Ditari i javës/ Alice Walker: 11- 18 korrik 1968 - Gazeta Express
string(45) "ditari-i-javes-alice-walker-11-18-korrik-1968"

Arte

Gazeta Express

10/10/2025 15:05

Ditari i javës/ Alice Walker: 11- 18 korrik 1968

Arte

Gazeta Express

10/10/2025 15:05

Alice Malsenior Tallulah-Kate Walker (1944), shkrimtare dhe aktiviste amerikane. Autorja e parë afro-amerikane që ka fituar Pulitzerin për fiksion, më 1982, për romanin e saj The Color Purple.

11 korrik 1968

Pas shumë muajsh të vramendjes se si unë, si një grua e martuar, mund të vazhdoj një ditar personal, gjeta përgjigjen (ma ha mendja), mbrëmë, krejt rastësisht. Dhe kjo ndodhi kur një person i tretë, një vajzë që e duam, i lëndoi ndjenjat e tim shoqi. Mandej e kuptova, duke ndier dhimbjen e tij, se ai është jeta ime personale dhe se mes nesh ka ndodhur lidhja e vërtetë. 

Ai ishte prekur ngase Barbara1, mikja jonë më e afërt, ende e përshëndet atë në thelb si të bardhë. Ma merr mendja se jam personi i vetëm zezak që nuk e bën atë gjë. Në të vërtetë, ne jemi dy qenie të fundosura në ishullin amerikan, dy veta kundër botëve të zezakëve dhe të të bardhëve, por sa të fortë e bën kjo dashurinë tonë! Ma kujton poezinë e Voznesenskit rreth të dashuruarve të shtypur që bëhen si dy guaska që mbyllin dhimbjen e tyre, por po ashtu edhe gëzimin e tyre të fuqishëm, duke qenë se zotat ua kanë lejuar një emocion kaq madhështor, pothuajse heroik.

Sa e mërzitshme do të kishte me qenë jeta ime si grua predikuesi!

Tash që e kam parë se zëri im është mjaftueshëm i madh, me raste, për dy veta, kam shumë gjëra për të shkruar, për të cilat nuk mund të shkruaja më herët. Ka një armiqësi në rritje e zezakëve në Jackson ndaj të bardhëve – por jo ndaj mburravecëve të bardhë të Misisipit që e meritojnë, por ndaj punëtorëve të bardhë të të drejtave civile që për mendimin tim nuk e meritojnë.

Po mendoj tash për atë se si koka e Ronniet ishte çarë nga një djalë i ri atje në Bolivar. Ronnie2! Të cilit i kishte rënë bretku çdo verë në Misisipi duke i çuar zezakët te kutitë e votimeve – ngase është i bardhë dhe djaloshi zezak e dinte se ai nuk do të përleshej me të dhe nuk do ta thërriste policinë! Është shumë e padrejtë. Pastaj i shkreti Ted Seaver, të cilin e kishin bërë fërtele ngase ishte organizator më efektiv se sa “miqtë” e tij zezakë. Pastaj kemi atë zezakun nga Bostoni, që kishte lënë familjen që të vinte të punonte në Misisipi (gruan, fëmijët; pse nuk “punonte” në Roxbury, ka nevojë po aq sa Mount Bayou?), i cili kishte kërcënuar ta rrihte tim shoq? Po të kishte vënë dorë mbi të, do ta kisha dashur ta vrisja dhe s’ka asnjë mëdyshje se do të doja që Meli ta padiste. Kur është boll është boll! Për aq sa më lejohet, për aq sa Meli punon që ta bëjë këtë botë më të mirë, ai nuk fajtor për asgjë. Dhe natyrisht, për mua s’ka njerëz të bardhë, vetëm mendje të bardha. Malcolmi na e mësonte këtë, dyshoj nëse Baldwini e kishte këtë krejt të qartë. Si mund të jetë i bardhë im shoq kur ne së toku po mundohemi ta bëjmë botën të gatshme për bebet tona bojë kafe, miqtë tonë që kanë ngjyra të ndryshme të jashtme, për zezakë nga zgjedhja e tyre?

