Dilemat rreth stadiumit kombëtar dhe imazhi futbollit të Kosovës (PJESA II) - Gazeta Express
string(73) "dilemat-rreth-stadiumit-kombetar-dhe-imazhi-futbollit-te-kosoves-pjesa-ii"

Dilemat rreth stadiumit kombëtar dhe imazhi futbollit të Kosovës (PJESA II)

Gazeta Express

21/08/2020 15:23

Pavarësisht shumë të arriturave, edhe 4 vjet pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, FFK ka dështuar në adresimin e duhur të disa nga aspekteve më thelbësore të futbollit të Kosovës, më saktësisht zgjidhjen e dilemës së shtëpisë së “Dardanëve”, krijimin e një identiteti autentik të kombëtares së Kosovës dhe krijimin e kushteve për garë të mirëfilltë sportive në ligat e futbollit në Kosovë.

Shkruajnë: Gëzim Krasniqi, Shpend Thaçi

Lexo Edhe:

Sa i përket stadiumit, përveç mangësive të shumta në planin hapësinor e arkitektonik, që janë shndërruar në normalitet tashmë, nisma për ndërtimin e stadiumit në afërsi të Drenasit mund të konsiderohet një aventurë pa asnjë përmbajtje dhe planifikim meritor. 

Shpenzimet kapitale, si ai i ndërtimit të stadiumit kombëtar, do duhej të shoqëroheshin me një varg studimesh përcjellëse, ku do të përfshiheshin edhe sfera të tjera, si infrastruktura, komunikacioni rrugor, llogaritje lidhur me transportin publilk e privat, kohën dhe qasjen e arritjes në lokacion. Pa e përmendur pjesën tjetër të domosdoshme, si hapësirat rekreative, se ku mund të pushojnë tifozët para hyrjes në stadium dhe pasi të dalin nga aty. 

Problemi nuk qëndron tek fakti që zona e cila ishte përzgjedhur për t’u ndërtuar stadiumi kombëtar është periferi apo, larg qoftë, të ketë tendencë averzive ndaj një komune apo rajoni të caktuar. Thjesht, shpenzimet milionëshe nuk ka kushte t’i ofrojë tani për tani ai lokacion i përzgjedhur nga njëra prej qeverive të kaluara.

Duke pasur parasysh një seri detajesh, mund të arrihet lehtësisht në konkludim që nuk ka zgjidhje të ndërmjetme sot për sot, përveç insistimit serioz për zgjerimin e stadiumit “Fadil Vokrri”. Edhe ashtu kemi filluar të identifikohemi me atë stadium si kombëtare, jo që në tërësi në aspektin futbollistik s’ishim identifikuar edhe më herët, kur jehona e revoltës socio-politike në ish-Jugosllavi ndaj masave dhe shtypjes së ish-regjimit të atëhershëm, bënin që stadiumi i kryeqytetit të ishte katalizator i një dufi njerëzish që me anë të golave dhe sukseseve të gjeneratës së artë të Prishtinës transmetonin shenja shprese në një ambient të zymtë që Kosovën e rrethonte atëbotë.

Për më tepër nuk jemi shteti as i parë dhe as i fundit që zgjedhim të mos investojmë në stadiume kombëtare. Shtete si Italia, Spanja dhe shumë të tjera, vijojnë që ndeshjet e kombëtareve të tyre t’i luajnë në stadiume të ndryshme të qyteteve dhe klubeve respektive.

Tani dikush mund të thotë që ato megjithatë ata kanë kapacitete stadiumesh të larta. Kjo tezë edhe qëndron, mirëpo duke pasur parasysh që ne kemi 4-6 ndeshje të kombëtares në shtëpi gjatë vitit, me një rinovim të mirëmenduar që do të parashihte zgjerimin efektiv të tribunave të stadiumit “Fadil Vokrri” deri në 20.000/25.000 ulëse, do zgjerohej kapaciteti mjaftueshëm për të përballuar nevojat e tifozëve.

