Barazim dramatik u regjistrua të dielën mbrëma në kryeqytet, ku Prishtina dhe Drita luajtën 2:2, në ndeshjen që mbylli xhiron e katërt të Superligës së Kosovës.
Pjesa e parë foli qartë për gjilanasit, që shënuan dy gola për dy minuta.
Egzon Bejtullai realizoi në minutën e 29-të, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Vesel Limaj dyfishoi rezultatin në 2:0 për kampionen në fuqi.
Prishtina u zgjua në fraksionin e dytë dhe u rikthye në lojë.
Ardian Muja ngushtoi shifrat në minutën e 77-të, para se Alban Shillova, i futur nga banka, të barazonte në 2:2.
Në fund, prishtinasit ishin pranë përmbysjes së madhe, por Faton Maloku shpëtoi Dritën me një pritje vendimtare në kohën shtesë.
Ky rezultat lë Dritën ende pa fitore në këtë edicion – me dy barazime dhe një humbje, ndodhet e parafundit, por me një ndeshje më pak të luajtur.
Prishtina, ndërkohë, me dy fitore, një barazim dhe një humbje, mban pozitën e tretë me shtatë pikë, dy më pak se lideri aktual Dukagjini./GazetaExpress/