Barbara nuk pajtohej me besimin e Melit në zotësinë e këtij vendi që të shtypte çdo kryengritje zezake. Por ajo dhe unë kemi thënë të njëjtën gjë, kemi bërë të njëjtën vërejtje të zymtë. Megjithatë, pas gjithë kësaj kohe ajo prapë preket ta dëgjojë atë të thotë se është i bardhë. Dhe megjithëse është e lehtë të kuptosh zemëratën e saj, ne jemi tepër të lënduar – ngase mendonim se në mesin e rrethit tonë të vogël të miqve e kishim shfuqizuar konceptin e ngjyrës të bazuar vetëm në ngjyrën e lëkurës.

15 korrik

Është shumë më shumë e vështirë të trajnosh Andrewn se sa Myshkinin. Andrew është po ashtu më nervoz, tepër i tendosur. Ai kafshon më shumë dhe dhëmbët e tij janë sigurisht më të mprehtë. Por po bëhet një qen i madh i shëndetshëm dhe jemi të kënaqur po mund të arrijë dy paundë në katër ditë. Kemi dy javë që e kemi marrë.

Sa e çuditshme është – jam duke pasur probleme me të shkruarit ndershmërisht dhe mirë. A mos është për shkak të asaj se mora guximin t’i thosha Melit ndoshta një ditë do ta botoj këtë ditar? Dhe pastaj se gjërat që vërtet më kanë tronditur – vdekja e Dr. Kingut, vdekja e Bobby Kennedyt3 – nuk po arrij t’i vë në ndonjë formë letrare. Nuk po mund të shkruaj më një poezi për Kingun, është si të vallëzoja mbi varrin e tij. Kjo s’do mend flet goxha për poezinë time. Besoj se është ironike, shumë më satirike, e prirë më tepër kah ajo që nuk e kishte në mendje Dr. Kingu. Ai kishte nevojë për poezinë e Tennysonit, Matthew Arnoldit, poezinë e tyre të thellë, të ngadaltë dhe alegorike – siç kishte bërë Kennedy, çuditërisht – dhe ndoshta, nga ana tjetër, Robert Browningut.

Pyetem nëse ecja përgjatë atyre miljeve me Kungun ishte shkaktari i humbjes së bebes sime – apo ishte tributi im për burrin që e kishte bërë jetën time të durueshme? Qesharake atëherë se si unë nuk mund të përballem me mendimin që të sjell në dritë një fëmijë në një botë ku Dr. Kingu nuk jeton më. Sa herë i kam thënë Melit, “Do të qëndroj këtu – e kam fjalën për vendin – aq sa do të mund të qëndrojë ai.” Pas kësaj, rrasja. Dhe tash po ndiej më shumë se kurrë kotësinë e qëndrimit këtu, dhe prapë, ku mund të shkojë njeriu? Sa e domosdoshme është për “liderët” tonë t’i gjejnë përgjigje vetëm kësaj pyetjeje. Integrimi çon te asimilimi – të gjithë bëhen të sjellshëm, edhe pse tepër të kafenjtë – kjo është e neveritshme! Por as separatizmi nuk do të funksionojë – dhe veç kësaj, është ndonjëri i gatshëm t’ia besojë jetën e vet një fundi të mundshëm me vdekje? Jo, pa fijen e dyshimit!

Mjerimi shpesh na bën ta dimë çka besojmë. Pra, çka ne të dy besojmë dhe pas së cilës do të jepemi.

Kam menduar për James Baldwinin dhe më duhet t’i shkruaj një letër. Dikush e do atë, dikush tjetër adhuron librin e Ellisonit4, pra atë. Të kaloj një natë me Baldwinin do të ishte magjepsëse, mbase vetëm duke e shikuar të flejë, ose, para fjetjes, t’ia laj dhëmbët, t’ia fërkoj ata sy të mëdhenj me dorë. Një natë me Ellisonin me gjasë do të ishte si një ditë e një burri çfarëdo dhe gruas së tij që kanë një pamje nga dritarja e tyre në lumin Hudson.