Tekefundit nuk duhen ezauruaur të gjitha energjitë në atë pjesë. Zgjidhje më të shpejtë dhe më konkrete kërkojnë impiantet rezervë apo ato që do të shfrytëzoheshin nga grupmoshat e reja. Thënë shkurt dhe thjeshtë, jemi në prag të vjeshtës. Terminet e kombëtares A dhe U-21 janë të përcaktuar nga UEFA se kur do të zhvillohen ndeshjet e tyre. Ajo çka vihet re është se do të ketë kohë 48 orë për ndeshjet e kombëtares A dhe U-21 që t’i zhvillojnë në po të njëjtin stadium: “Fadil Vokrri”.

Çka nëse telenovela e radhës e rinovimit të stadiumit ‘Adem Jashari’ nuk përfundon me kohë? Ku do t’i dërgojmë lojtarët e kombëtares së shpresave (U-21)? Në Shkodër? Dikund jashtë vendit? Ku do ta presim Anglinë U-21, nëse edhe kombëtarja A pas 48 orëve në po të njëjtin stadium e pret Greqinë? As bari, as impianti në përgjithësi i stadiumit “Fadil Vokrri” nuk e përballon atë mbingarkesë. Këtë e dijnë të gjithë shumë mirë.

Para se të flitet për stadium kombëtar, neve na pret një ortek punësh shtëpiake të ngelura për vjet me radhë pezull. Prishtina, kryeqytet në kontinentin evropian, akoma vazhdon të jetë pa fusha ndihmëse. Pa një qendër të mirëfilltë stërvitore qoftë për kombëtaren apo edhe vet për klubin e qytetit, FC Prishtina.

Hiç stërvitjen e fundit që shumë ekipe dhe kombëtare nganjëherë e përdorin për ta zhvilluar në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja të nesërmen, stërvitjet e ditëve tjera në kushte normale nuk do të duhej assesi që të mbaheshin në atë vend. Ne në pamundësi të alternativave, stadiumin “Fadil Vokrri” e improvizojmë edhe si qendër stërvitore. Mirëpo, kjo duhet të ishte zgjidhje e përkohshme dhe jo të na zinte viti i radhës në të njëjtën “status-quo”.

Kur punët bazike t’i kemi rregulluar dhe kur grupmoshave të reja t’u ofrojmë kushte për stërvitje normale dhe jo t’i endim herë në fushën e KF Flamurtarit, herë në atë të Kastriotit apo në atë të KF 2 Korrikut, tek mandej mund të flasim për investime kapitale. Megjithatë, si mund të planifikosh impiant sportiv kombëtar grotesk kur themelin e infrastrukturës elementare e ke të parrumbullaksuar?

Imazhi dhe marketingu

Krahas ndikimit që ka në aspekte profesionale dhe identifikuese, futbolli modern është edhe produkt marketingu. Pra, imazhi dhe marketingu janë ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën. S’ka imazh të mirë pa marketing profesional dhe anasjelltas.

Fatkeqësisht, është bindje e shumë sportdashësve që FFK dhe kombëtarja e Kosovës çalojnë në rrafshin e marketingut. Ky është një dimension shumë i rëndësishëm në të cilin FFK duhet të investojë me mjete dhe ekspertizë.

Kësisoj, sfidë prioritare mbetet zhvillimi i një ueb faqeje profesionale. Sektori i IT-së në Kosovë është jashtëzakonisht i zhvilluar për standarde të rajonit dhe Kosova ka sot popullatën më aktive në internet. Pra, është jetike që FFK të ketë një sajt profesional, jo vetëm si dizajn, por edhe në përmbajtje (lajmet, fotot, videot).

Këto mund të arrihen vetëm me themelim të një sektori të veçantë për marketing dhe komunikim me njerëz të rinj dhe profesionistë në fushat përkatëse. Është me rëndësi të ndahen mjete shtesë për të investuar në imazhin e FFK-së dhe të futbollit kosovar në përgjithësi. Është për keqardhje që sajti i FFK-së nuk përmban statistika për kombëtaren, video-intervista apo përmbledhje të ndeshjeve të kombëtares. Është shumë me rëndësi që përmbajtësisht dhe estetikisht këto materiale të jenë sa më profesionale.

