Deshifrojeni para se ta shpërndani - Gazeta Express
string(34) "deshifrojeni-para-se-ta-shperndani"

Lajme

Gazeta Express

12/07/2025 10:07

Deshifrojeni para se ta shpërndani

Lajme

Gazeta Express

12/07/2025 10:07

Përballimi me dezinformimin është sfida më e madhe në ditët e sotme. Informacionet e rreme vënë në rrezik jetën e njerëzve. Si mund t’i zbulojmë ato? 

Në maj të vitit 2019, populli i Kosovës u paralajmërua se një grua i ndiqte fëmijët e tyre dhe po i rrëmbente. Paralajmërimi, i përhapur në mediat sociale në të gjithë vendin, u ilustrua me foton e N. N.. Lajmi u përhap shumë shpejt dhe njerëzit filluan të bëjnë panik. Të nesërmen N. N. u sulmua nga një grup njerëzish në mes të ditës, në sheshin e qytetit, në Lipjan, Kosovë. Sulmuesit besonin se ajo kishte rrëmbyer dhe vazhdonte të rrëmbente fëmijë. N. N. nuk ishte viktima e vetme në rajon.

Vitin e kaluar, në 2024, Serbia dhe rajoni u tronditën nga lajmi se një vajzë e re me emrin Danka Iliq ishte zhdukur. Menjëherë pasi ajo u zhduk, autoritetet arrestuan dy burra të dyshuar për vrasjen e saj. Mediat shpejt publikuan fotografinë e vrasësit të dyshuar, një burrë i moshuar me xhaketë me jakë të verdhë dhe i cili buzëqeshte. Fotografia e tij ishte kudo. Por në fakt, burri në fotografi nuk ishte akuzua për asgjë dhe as që kishte ndonjë lidhje me rastin. Disa gazetarë thjesht kishin marr fotografinë nga profili në Facebook i një burri i cili rastësisht kishte të njëjtin emër me një nga të dyshuarit dhe e paraqitën atë në mënyrë të rreme në të gjithë rajonin, si burri i cili vrau një vajzë dyvjeçare me gjakftohtësi.

Një rast tjetër ishte edhe historia e N. I., gazetare nga Serbia, e cila ndjeu sikur jeta e saj ndryshoi përgjithmonë pasi një pamje intime e saj u shpërnda në një kanal në Telegram, pa pëlqimin e saj.

Këto histori përfaqësojnë tre format e manipulimit të informacionit: dezinformimi (informatat e rreme), mizinformimi (keqinformimi / informatat e gabuara) dhe malinformimi (informimi qëllimkeq). Sipas faqes së internetit të Media Defence, organizatë e përkushtuar që të ndihmon gazetarët ligjërisht:

– dezinformimi është informacion i rremë që shpërndahet qëllimisht me qëllim që të shkaktojë dëm;
– keqinformimi është informacion i rremë që nuk shpërndahet me qëllim të dëmtimit;
– informimi qëllimkeq është informacion i vërtetë, por që përhapet për të dëmtuar individët ose grupet.

Këto lloje manipulimesh kanë ekzistuar gjithmonë, por në ditët e sotme duket se njerëzit merren më shumë me to, veçanërisht me rritjen dhe shpejtësinë e mediave sociale.

Të dhënat nga Sondazhi i të Rinjve i vitit 2024, i kryer nga Parlamenti Evropian, tregojnë se mediat sociale janë burimi kryesor i informacionit mbi çështjet politike dhe sociale për 42% të të rinjve të Bashkimit Evropian (BE) të moshës 16 deri në 30 vjeç, ndërsa televizioni i shërben këtij qëllimi për 39% të të anketuarve të së njëjtës moshë. Sipas të dhënave, sa më i ri të jetë personi, aq më shumë ka gjasa që të përdorë mediat sociale si burim kryesor të informacionit. Sondazhi tregoi gjithashtu se shumica e të anketuarve besojnë se janë ekspozuar ndaj dezinformimit në javën para se të kryenin sondazhin, dhe se shumica gjithashtu besojnë se mund ta dallojnë atë.

Të rinjtë dhe profesionistët mediatik nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor janë të njohur me shembuj të dezinformimit, keqinformimit dhe informimit qëllimkeq nga vendet e tyre. Siç e përmendën ata gjatë intervistave, përballimi i tyre nuk është aspak i lehtë. “Sot jemi të përmbytur me informacione të panumërta, shumica e të cilave janë të padobishme. Sidomos në rrjetet sociale dhe portalet, ku shfletojmë shpejt dhe pa u përqendruar në përmbajtjen. Kjo është një nga arsyet pse njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje detajeve dhe nuk e vënë në dyshim atë që lexojnë”, thotë Emina Balota, ambasadore e re evropiane nga Mali i Zi.