Sapo hasa në një fjalë të mrekullueshme – adamantine. Ka kuptimin i fortë, që nuk mund të thyhet, si diamanti.

Sa e rëndë është kjo punë dhe jetë shoqërore për Melin! Emri i dikujt tjetër në veprën e tij, një burrë në moshë i ligë e mban larg lojës së pokerit dhe golfit! Nuk i besojnë dhe nuk e duan si burrë të bardhë, siç bën Barbara, dhe njëmend nuk ua zë për të madhe. Si do të mundesha? Kur unë kam gjithë atë mosbesim të fituar ndaj të bardhëve përveç atij që e kam zgjedhur në mesin e të tjerëve dhe përnjëmend pas një respekti të madh të standardeve të anës së tyre.

Çështja e racës (a mundet dikush ta quajë “çështje” shkakun e gjithë asaj dhimbjeje dhe gjaku?); po sidoqoftë, na i ka prishur gjithë shpirtrat tonë këtu në Amerikë. Nuk kemi shpirtra të ëmbël më, po qe nevoja, kurrë s’i kemi pasur.

Ka aq shumë zemërim në mua ndaj çdonjërit që qoftë edhe prej së largu lëndon tim shoq. Çfarë ndjesie e çuditshme dhe e mrekullueshme të jem si mama për djalin e saj. Ma thyen zemrën kur ai është i lënduar, ose trishtuar. Është thua se një barrë e padurueshme më ka shtypur derisa ta shoh atë të buzëqeshë dhe të mund të besoj se është mirë…

Dhe tash jemi të zotët e shtëpisë sonë. Për një kohë shumë të shkurtër, sigurisht. Dhe nëse certifikuesi thërret para se unë të certifikohem si shtatzënë, çka do të bëjmë? Të shkojmë në Kanada? Melit nuk i pëlqen të largohemi, çka është arsyeja, ma merr mendja, pse jemi këtu në Misisipi. E urrej këtë vend, kjo do të thotë se duhet të largohemi. O Zot, dhe unë e di se krejt kjo është hipokrizi – e di se keni ndihur mamanë time – na mbaj të bashkuar. Nuk ma ndien ku do të shkojmë, për aq sa jemi bashkë.

Po të ishim në Jug – qoftë edhe në Atlanta – do të isha në shkollë. Një person dembel duhet të ketë një mori diplomash që t’u bëjë përshtypje dembelëve të tjerë, por njerëzve efektshmërisht burokratikë. Qoftë edhe Jackson State, ai vend ku të ikurit e edukuar janë të rrallë, ka fytyrë të kërkojë kredenciale që duken mirë në katalogun e tyre. Nuk ua zë për të madhe, po mundohen të ngritin lart shkollën e tyre, edukimin e tyre, dhe ende nuk e dinë ende ku duhet t’ia nisin, jo në kolegj, por vendin krucial ku spermatozoidi has në vezë.

***

Nuk ka asgjë më dëshpëruese për mua se sa mendimi të kem një punë. Çka duhet të bëje atje, në jetën funksionale?

Jam e obsesionuar me idenë e shkrimit të romanit të ardhshëm rreth tetë zonjave post-Spelman (hiç titull i keq!). Duke e bërë të sillet rreth Vetëvrasjes së një vajze amerikane. Tetë gra, tetë personazhe njëmend të ndryshme, prapavijat e tyre, dashuritë, etj. Të zbuluara rrugës së tyre për në funeralin e Anës.

Mund të jetë një studim bazik i llojeve të grave zezake.

