim politik gjithnjë e më i thellë, humbje e besimit te sundimi i ligjit dhe një lloj kalbje e përhapur institucionale. Kriza e COVID-19 ka përshpejtuar secilën nga këto zhvillime. Pandemia ka sjellë goditje të reja shkatërruese në reputacionin tashmë të dëmtuar të demokracive liberale si bastione të prosperitetit relativ, parashikueshmërisë dhe sigurisë.

Sfidat tashmë dihen mirë se cilat janë.  E megjithatë, edhe diskutimet për prishjen e demokracisë janë polarizuar thellë. Në Shtetet e Bashkuara, republikanët dhe demokratët e kaluan pjesën më të madhe të kohës në konventat e tyre të fundit për emërimin presidencial duke sugjeruar se kundërshtarët e tyre synojnë të shkatërrojnë demokracinë amerikane.

Në fakt, e gjithë fushata presidenciale e SHBA-së është shoqëruar me retorikë gati-apokaliptike, me të dy palët që shfrytëzojnë gjuhën e demokracisë liberale – pavarësinë, lirinë, sundimin e ligjit – për të portretizuar kundërshtarët e tyre si një kërcënim ekzistencial për mënyrën e jetesës amerikane. Kjo reflekton një trend më të gjerë drejt lidhjes së mbrojtjes së demokracisë me zgjedhjet. Kjo qasje tani duket se mishëron një etik me një shumë zero, e cila thjesht thellon ndasitë që tashmë po dëmtojnë demokracinë.

Paralajmërimet ogurzeza – edhe ato që janë të bazuara në realitet – nuk do të jenë kurrë të mjaftueshme për të shpëtuar demokracinë liberale. Kjo do të kërkojë një strategji afatgjatë që synon rikthimin e themeleve të sistemit: rezultate të qeverisjes së mirë të bazuara në vendimmarrje racionale dhe të informuar.

Edukimi dhe mobilizimi janë pjesë përbërëse e një strategjie të tillë. Zhvillimet e fundit – nga një gatishmëri e gjerë për të ndjekur udhëzimet e shëndetit publik deri te protestat e përhapura kundër racizmit sistematik – sugjerojnë se popujt janë gati dhe të gatshëm të veprojnë. Por përpjekje të tilla do të kenë shumë pak kuptim pa rezultate të mira dhe kjo do të kërkojë që liderët politikë të adresojnë defektet sistematike, duke filluar me ato që po nxisin pabarazinë.

Çelësi për sukses – dhe për qëndrueshmëri demokratike – është krijimi i një lidhjeje më të fortë midis qeverisë dhe shoqërisë. Kjo, nga ana tjetër, kërkon një kuptim më të fuqishëm të shtetësisë.

Siç theksoi edhe politikani dhe ndërtuesi i shtetit italian i shekullit XIX Giuseppe Mazzini, një demokraci liberale mund të zërë rrënjë dhe të lulëzojë vetëm nëse bazohet në detyra, jo vetëm në të drejta. Qytetarët duhet të jenë të lidhur me njëri-tjetrin nga një kauzë më e lartë. Për Mazzinin, i cili ndihmoi në unifikimin dhe pavarësinë e Italisë, kjo kauzë ishte e drejta e kombit për vetëvendosje. Presidenti i SHBA-së Woodroë Wilson u bazua te kjo gjë pas Luftës së Parë Botërore teksa hidhte themelet për atë që përfundimisht do të bëhej rendi botëror liberal.

Megjithatë, një përpjekje e tillë nuk është e nevojshme të bazohet në nacionalizëm. Në fakt, sot ne shohim politikanë që i drejtohen nacionalizmit etnik si një mjet për ndarjen e popullatave. Ajo që është e nevojshme është të kuptojmë se të gjithë kemi një përgjegjësi ndaj vetes dhe ndaj njëri-tjetrit. Ky besim lejon që të ekzistojë një shoqëri demokratike funksionale dhe lulëzuese.

Në praktikë, kjo qasje është e thjeshtë dhe e qëllimshme. Ajo përfshin ndërtimin e komunitetit, një angazhim për shërbim dhe një ndërgjegje të përgjithshme. Nuk do të jetë e lehtë, dhe sigurisht që kjo nuk do të mund të realizohet me një zgjedhje të vetme, madje as me zgjedhjet presidenciale të SHBA-së që do të mbahen në nëntor. Por ky nuk është justifikim për të mos u përpjekur dhe për t’iu nënshtruar forcave centrifugale që na largojnë.

Winston Churchill një herë tha se demokracia liberale është forma më e keqe e qeverisjes – përveç të gjitha të tjerave. Mund të mos jetë e përsosur, por nuk diskutohet që ia vlen ta shpëtojmë. Dhe ora po ecën…

/ Project Syndicate