Gënjeshtrat dhe dezinformimi janë problem me të cilin të rinjtë në rajon përballen çdo ditë. Emina Odobasiq, studente nga Bosnja dhe Hercegovina, beson se të rinjtë në vendin e saj ende nuk janë mjaftueshëm të aftë për të dalluar të gjitha llojet e dezinformimit. “Bëj çmos ta kontrolloj informacionin me kujdes përpara se ta ndaj dhe jam e kujdesshme të mos reagoj shumë shpejt. Mendoj se të rinjtë po bëhen më të vetëdijshëm, por shumica ende shpërndajnë informacion pa e kontrolluar – veçanërisht nëse përmbajtja përputhet me pikëpamjet e tyre”, thotë ajo.

Gazetarët që raportojnë nga vendet e tyre çdo ditë përballen me të njëjtin problem. Sipas Neda Dimova-Prokiq, gazetare nga Maqedonia e Veriut, njohuritë mediatike duhet të futen në kurrikulën e arsimit fillor. “Njohuritë mediatike duhet të ngrihen në një nivel më të lartë dhe mësuesit duhet të trajnohen siç duhet se si t’ua përcjellin atë përmbajtje nxënësve që në moshë të vogël. Të menduarit kritik duhet të inkurajohet në shkollë dhe në shtëpi, ku fëmijët do të mësojnë të mendojnë në mënyrë kritike nëpërmjet shembujve”, thotë ajo.

Vlera e njohurive mediatike dhe e të menduarit kritik është veçanërisht e dukshme për personat që i kanë përjetuar drejtpërdrejt pasojat e dezinformimit, keqinformimit dhe të informimit qëllimkeq.

Vulnet Krasniqi, gazetar nga Kosova, ka qenë shënjestër e dezinformimit për vite me radhë, veçanërisht gjatë pjesëmarrjes së tij në reality show-n televiziv “Big Brother” në Prishtinë. “Një shembull i habitshëm ishte kur narrativat online — shpesh të nxitura nga klikimet, algoritmet dhe ndonjëherë edhe qëllimet e këqija — u ndërtuan mbi të vërteta ose gënjeshtra selektive rreth identitetit tim, pikëpamjeve dhe lidhjeve të mia”, thotë Vulneti.

Ekzistojnë disa online mjete dhe platforma për verifikimin e fakteve që mund t’ju ndihmojnë që të verifikoni vërtetësinë e përmbajtjes. Jona Cenameri, gazetare nga Shqipëria, përdor një sërë platformash të tilla për verifikimin e fakteve. “Mendoj se të rinjtë ndryshe u qasen lajmeve të rreme. Periudha e tyre e vëmendjes është e shkurtër, nuk qëndrojnë gjatë para ekranit dhe nuk mendojnë shumë për to, por i lexojnë shpejt, pa u menduar shumë nëse informacioni është autentik”, thotë Jona.

Përmbajtja e rreme mund të prekë njerëzit — si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Sipas Elena Prnjiq, e cila menaxhon mediat sociale për një internet-faqe për verifikimin e fakteve në Serbi, ka disa mënyra për t’u përballur me këtë problem. “Narrativet manipuluese janë të rrezikshme për të gjithë botën, jo vetëm për Serbinë. Dhe ka disa mënyra se si mund t’i përballojmë ato. Përballimi me dezinformimin është sfida më e madhe në ditët e sotme. Informacionet e rreme vënë në rrezik jetën e njerëzve. Si mund t’i zbulojmë ato? Gjatë tre ditëve të punës në Laboratorin për Përmbajtjen e Fakteve në Podgoricë, organizuar në kuadër të fushatës WeBalkans “Faktet vijnë të parat”, gazetarë, verifikues faktesh dhe producentë nga i gjithë Ballkani Perëndimor u përpoqën të gjenin përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Grupi “Re-Setters” në punëtorinë “Fact Content Lab” në Podgoricë

Përhapja e dezinformatave, keqinformimit dhe informimit qëllimkeq është përtej kontrollit të individëve, por mund të reduktohet nëse punojmë së bashku. Megjithatë, secili prej nesh i detyrohet komunitetit tonë, qoftë në lagje apo në internet, të bëjë një minimum verifikim të fakteve përpara se të ndajë lajmet. Për gruan e re të sulmuar në Kosovë, burrin e akuzuar padrejtësisht në Serbi dhe gazetaren e shënjestruar nga kanalet keqdashëse të Telegram, këto pretendime manipuluese nuk janë informacione të parëndësishme që njerëzit do t’i shfletojnë shpejt dhe do t’i injorojnë, por informacione që kanë ndikuar negativisht në jetën e tyre.

Për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen — gjithmonë deshifrojeni para se ta ndani.

Përmbajtja e këtij artikulli nuk pasqyron mendimin zyrtar të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për informacionin dhe pikëpamjet e shprehura u takon tërësisht autorëve.