Brian Peter George Eno (1948), muzikant, tekstshkrues, artist vizuel dhe aktivist anglez. Ndër kontribuesit e parë të muzikës së ambientit dhe asaj elektronike, Eno po ashtu ka shkruar tekste për rock dhe muzikë pop.
9 janar
Ditë burokracie: duke arkivuar Duo-n, duke kopjuar gjëra për sesionin NY. Letër Jamesit – duke i sugjeruar ca role zëri të reja për Tim Booth-in.
Në mbrëmje A. dhe unë te vendi i Nick Lacey-t për të diskutuar rreth qendrës muzikore Fëmijët e Luftës në Mostar. Sa njeri skajshmërisht i ëmbël – paksa i përhumbur në një mënyrë gëzimplote. Më pëlqeu edhe partneri i tij dhe inxhinieri. Ekip i mirë.
Ide të mira po dalin nga ky sesion: tri skalione të hapjes – dhoma kori të izoluara për të rinj të traumatizuar rëndë, dhoma grupi të bashkëndara dhe të këmbyeshme (në të cilat mund të drejtohen shkathtësitë muzikore dhe regjistruese), pastaj disa vende qëllimisht të hapura për botën e jashtme – një dhome pranimi e gjerë që mund të shndërrohet në një hapësirë performimi dhe që mund të ketë dalje në ‘kopsht’ dhe të zgjerohet edhe më tutje. Po ashtu më pëlqen ideja e ‘punëtorisë’ si lehtësim për vizitorët (si te Exploratorium). Mendojmë se mund të shtojmë një kat të sipërm me akomodim joshës – duke qenë se njëri prej funksioneve më të mëdha (mbuluese) të vendit është t’ua bëjë vizitorëve të parezistueshme dhe kështu ta bëjë të mundshëm përsëri qarkullimin shoqëror. Po ashtu edhe një kafene, natyrisht, dhe një ‘dhomë biçikletash’ – për volum të vërtetë.
Pas kësaj shkuam te Whiteleys-i për të parë Palp Fiction, i cili më zhgënjeu. Befasisht shumë i ngadalshëm dhe bukur shumë dinakërisht retro (Isha aty herën e parë). Si munden të tjerët, posaçërisht të rinjtë, ta vlerësojnë këtë lloj dhune? Për ta është veç kiç – a janë bërë ata ironikë mjaftueshëm me mediat sa të mos preken posaçërisht prej saj? Apo është një lloj vetëtestimi që shikon drejt në humnerë? Si do të ishte nëse kriminelët të mos ishin aq tërheqës në dekadencën e tyre? Disi më duket se e blen një lloj ‘realizmi’ duke e shitur një tjetër – aktivitetet fshikëzohen nga ambienti i tyre kulturor, i ruajtur në mënyrë romantike. Në këtë kuptim ka një marrëdhënie qesharake me Rambon dhe Terminatorin. Nuk qëndruam deri në fund të filmit. Uma Thurman nuk ma jep kënaqësinë që duket t’ua japë të tjerëve. Tepër vetëvetëdijshëm femme fatale në një mënyrë, për mua (prandaj në esencë jo-frikësuese) kaliforniane. Kalifornianet janë femmes vitales, jo fatales.
10 janar
Peter Cook vdiq dje dhe natyrisht sot është njeriu më qesharak që ka jetuar ndonjëherë. Ai pothuajse mund të kishte qenë i tillë. (Dud: ‘Pra a mund të thuash se ke mësuar prej gabimeve të tua?’. Pete: ‘Oh, po, jam i sigurt se do të mund t’i përsërisja ato saktësisht’).
Këtë mëngjes, pas ca mendimeve të errëta rreth jetës sime, e mora Whole Earth Review dhe e lexova intervistën me Annie Nearing, tash 94 vjeçe. Ajo ka thënë diçka që më ka goditur drejt e në zemër – sado që duket bukur e parëndësishme: ‘Njerëzit i kushtojnë shumë rëndësi ushqimit’. Kjo më preku në damar ngase natën e kaluar u larguam nga takimi i Lacey-t para kohe në radhë të parë ngase donim të uleshim diku të hanim një darkë të mirë. Një zambër do të më kishte bërë mirë dhe isha disi i mposhtur ngase ngrënia kishte zënë aq shumë vend në jetët tona. Atëherë mendova për të gjitha mbrëmjet që avullohen në mjegullinë e gjatë të përgatitjes, ngrënies, pijes, tymosjes. Së fundmi gjatë gatimit (përveç kur jam njëmend në gjendje të mirë shpirtërore) zë veten duke menduar, ‘Kjo po merr shumë kohë, në mënyrë absurde’.
Përgjithësisht ndjesia ime është e drejtuar kah më pak: më pak pazare, më pak ngrënie, më pak pije, më pak lojë me rregullat dhe recetat. Gjithë këtë e dua në favor të kohës më të gjatë të mendimit në këmbë, improvizimit më të shumtë, befasive më të shumta, të qeshurave më të shumta.
Mora linjën 52 për në Royal College dhe në të pashë një grua tërheqëse që më dukej se e njihja. Si zakonisht isha i mëdyshur – nervoz nga rastet banale ‘A nuk njihemi ne?’. Por doli të jetë Helena nga Winchesteri, e dashura e Dave Hallowsit. Ajo është prapë studente, pasi që ka pasur një karrierë si aktore dhe katër fëmijë. Shndriste e tëra si zakonisht, shumë e bukur – sytë e saj kanë një cilësi të maces siameze dhe hunda e saj është njëmend majuce. Nuk është punë të më kujtohet mbiemri i saj dhe më vinte marre ta pyesja.
Në kolegj, një takim shumë i mirë (Dan Fern dhe Michael Morris ishin aty) me disa studentë për të diskutuar projektet e tyre Vetë-Depozitimit. Fola me Dan Levy-n dhe mikun e tij Simon Waterfall (çift shumë interesant – Dani ush-ushtarak izraelit, truplidhur, arushan, zeshkan i pashëm; Simona studente angleze e artit, gjatoshe me flokë të holla dhe një fund, që Dani e begenis bukur ëmbëlsisht – ‘Oh, është pak e druajtur’), Michael Callan dhe shumë të tjerë. Mezi po pres këtë bashkëpunim.
Pastaj te Broni ta rregulloj dhe mbaroj letrën për Jamesin dhe Robert Wyattin. Në shtëpi të luaj me vajzat për pak orë para se të nisem për NY. S’ma ka ëndja të shkoj, gjithsesi, dhe mezi po pres të marrë fund.
Në aeroplan më bëri për vete Black Lamb and Grey Falcon, i Rebecca Westit. Shkrim i mrekullueshëm – e gjen veten duke dëshiruar të nënvizosh çdo fjali me qëllim që të kthehesh dhe ta zbulosh përsëri. Zëri i saj ma kuton Joanen – çka më bën të kuptoj shumëçka në lidhje me prejardhjet e zërit të Joanes: kurrë s’do të jem në gjendje të ndaj tash e tutje. Jam i sigurt se ajo e shqipton ‘girl’ si ‘gel’.
/Brian Eno, A Year Swollen Appendices: Brian Eno’s Diary’, Faber and Faber, 2020
/Gazeta Express