Mbrëmë janë zhvilluar ndeshjet e radhës gjysmëfinale të “play-offit” në ligën më të fortë të basketbollit në botë – NBA.
Dallasi është inspiruar nga Luka Doncic për ta mposhtur Oklahoman me rezultat 104:92, fitore kjo që ia mundësoi këtij ekipi ta marrë avantazhin në gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit, 3-2.
Tash, Mavericks i ndan veç një fitore nga finalja e Konferencës pasi ekipi që i regjistron katër fitore e pret biletën për fazën tjetër, shkruan “Gazeta Express”.
Basketbollisti slloven ishte i papërmbajtshëm me 31 pikë, e po ashtu i bëri edhe 11 asistime dhe 10 kërcime me një “triple-double” madhështor.
E tek Thunder nuk mjaftuan 30 pikët, 8 asistimet dhe 6 kërcimet e lojtarit në super-formë, Gilgeous-Alexander.
Ndërkohë, Bostoni e preku finalen e Konferencës Lindore pasi e mundi Clevelandin 113:98 për ta mbyllur serinë e ndeshjeve gjysmëfinale të Konferencës 4-1.
Tek Celtics më i shquari ishte Jayson Tatum me 25 pikë, kurse te Cavaliers nuk mjaftuan 33 pikët e Evan Mobleyt. /Gazeta Express/