Një nga dasmat më të bujshme të vitit u zhvillua këtë fundjavë në Hamptons, ku Alex Soros, djali i filantropistit miliarder George Soros, u martua me Huma Abedin, ish-këshilltare e ngushtë e Hillary Clinton. Ceremonia u mbajt në një nga rezidencat e familjes Soros në Water Mill, Nju Jork, dhe mblodhi krerët më të lartë të politikës amerikane dhe ndërkombëtare – një skenë që ngjante me një kurorëzim mbretëror modern.
Mes të ftuarve VIP ishin emra të njohur si Bill dhe Hillary Clinton, Kamala Harris, Nancy Pelosi, Chuck Schumer, personalitete të modës si Anna Wintour, por edhe figura të huaja me ndikim, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili mbajti një fjalim urimi për çiftin gjatë ceremonisë.
Rama, i njohur për lidhjet e tij me qarqet ndërkombëtare liberale dhe për afërsinë me familjen Soros, ishte një nga të paktët liderë të huaj të pranishëm në këtë dasmë. Ai u shfaq në ceremoninë e mbajtur nën masa të rrepta sigurie, mes të ftuarve që shijuan ushqime gourmet si mish Wagyu me karkaleca dhe agnolotti me tartuf.
Grupi legjendar Boyz II Men performoi live, ndërsa ndër ata që mbajtën dolli ishin edhe Hillary Clinton, Anna Wintour, Jonathan Soros dhe vetë Edi Rama, që u rreshtua përkrah figurave më të larta të politikës amerikane, shkruan New York Times.
Martesa e Soros dhe Abedin përforcon pozicionin e tyre si një çift i ri politik me influencë në rritje. Alex Soros, tashmë në krye të Fondacionit të Hapur të babait të tij, është konsideruar një nga figurat më të rëndësishme në filantropinë globale me prirje progresiste, ndërsa Abedin ka një karrierë të gjatë si një nga gratë më të afërta me dinastinë Clinton.