Madje, aty mungojnë shpeshherë edhe rezultatet apo kalendari i ndeshjeve të futbollit të vashave në nivel klubesh, ku nuk pasqyrohen fare ato.

Paralelisht, FFK duhet urgjentisht të fokusohet në themelim të fan shop-eve online dhe atyre fizike. Kjo është një mundësi e mirë për shtrirje të ndikimit përmes ofrimit të rekuizitave sportive dhe në të njëjtën kohë sigurimit të fitimeve shtesë. Është me rëndësi të hapen dyqane të FFK-së në qendrat kryesore në Kosovë dhe po ashtu në një hapësirë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (që mbetet porta kryesore e hyrjes në Kosovë për diasporën dhe vizitorët e huaj), ku ofrohen produkte të ndryshme duke u nisur nga fanellat, shallat dhe rekuizitat tjera. 

Investimi në imazh dhe në marketing ka efekt potencial edhe në fushatën e FFK-së për të sjellur talentë të ri të futbollit në kombëtare. Eventualisht, disa nga materialet reklamuese (katalogë me të dhëna për historikun dhe arritjet e kombëtares) apo video promocionale mund të përdoren edhe si pjesë e një “dosje” fizike (materiale të shtypura digjitale në DvD), që mund të përdoret si pjesë e fushatës për rekrutim të futbollistëve të rinj gjatë takimit me ta dhe familjarët e tyre.

Këtu vlen të përmendet edhe mungesa e strategjisë për të ndërtuar një identitet autentik të kombëtares së Kosovës. Kombëtarja e Kosovës në futboll për një kohë shumë të shkurtër ka arritur të bëhet simbol i shpresave për popullatën e gjerë dhe element thelbësor identifikues për qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit. Pra, ndikimi i saj nuk matet vetëm në rrafshin sportiv, por edhe në atë politik dhe kombëtar. Ajo është bërë element shumë me rëndësi për ngjizje të dashurisë për vendin dhe simbolet e tij për gjeneratat e reja.

Në këtë kontekst, është shumë me rëndësi që FFK, në bashkëpunim me akterë të ndryshëm si Dardanët, komuniteti i artistëve, ekspertë të marketingut dhe dashamirë të tjerë të futbollit, të fillojë një konsultim të thellë që synon të identifikojë dhe projektojë identitetin autentik të kombëtares së Kosovës.

Në rend të parë këtu mendohet në përmbajtjen dhe dukjen e fanellave të kombëtares, por edhe të elementeve të tjera që përdoren për koreografi sportive, si: flamujt, shalla, slogane/banerë, himni dhe të tjera. Nëse deri më tash për arsye të urgjencës fanellat e kombëtares janë prodhuar në shpejtësi dhe pa ndonjë diskutim të gjerë, është me rëndësi që sidomos në rast të kualifikimit për në “Euro 2020”, por edhe për kampanjat në vazhdim, të vendosen disa kritere bazë që fanellat duhet të përmbajnë në të ardhmen.

Për shembull, asnjë nga fanellat deri më tash nuk ka përmbajtur ngjyrën e artë që mbulon hartën e Kosovës në flamur. Fatkeqësisht, ajo është zëvendësuar me të verdhën (në variante të ndryshme). E verdha përdoret nga disa kombëtare në Evropë (Bosnja, Rumania, Ukraina, Suedia etj). Pra, ajo s’paraqet asgjë autentike në rastin e Kosovës.

Do të ishte mirë të diskutohet më gjerë edhe me ekspertë të fushave të ndryshme për elementet themelore që duhet të përmbajë fanella. Përdorimi i ngjyrës së artë si bazë për fanellën e parë është mundësi për të krijuar diçka autentike. Po ashtu, duhet të diskutohet lidhur me ngjyrën e kaltër, më konkretisht variantet e ndryshme që mund të përdoren. Është me rëndësi që të gjinden kombinime që e bëjnë fanellën autentike.

Kur diskutohet për elementet përbërëse të fanellës, duhet pasur parasysh faktin që në praktikë jo të gjitha shtetet përdorin fanella me ngjyra të flamujve përkatës (p.sh rasti i Japonisë, Italisë apo Gjermanisë). Për shembull, mund të gjindet ndonjë kombinim mes ngjyrës vjollcë (në vend të ngjyrës së kaltër) me të artën ose të bardhën.

