Dimitrieska-Koçoska: Rritja ekonomike sot është falë sektorit privat - Gazeta Express
string(67) "dimitrieska-kocoska-rritja-ekonomike-sot-eshte-fale-sektorit-privat"

Maqedoni

Gazeta Express

25/09/2025 11:44

Dimitrieska-Koçoska: Rritja ekonomike sot është falë sektorit privat

Maqedoni

Gazeta Express

25/09/2025 11:44

Treguesit ekonomikë në sektorë të caktuar më në fund po tregojnë rezultate pozitive. Më gëzon fakti që pas një kohe të gjatë, të dhënat e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) tregojnë se sektori privat është nxitësi kryesor i rritjes ekonomike në vendin tonë, me një pjesëmarrje veçanërisht të theksuar në ndërtimtari dhe bujqësi. Kjo u theksua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska e ftuar në “Biznes21” në TV21, duke nënvizuar aspektin se sot, rritja nuk varet nga konsumi publik, por nga aktivitetet dhe investimet e kompanive private.

“Më shumë më inkurajon fakti që sektori privat po krijon mundësi të reja, duke investuar në zhvillim dhe duke stimuluar produktivitetin e ekonomisë. Ndërtimtaria po shënon rritje të dukshme, e cila ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e infrastrukturës, ndërsa bujqësia, pas shumë vitesh me rezultate negative, po tregon dinamikë pozitive gjatë dy tremujorëve të fundit. Ky është tregues i qartë se jemi në rrugën e duhur dhe se po arrijmë rezultate në përputhje me atë që kemi planifikuar si Qeveri”, potencoi ministrja.

Ministrja shtoi se, pavarësisht sfidave në sektorin publik dhe kufizimeve të tregut, kompanitë private vazhdojnë ta stimulojnë ekonominë, duke kontribuar në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e produktit të brendshëm bruto. “Më shumë më gëzon fakti që rritja aktualisht  gjenerohet nga sektori privat, i cili është shtytësi i ekonomisë e jo nga konsumi publik, siç ishte rasti në të kaluarën”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Ministrja theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për të krijuar kushte për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit privat.

“Ne do të vazhdojmë të krijojmë mjedis afarist, të kontribuojmë në investime, inovacione dhe vende të reja pune, si dhe ta ruajmë nivelin e disiplinës fiskale. Sektori privat, veçanërisht ndërtimtaria dhe bujqësia, tregojnë se janë nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike dhe ne do të vazhdojmë t’i përkrahim ato me masa dhe strategji konkrete”, nënvizoi ajo.

“Ne presim që kjo dinamikë pozitive të vazhdojë në tremujorët në vijim dhe Qeveria të vazhdojë me fokusin e saj drejt përforcimit të themeleve ekonomike, përkrahjes së bizneseve dhe krijimit të klimës së favorshme të investimeve”, konkludoi ministrja e Financave, duke shtuar se këto të dhëna për sektorin privat janë reflektim i përkrahjes që morën kompanitë nga kredia hungareze e cila realizohet përmes Bankës Zhvillimore.