Dështimi e mbledhjes “Të përbashkuar në Gjakovë”, krejt çka ndodhi pas një konference të jashtëzakonshme të kryeministrit Rama - Gazeta Express
string(123) "deshtimi-e-mbledhjes-te-perbashkuar-ne-gjakove-krejt-cka-ndodhi-pas-nje-konference-te-jashtezakonshme-te-kryeministrit-rama"

Dështimi e mbledhjes “Të përbashkuar në Gjakovë”, krejt çka ndodhi pas një konference të jashtëzakonshme të kryeministrit Rama

Lajme

Gazeta Express

14/06/2023 7:11

Veç pak orë para mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kryeministri shqiptar Edi Rama doli në një konferencë të jashtëzakonshme.

Orët e fundit kur Qeveria e Kosovës tashmë ishte afër përgatitjeve të fundit për këtë takim, Rama dha lajmin se e ka anuluar këtë mbledhje.

Lexo Edhe:

Tha se për këtë gjë e ka informuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe se arsyet lidhen me përplasjen e Kosovës me bashkësinë euro-atlantike.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve me Kosovën me krejt bashkësinë euro-atlantik, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, ka thënë Edi Rama.

Ai ka deklaruar se kjo situatë po çan marrëdhëniet mes Kosovës dhe bashkësisë euro-atlantike.

“Kjo situatë po e çon në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlanitke, në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit po vë gishtin te butoni për planin e aksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vet”, ka thënë tutje ai.

“Nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht, por kjo nuk është e mundur”, ka thënë ai.

E vec pak kohë pas këtij njoftimi të Ramës, kryeministri I Kosovës Albin Kurti tha se nuk ka informacione për anulimin e mbledhjes mes dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, e planifikuar për të mërkurën e 14 qershorit në Gjakovë.

“Unë posa mbrriva këtu dhe nuk kam informacion, po shkoj ta ndjekë koncertin dhe mendoj që mbledhjet Shqipëri-Kosovë nuk duhej të anuloheshin nga askush”, tha Kurti në një prononcim për media menjëherë pas njoftimit të Ramës.

Por nuk shkoi shumë dhe gjithçka u kuptua.

Qeveria e Kosovës pas anulimit të mbledhjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri, të paraparë të mbahej të mërkurën në Gjakovë, tha se është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha se kjo është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëasnhme.  

“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato. Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, ka thënë Kryeziu.

Nuk mjaftoi ky lajm për Kosovën.

Nuk kaluan pak minuta, në medie u raportua se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.

Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Tashmë është suspenduar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili është dashur të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar. Takimi i radhës, i cili pritet të suspendohet, është ai i datave 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri.

Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.

BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.

Ndryshe, tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Por, Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash.

Megjithatë, BE-ja ka thënë se kryeministri kosovar nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve në veri.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet ushtarake Defender Europe 23, duke e cilësuar këtë si masën e parë ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mosplotësimit të kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.

Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri:

Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët

Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës

Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.

Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri

Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.

Pas këtij lajmin për anulimin e mbledhjes, reagimet ishin të shumta.