Në vend sesa të inkorporohen elementet ekzistuese të flamurit (i.e. yjet apo harta e Kosovës) pa ndonjë konceptim adekuat në fanella, duhet të mendohet më përmbajtësisht se çka përfaqësojnë ngjyra të ndryshme në rastin e Kosovës. Për shembull, a ia vlen të mendohet për përdorim të ngjyrës së artë, ngjyrë argjendi dhe ngjyrë të zezë si simbolizim i pasurive nëntokësore të Kosovës: ari, argjend dhe thëngjill?

Apo, mund të mendohen dizajne origjinale që e transformojnë hartën në formë gjeometrike të diamantit apo rombit, duke e inkorporuar atë në fanellë në formë te vijave apo kornizës. Çfarëdo që vendoset në konsultim me ekspertët, është me rëndësi që ato elemente të përdoren në vazhdimësi, në mënyrë koherente, por edhe në rekuizita përcjellëse.

Me pak fjalë, imazhi dhe marketingu nuk janë thjesht çështje simbolike. Në botën digjitale ato janë thelbësore për suksesin e cilido institucion dhe organizatë. Në krahasim me aspektet tjera të organizimit, siç është infrastruktura sportive, imazhi dhe marketingu kërkojnë shumë më pak shpenzime dhe kohë. E tëra që nevojitet është një strategji e qartë, buxhet solid dhe një ekip profesional dhe kreativ.

Nuk duhet kapërcyer pa u përmendur edhe çështja e përzgjedhjes së logos.

Logo e FFK-së nuk është një logo që i takon vetëm federatës. Ajo njëherazi shndërrohet në simbol të shtetit dhe ikonografisë së tifozërisë. Përzgjedhja e logos (kësaj aktuale) la shumë për të dëshiruar. Prej parregullësive në lidhje me konflikt interesi të shefes së marketingut të FFK-së (siç është aluduar të paktën nga disa njerëz të ndryshëm) e deri te shprehja masive e pakënaqësisë për dizajnin e përzgjedhur nga tifozëria në rrjetet sociale.

Thënë troç dhe sinqerisht, logoja e përzgjedhur ishte skicë, ide dhe e papërfunduar teknikisht. Andaj si e tillë ishte jo-adekuate dhe nën nivel të një kompanie, lërë më të një shteti evropian.

Arsyetimet në mbrojtje të përzgjedhjes së logos nga FFK në një moment frustrimi shkaktuar nga protestat e tifozëve para selisë së federatës, ishte se “është punë e jona e brendshme dhe nuk i japim llogari askujt”. 

Në teori ata kishin të drejtë, sepse FFK “në letër” është OJQ. Por, në praktikë nuk është ashtu. Sepse nuk ka OJQ tjetër në Kosovë që i ndërtohen objekte me para publike (stadiumet) apo i jipet pa kompenzim toka publike për ndërtime infrastrukturore.

Pra, në praktikë FFK është OJQ-ja më e rëndësishme e Kosovës dhe si e tillë e ka përkrahjen popullore, por edhe kritikën e madhe kur bën përzgjedhje të këqija (si rasti i logos) që afektojnë shumë më shumë se dizajni i logos së vet shtetit.

Andaj, në përzgjedhjen e logos së re, që besojmë do të ndodhë së shpejti, duhet të kemi një proces të mirë e transparent, përfshirje të gjërë të profesionistëve të lamive të ndryshme, nga futbolli, dizajni, artet, historia, sociologjia dhe gjithsesi tifozëria. 

Futbolli vendor: ngarendje për sukses e përfitime afatshkurtra apo strategji afatgjate që investon në talente të reja?

Organizimi i kampionatit të Kosovës ende lë shumë për të dëshiruar. Jemi dëshmitarë të një çrregullësie të pashoq që e kaploi sezonin e fundit që lëmë pas, me tolerime dhe dyshime për fiksim rezultatesh, aleanca mes klubesh dhe shfaqjeve histerike në fushë, ku disa skuadra duke përdorur lojtarët e rinj, duke i shfrytëzuar në marrëzirat e matematikave të tyre, ia dilnin t’i arrinin objektivat e ulëta që ia kishin parashtruar vetës.

