Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka folur për herë të parë për humbjen e nënës së tij gjatë Kupës së Botës, duke pranuar se ka kaluar ditë jashtëzakonisht të vështira emocionalisht.
“Isha i shkatërruar”
Përpara ndeshjes së Francës ndaj Suedisë në fazën e 1/16-ave, Deschamps tregoi se u detyrua të largohej përkohësisht nga grumbullimi i kombëtares për t’u kthyer në Francë dhe për të qenë pranë familjes.
“Si jam? Jam mirë. Sigurisht që kam kaluar ditë të vështira dhe isha i shkatërruar. Por për të mirën time dhe të skuadrës, duhej të largohesha. Më pas, ata bënë gjithçka që duhej”, deklaroi ai për M6.
Futbolli e ndihmoi të rikthehej
57-vjeçari pranoi se rikthimi në kampin e kombëtares dhe përgatitja për ndeshjet e Botërorit e kanë ndihmuar të përballojë dhimbjen.

“Që nga rikthimi im jam përqendruar te përgatitjet për ndeshjen me Suedinë. Është mirë ta mbaj mendjen të angazhuar”, tha Deschamps.
Sipas raportimeve, futbollistët e Francës i kanë qëndruar pranë trajnerit dhe i kanë ofruar mbështetje të plotë në këtë periudhë të vështirë.
Franca me bilanc perfekt
Edhe gjatë mungesës së Deschamps, Franca ruajti ritmin e saj, duke mposhtur Norvegjinë 4-1 dhe duke e mbyllur Grupin I me tri fitore në po aq ndeshje.

“Ishte objektivi ynë ta përfundonim grupin në vendin e parë. Nëntë pikë janë një arritje shumë e mirë dhe është gjithmonë pozitive të fitosh ndeshje. Objektivin e parë e kemi përmbushur”, u shpreh ai.
Botërori i fundit me Francën?
Deschamps drejton kombëtaren franceze që nga viti 2012 dhe ka zhvilluar 182 ndeshje në krye të “Les Bleus”, duke regjistruar 119 fitore, 32 barazime dhe vetëm 31 humbje.
Ai udhëhoqi Francën drejt triumfit në Kupën e Botës 2018 dhe e çoi sërish në finale në vitin 2022, ku u mposht nga Argjentina pas penalltive.
Me kontratën që i përfundon muajin e ardhshëm, Deschamps synon ta mbyllë aventurën e tij në stolin e Francës me një tjetër titull botëror. /GazetaExpress/
Klinika Trandevue ka lansuar ofertën e saj verore për të gjithë ata që dëshirojnë të rikthejnë flokët dhe vetëbesimin....