string(45) "ditari-i-javes-andy-warhol-23-31-dhjetor-1976"

Arte

Gazeta Express

09/05/2025 14:33

Ditari i javës/ Andy Warhol: 23-31 dhjetor 1976

Arte

Gazeta Express

09/05/2025 14:33

Andy Warhol (1928 – 1987), artist vizuel, regjisor dhe producent amerikan. Figurë domethënëse e lëvizjes artistike pop, konsiderohet njëri ndër artistët më të rëndësishëm amerikan të gjysmës së dytë të shekullit XX. Veprat e tij eksplorojnë marrëdhënien mes shprehjes artistike, reklamës dhe kulturës së celebritetit që lulëzoi nga vitet ’60 dhe përfshinin një gamë të gjerë të mediumeve, përfshirë pikturën, skulpturën, fotografinë dhe fimbërjën

E enjte, 23 dhjetor 1976

Ndeja e Krishtlindjeve në zyre. Maxime de la Falaise erdhi vonë që të merrte një pikturë të Maos. Mike, i sipërmi, erdhi me ashensorin e ngarkesave me gruan dhe birin, po mbase ai është thjeshtri i tij, s’jam i sigurt. Ai është i lezetshëm. John Powers erdhi tek unë dhe më kërkoi të nënshkruaja dy posterë Lulesh që i ka ai, nuk ishin autentike, por sidoqoftë thjesht doja t’i nënshkruaja, por Fredi s’donte të më linte ta bëja këtë, kështu që i dhamë Johnit dy autorizime të nënshkruara mbrapa. Ronnie dhe Gigi ishin aty, të gjithë ishin dendur me kaviar dhe shampanjë. Marc Balet, drejtori artistik i Interview dhe Fran Lobowitz ishin aty.

Andrea Portago thirri pasdite dhe na tha se nëse ne mund të gjenim një biletë për të për premierën e A Star is Born, atëherë ajo do të marrë limuzinën, kështu që të gjithë bëmë atë që na kërkohej. S’e merrja dot me mend pse ajo donte të bënte gjithë këtë derisa shkuam në film dhe ajo vrapoi pas Kris Kristoffersonit dhe i tha, “Oh i dashur, sa mirë që po të shoh përsëri”. Sue Mengers ishte munduar të mbushte gjithë vendin. Kishin thënë se do të ishte goxha e vështirë të gjeje vend, por pastaj doli se kishin mbetur shumë karrige të zbrazëta. Sue i tha çdonjërit se duhej të thoshin se u kishte pëlqyer, përndryshe Barbra do të mërzitej. Mua s’më pëlqeu. Judy Garland i dikurshëm të bënte të rrëqetheshe, por kjo që pamë nuk kishte asgjë të bënte me rokënrolin. Po Jedit i pëlqeu. Pastaj shkuam në ndejën te Tavern on the Green.

Streisand kishte veshur një smoking të zi. Elsa Peretti ishte aty dhe po thoshte se si e mrekullueshme ishte të ishte me mua dhe të mos jetë asgjë, se nuk merrte me asgjë. E adhurova një llambë që e kishte në çantën e saj, një aso e vockël që ndizet kru ia avit një qindarkë afër dhe ajo ma dha mua dhe pastaj Victorit i pëlqeu kështu që ia dhashë atij dhe pastaj Elsa e pa ia mori Victorit dhe ma tundi gishtin dhe e futi në çantën e vet. Andrea rrinte ulur aty duke pritur që Kristoffersoni të ndërmendej për të, por ai ishte tepër i zënë.

E premte, 24 dhjetor

Me Jedin shkuam te darka e Krishtlindjeve te Fredi në 1342 Lexington. Vëllai i Jedit, Jay dhe motra e tij Susan na morën me vete. Fredi e kishte ftuar Carroll Bakerin dhe ajo ishte aty me vajzën e saj, Blanchen, që muajve të fundit ka nisur të bëhet shumë e bukur, po bëhet shtathollë. Anselmino, një nga tregtarët tanë italianë të artit, ishte aty dhe Chris Makos, fotografi i lezetshëm që e kemi takuar te Doston Rader dhe Robert Hayes, redaktor-asistent tek Interview dhe ishte një natë e Krishtlindjeve në zyrë.