Megjithatë, derisa komisionet kompetente brenda federatës dhe zyra e hetuesisë nuk iniciojnë masa serioze, ligjërisht këto mbesin në “sirtar të memories kolektive” vetëm si kujtim i hidhur, por që në fund verdikti del i njëjti, sikurse në dy dekadat e fundit: të gjithë të pafajshëm. Ecim tutje me pretekstin që “mos t’i bëjmë dëme ndokujt”. Të pavetëdijshëm që heshtja i bën dëm vet interesit të futbollit të Kosovës dhe neglizhenca për t’i hetuar këto re të zeza që e mbulojnë futbollin tonë, veçmas në 10 xhirot e fundit para se të përfundojë kampionati, vetëm se ia ulë besueshmërinë këtij produkti, që ashtu-kështu e ka në pikën më të ulët që prej kontestimit të titullit të KF Hysit, viti 2011. 

Në shumë vende të botës prokuroria nuk pret dosjet voluminoze nga agjencitë e huaja që vëzhgojnë trendin e koefiçientëve të basteve, por iniciojnë vet zbardhjen e rasteve. Ndërsa ne, nëse vazhdojmë kështu dhe ndjekim modelin e shëmtuar, atë të FSHF-së dhe kampionatit shqiptar, ku gjithçka për vite me radhë heshtej dhe asgjë nuk hetohej, në fund rrezikojmë ta pësojmë mu njëjtë si ata: me pranim dojsesh nga ndonjë “sport radar” dhe të dalim “offside”, në pozitë jashtëloje, me maksimizim dënimesh. Dënimi drastik i shqiptuar ndaj Skënderbeut, një ekip që ka dominuar futbollin në Shqipëri për thuajse një dekadë, duhet të jetë këmbanë alarmi për FFK-në dhe institucionet relevante. Tekefundit, edhe pse FFK mund edhe të mbyllë sytë përballë fenomeneve të tilla të shëmtuara që dëmtojnë imazhin e futbollit dhe shkatërrojnë të ardhmen e gjeneratave të reja në emër të “ruajtjes së stabilitetit dhe balancave” në mes të grupeve të interesit në futbollin kosovar, instancat përgjegjëse ndërkombëtare janë të pamëshirshme ndaj fenomeneve të tilla. S’është çudi pastaj të dëgjojmë justifikime patetike akterësh (e njëherit profiterësh) të papërgjegjshëm se gjoja FIFA na diskriminon “vetëm pse jemi shqiptarë”.

Thyerja e izolimit dhe mundësitë e mëdha, përfshirë shpërblimet e majme për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare, e ka bërë futbollin kosovar tepër atraktiv për shumë individë dhe investitorë, ku fatkeqësisht, jo të gjithë kanë qëllime sportive. Fatkeqësisht, kohët e fundit jemi dëshmitarë të individëve në futbollin kosovar që në të njëjtën kohë bëjnë rolin e Presidentit, trajnerit, zëdhënësit, analistit e ekspertit të referimit, duke importuar kështu modelin më të keq të mundshëm të “Presidentëve gangsterë”. Është thelbësore që FFK të rrisë profesionalizmin e organeve të saj dhe të tregohet e pamëshirshme përballë cilësdo dukuri negative që do dëmtonte të ardhmen e futbollit kosovar dhe të gjeneratave të ardhshme.

Hiç këtë njollë të zezë, futbolli kosovar ka shënuar rritjen e vetme në pagesa të lojtarëve. Sot ato janë më të denja siç ishin më parë. Lojtarët dalëngadalë po trajtohen si “futbollist me profesion” dhe jo “futbollist me hobby”. Si rezultat i pagesave më dinjitoze, futbollistët, të paktën ata në Superligë, nuk kanë nevojë të bëjnë punë të dyta, nga polic deri në kamarier, siç bënin gjeneratat e kaluara të lojtarëve.