Lënesha frigjide, e frustruar

Revolucionarja që i urren të bardhët, i do të bardhët

Kthimi në Afrikë – Ana

Shtëpiakja e bukur e pasur

Njëra në bursën e Finlandës

Borgjezja jugore

Gruaja hipi veriore e tmerruar nga analfabetizmi studentëve të kolegjit Spelman

Aktorja që zgjedh Parisin

18 korrik

Jam e mahnitur me veten. Edhe njëherë po nxehem të shkruaj. Sa e pabesueshme në njëfarë mënyre është të kesh etje për penë dhe letër, t’ia kesh nevojën, si të ishin ujë…

Të bësh një jorgan në mënyrën e vjetër, “duke bërë bashkë copat”. Vras mendjen nëse do të befasohej mamaja. Kurrë s’e kam çarë kokën për punët e shtëpisë. Por të bësh një jorgan nuk është punë shtëpie. Është art, krijim, sajim. Dhe kursen para ndërkohë që i mban larg shtratit Searsin dhe Roebuckun.

Fqinja ime mendon se jam e zgjuar. Unë! Dhe mund ta shoh se si lodh mendjen të kuptojë pse e trajtoj Andrewn si të ishte fëmijë. Ata besojnë, e qartë, se njeriu duhet të trajtojë qenin e vet si zezak. Mjerë ne, si e transmetojmë mizorinë. Por puna e Andrew do të jetë të më mbrojë mua dhe në Misisipi veç Andrew dhe burri im i dashur do të bëjnë këtë.

Një letër me postë speciale nga Biblioteka e Kongresit. E mahnitshme. Duan të dinë këtë e atë rreth të DIKURSHMES, që të mund të përgatisin kartelat e katalogut. Do të jem në bibliotekë! Sa eksituese. Shumë më eksituese se sa çdo gjë tjetër që ka dalë në shesh përkitazi me librin.

Ndihem shumë çuditshëm, përnjëmend njerëzit më mërzisin. Pothuajse të gjithë njerëzit. Kam filluar të kuptoj pse Muriel5 (Rukeyser?) njëherë ka thënë se e urrente të jepte mësim në Sarah Lawrence. Duhet të ndihemi të lirë aq sa është e mundshme nga mendjet e tjera që aludojnë në, sondojnë atë të veten. Nevoja ime për privatësi duket pothuajse paranoike. Por unë i gëzohem pranisë së njerëzve, me raste…

Ma ka ëndja t’i dua njerëzit në mënyrë ët tepruar, siç e dua Baldwinin. Dhe Baldwini, i cili thjesht po mundohet të jetojë, mund të bëjë të njëjtën në një kështjellë, me një hendek ujor dhe një duzinë shërbëtorësh. Do të dalldisesha nëse kjo gjë do ta bënte atë të lumtur. Se ai identifikohet me të varfrit në shpirt, do të thotë me çdonjërin të përfshirë në gjendjen njerëzore…

Jam e mërzitur, mendoj, duke parë fjalët zezak, i bardhë, negro, me ngjyrë. Dhe a nuk është e trishtë që syri im mund të shquajë “Negro” në një faqe gazete pa qenë në gjendje të shohë asnjë fjalë tjetër të vetme?

Shënime:

1 Barbara Greene ka punuar në zyrën e Mel Leventhalit dhe ishte bërë mike e afërt e çiftit.

2 Një i ri hebre që kishte udhëtuar për në Jug që të punonte në lëvizjen për të drejtat civile.

3 Martin Luther King Jr., lideri i të Drejtave Civile, ishte vrarë më 4 prill 1968. Kandidati presidencial Robert F. Kennedy ishte qëlluar më 5 qershor 1968 dhe kishte vdekur të nesërmen.

4 I referohet romanit Invisible Man, të Ralph Ellisonit.

5 Muriel Rukeyser ishte poete dhe aktiviste e drejtësisë sociale; kishte punuar në kolegjin Sarah Lawrence gjatë kohës sa Alice Walker ishte studente atje.

/Marrë nga Gathering Blossoms Under Fire – The Journals of Alice Walker 1965 – 2000, Simon & Schuster, 2022

/Përkthimi Gazeta Express