Mick Jagger ishte aty dhe ishte në qejf të madh, më pyeti çka mendoja për A Star is Born dhe unë ia thashë dhe ai më tha se ishte shumë i lumtur që e kishte refuzuar, se nuk donte të luante një ish këngëtar roku bile as për milionin që ia kishin ofruar. Mick po kërkonte kokainë dhe në fund ia mora ca Ansleminos. Hazeli, shtëpiakja e Fredit, kishte përgatitur gjeldeti, proshutë dhe lakër Brukseli. Paloma Picasso dhe vardisësi i saj ishin aty.

Pastaj shkuam në qendër të qytetit te Fernando Sanchezi dhe Halstoni ishte aty dhe Kenny Jay Lane dhe Andre leon Talley dhe ai fëmija i ri anglez në qytet, përnjëmend i pasur, i cili “nuk ka para” – një nga ata – Nick Scott, që ofrotne t’ia shiste trupin e tij ofertuesit më të lartë. Kenny Lane ofroi 35 dollarë. Maxime de la Falaise e çoi në 36.

E shtunë, 25 dhjetor

Shkuam te Wetsbury te C.Z. Guest për drekë. Ishte një magazinë Krishtlindjesh – dekorimet dhe ushqimet dhe shtëpia ishin thjesht si një zgjatim i McCall ose House and Green, si do të duhej të dukej një shtëpi gjatë Krishtlindjeve. Por mund të mendoni se me të gjitha ato ndërhyrje nga C.Z,-ja me lule e kopshtime se ajo ka pasur një staf të vërtetë, por kur e shikon nga afër e kupton se kurorat dhe gjërat ishin gjysmë plastike. C.Z. ua dha të gjithëve nga një insekt të neveritshëm si dhuratë.

Nëntëdhjetëvjeçarja Kitty Miller ishte aty, ende vë lustër të kaltër këpucësh në flokë. Ëmbëlsirat ishin të mrekullueshme – mollë, mish të grirë dhe kumbull. Gjeldeti tashmë ishte prerë ashtu siç udhëzojnë revistat para se ta shërbesh në tavolinë, kështu që dukej si një Pazël Gjeldeti. Kitty ishte e dehur dhe kur ambasadori spanjoll i tha ca fjalë, ajo bërtiti, “Unë nuk flas spanjisht”.

Filloi të binte paksa borë. I falënderova dhe u nisa për në shtëpi që të përgatitesha për Jaggerët. Shkuam në East 66th dhe u ndreqa. Shkuam në East 72nd (taksi 2.50 dollarë). Ishim të parët që po mbërrinim. Nick Scott ishte te dera, duke punuar. Ishte puna që e kishte pranuar për të fituar para – duke u bërë kamerier i Jaggerëve. Veç se ai supozohej të mbërrinte aty në orën 8 të mëngjesit që të ndihmonte dhe ai nuk erdhi deri në orën 6 të pasdites. Ia dhashë Jadet një kotele të hirtë nga Rusty Holzer. E shikoi dhe tha, “’Lydia?’… Jo. Harriet”. U ndjeva keq për macen, megjithatë, ngase mendoj se do të përfundoj në ndonjë shtëpi të tmerrshme. S’e di.

Mick u ul afër Bob Colacellos dhe i vuri krahët përreth tij dhe ia ofroi një stimulues dhe Bobi tha, “Pse jo, jam bukur i lodhur”, dhe posa po bëhej gati ta merrte, erdhën Yoko dhe John Lennon Micku ishte shumë i entuziazmuar të takohej me ta sa vrapoi bashkë me lugën që kishte qenë duke ia vënë nën hundë Bobit, kështu që ia vuri John Lennonit.

Halston dhe Loulou de la Falaise vunë një mori stimuluesish në një enë të mbuluar në tavolinën e kafes dhe kur dikush që u pëlqente atyre ulej aty i thoshin, “Ngrije dhe merre një surprizë”. Paloma Picasso ishte aty. Jay Johnson e solli Delia Dohertyn. Darka ishte e tmerrshme. Megjithatë Micku dhe Bianca harruan ta nxirrnin desertin.

E hënë, 27 dhjetor

Mora ftesën për inaugurimin e presidentit Carter. Iu drejtohej (të qeshura) “Mr. Dhe Mrs. Andy Warhol”. A s’është e lezetshme?

E mërkurë, 29 dhjetor

Hoveyda e solli ambasadorin iranian në Angli në zyre, erdhën të shihnin portretin që i kam bërë perandoreshës dhe e pëlqyen, kështu që do të shitet. Vincent shkoi në seancën dëgjimore për pronën e Montaukut, në komisionin e zonave me ujë.