Klubet e pjesës së sipërme tabelare të Superligës i kanë rritur investimet dukshëm. Tani së bashku me rritjen e investimeve duhet të rritet edhe kapaciteti menaxherial, të investohet në struktura të klubeve, të përmbushem vakumet e shumta të cilat janë të pranishme në shtabet teknike dhe të mundësohen stërvitje me logjistikë të nevojshme, profesionale, ku do të analizoheshin në bazë të parametrave fizike (dhe jo vetëm) shkathtësitë dhe rendimenti i lojtarëve.

Dalja në Evropë nuk mund të shihet si kurorëzim historik. Ajo është parakusht. Duhet ta kalojmë këtë eufori dhe të koncentrohemi në mënyrën si do t’i qasemi rretheve parakualifikuese të garave evropiane. Të kemi ide të qartë se mbi cilët lojtarë të investojmë për t’i promovuar në treg të jashtëm, për të promovuar shitjen e tyre, që rrjedhimisht pason me gjenerim fondesh, rritje të kapaciteteve të klubeve dhe mundësi për ripërtrirje të skuadrave dhe investim në struktura të klubeve. 

Ndërsa sa i përket organikës së klubeve, nëse kemi parasysh paksa edhe interesin e kombëtareve të grupmoshave të Kosovës – ku prania e lojtarëve nga futbolli vendor në grupmoshat U-17, U-19 dhe U-21 marrë përgjithësisht shkon nga 30% e hera-herës edhe më shumë në listat e përzgjedhësve Kollari, Krasniqi dhe Prekazi – duhet të ngrisim alarmin për mungesën e mbrojtësve të rinj në skuadrat të themi ashtu “konkurruese” të Superligës. Ato vazhdojnë t’u besojnë gardës së vjetër dhe “përvojës” së tyre. Mjafton ta shikosh vijën mbrojtëse të katërshes së Superligës, moshën mesatare të tyre dhe vëren mungesën e lojtarëve të rinj në këtë drejtim.

Kjo është për keqardhje, sepse në grupmoshat e reja, ndryshe nga kombëtarja A ku konkurrenca është shumë e madhe, dera mbetet gjithnjë e hapur për lojtarët e rinj. Nëse nuk arrijmë në vendosje me 4 në mbrojtje të startojmë të paktën me një lojtar vendor të moshës nën 21 vjeç, kjo do të zbërthehet me vështirësi të përzgjedhësve tanë të grupmoshave të reja për të rekrutuar mbrojtës të mjaftueshęm në fanellën Dardane. Kjo shkon edhe në dëm të vet klubeve, sepse mbesin gjithnjë në një nivel duke ricikluar në afate kalimtare të tregut lojtarë të shpenzuar dhe pa përspektivë, që kalojnë çdo 1 ose 2 vjet nga një ekip/qytet në një tjetër.

Do të ishte me rëndësi që FFK në bashkëpunim me klubet ta mendojnë një strategji kombëtare për çështjen e lojtarëve të rinj, sidomos për ata që luajnë në pozicionet ku ka më shumë mangësi. Për shembull, nëse merret parasysh reparti i mbrojtjes, përjashto Amir Rrahmanin, ne jo rastësisht plasojmë në treg ndërkombëtar thuajse vetëm mesfushorë sulmues apo sulmues të krahut dhe të qendrës. Fokusi duhet të jetë mbrojtja, të stimulohen mbrojtësit e rinj dhe mbase edhe portierët. Dhe sado që mund të tingëllojë shumë rigoroze dhe e rreptë, të mendohen modalitetet që precizojnë në rregullore domosdoshmërinë e përfshirjes së lojtarëve të rinj, produkt vendor (shtetas kosovarë) nën moshën 21 vjeçare në formacionin startues më shumë sesa që ekziston tani deri në një lojtar. Sado që një iniciativë e tillë do të mund të kundërshtohet ose të minohet në praktikë nga ekipe që fokusin e kanë në fondet e UEFA-së nga dalja në Evropë, frytet për vet futbollin kosovar dhe ekipet kombëtare do t’i shihnim në një hark të shkurtër kohor.