Deputetët ende nën masën e përkohshme të Kushtetueses, kur hyn fuqi aktgjykimi që ndëshkoi Deharin dhe interpretimet e VV'së - Gazeta Express
string(122) "deputetet-ende-nen-masen-e-perkohshme-te-kushtetueses-kur-hyn-fuqi-aktgjykimi-qe-ndeshkoi-deharin-dhe-interpretimet-e-vvse"

Lajme

Gazeta Express

09/08/2025 10:16

Deputetët ende nën masën e përkohshme të Kushtetueses, kur hyn fuqi aktgjykimi që ndëshkoi Deharin dhe interpretimet e VV’së

Lajme

Gazeta Express

09/08/2025 10:16

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës të premten ka dalë me aktgjykim të ri për seancën konstituive, duke konstatuar se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka shkelur Kushtetutën duke mos përfillur aktgjykimin paraprak, ka urdhëruar të njëjtin për t’iu rikthyer rendit të ditës për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, dhe ka sqaruar se votimi duhet të bëhet vetëm në mënyrë të hapur.

Sipas këtij aktgjykimi të ri, një kandidat për kryeparlamentar mund të propozohet vetëm tri herë.

Megjithatë deri në bërjen fuqiplotë të këtij aktgjykimi, Kushtetuesja ka vazhduar masën e përkohshme për aktivitetet e Kuvendit.

“TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi”, thuhet në pikën VII të Aktygjkimit të datës 8 gusht.

“Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit”, ka sqaruar Gjykata Kushtetuese.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese s’është pritur aspak mirë nga partia në pushtet, e cila ka dalë e para në zgjedhjet e fundit. Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetë e zyrtar të kësaj partie kanë sulmuar Kushtetuesen me radhë për këtë aktgjykim./GazetaExpress/

Vendimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 7 gusht 2025 vendosi lidhur me kërkesat KO193/25 dhe KO196/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së  “Vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.”, të parashtruar nga KO193/25Memli Krasniqi dhe 12 (dymbëdhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO196/25, Hykmete Bajrami dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, vendosi:

  1. TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme; 
  2. TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme; 
  3. TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me  Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; 
  4. TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim  me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë; 
  5. TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë; 
  6. TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi; 
  7. TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi; 
  8. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve; 
  9. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; 
  10. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.