E premte, 31 dhjetor

Punova në zyrë deri në orën 7. Shkova në shtëpi të ndërrohesha për ndejën e Kitty Millerit. Eca deri te 500 Park. Fredi ishte aty. Elsie Woodward, partnerja ime te Kitty natën e fundit të Vitit të Ri, kishte thirrur dhe e kishte anuluar ardhjen, ngase po i merreshin mendtë dhe s’ia dilte dot të qetësohej – “Jam plakur”.

Princesha Minnie de Beauvau ishte aty dhe të atin dhe njerkën dhe motrën, Dianën. Më njohu me gjyshin e saj Antenor Patino, të cilin, e kuptova pastaj, e kisha takuar te C.Z. Guest’s. Është trupshkurtër. Duket si një nga ata të dashurit e vegjël të Paloma Picassos. Ai është mbreti konservë i Bolivisë.

E dëgjova nga larg Kittyn të më përshkruante para dikujt dhe ma mori mendja se dikush mund t’i ketë folur për mua, ngase ajo që po i thoshte ajo tingëllonte si diçka që dikush ia kishte thënë asaj – “Ai është njëri nga ata që janë më së largu Broadwayt dhe koka (të qeshura) më përpara kohës së vet”, e gjëra të tilla. Mbase ishte Billy Baldwin ose dikush i tillë që ia kishte thënë një gjë të tillë.

Më mungon shërbëtori i rregullt i Kittyt, ai që ishte përplasur me shërbëtoren e Diana Vreelandit. Ishte përjashtuar për shkak se ishte familjarizuar tepër, por unë përnjëmend e pëlqeja – ishte ai që më kishte thënë të shikoja ato historitë A.E. Coppard në Channel 13.

Pas darkës u ula përposh ‘Djalit të kuq’ të Goyas. Kitty e ka këtë pikturë të famshme pikërisht këtu në shtëpinë e saj, e pabesueshme.

Ndejat e Kittyt ishin gjëja më e rëndësishme në New York me çdo yll Hollywoodi në to dhe tash marrin pjesë në të vetëm miqtë e saj. Aileen Mehle – “Suzy” – as që RSPV (shkurtesë për: repondez s’il vous plait) këtë vit.

Diane de Beauvau më mori për dore dhe shkuam në dhomën tjetër pikërisht kur akrepat po tregonin mesnatën. Disi desha të qëndroj të puth thasët e vjetër siç kisha bërë vitin e kaluar ngase përnjëmend ishte një gjë bukur e lezetshme – të puthësh nëntëdhjetëvjeçaren Elsie Woodward dhe të thuash ‘Urime Viti i Ri, e dashur!’. Pastaj erdhi Minnie de Beauvau, e mori Dianën dhe i tha se duhej të kthehej t’i thoshte Urime Viti i Ri babait të tyre dhe njerkës – ngase ajo dinte si t’ua bënte qejfin.  

Ushqimi te Kitty – përsëri ato gjërat e konservuara të ftohta. Në fillim të shkon mendja se mbase këta njerëz të kamur nuk dinë asgjë më mirë, ngase kanë shkuar në darka bamirësie gjatë gjithë jetës së tyre, por pastaj shkojnë te La Grenouille, po ashtu, dhe aty ka përnjëmend ushqim të mirë. Pra duhet ta shohin dallimin. Dhe aty ishin gjashtë kamerierë që shërbenin ushqimin e konservuar.

Menjëherë pas mesnatës të gjithë ngarendën të kapnin kapotat e tyre, mezi po prisnin në shkonin në ndejën e radhës. Fredi ishte fort i dehur. Dolëm në rrugë dhe ai mendoi se ishte “Është Djaloshi” – ia dha Minniet kapotën e tij – faktori erë-ftohës bënte që temperatura të sillej rreth njëzet gradë nën zero – dhe ai ishte vetëm me kapelën e tij cilindër, duke e puthur çdonjërin në rrugë. E çuam Dianën te Westbury të merrte djaloshin e saj që kishte qëndruar në shtëpi të shkruante një skenar, por kur shkuam aty ai ishte cullak duke pritur ta qinte atë, kështu që e lamë aty.

Shkuam në shtëpi. E thirrëm Brigiden. Thirrëm PH. Askush nuk ishte në shtëpi ende. Në orën gjashtë të mëngjesit Jay Johnson më zgjoi më flisja me Jedin. Ishte i dehur dhe unë ia mbylla dhe ai thirri prapë dhe e la të cingëronte njëzet herë.

/Marrë nga ‘The Andy Warhol Diaries’, Warner Books, 1989

/Gazeta Express