Deputet në Kuvend, drejtues në klub? Ministria futet në lojë për rastin Sigal Prishtina - Gazeta Express
string(85) "deputet-ne-kuvend-drejtues-ne-klub-ministria-futet-ne-loje-per-rastin-sigal-prishtina"

Sport

Gazeta Express

15/01/2026 15:52

Deputet në Kuvend, drejtues në klub? Ministria futet në lojë për rastin Sigal Prishtina

Sport

Gazeta Express

15/01/2026 15:52

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka reaguar zyrtarisht lidhur me zgjedhjen e Bekë Berishës në një pozitë udhëheqëse të KB “Sigal Prishtina”, vendim i marrë në Kuvendin e klubit më 14 janar 2026.

Sipas njoftimit të MKRS-së, kjo çështje merr rëndësi të veçantë për faktin se Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Ministria ka rikujtuar dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili përcakton qartë kufizimet për zyrtarët e lartë publikë në ushtrimin e funksioneve drejtuese apo menaxhuese në persona juridikë privatë, përfshirë edhe klubet sportive.

MKRS thekson se, ndonëse një zyrtar i lartë mund të jetë anëtar i një organizate sportive jofitimprurëse, ligji ndalon ushtrimin e funksioneve drejtuese, menaxhuese apo mbikëqyrëse, si dhe obligon që çdo konflikt i interesit të zgjidhet brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nga marrja e detyrës.

Në këtë kontekst, Ministria ka kërkuar që Bekë Berisha, pas betimit dhe marrjes së mandatit në legjislaturën e re, të ndërmarrë masat e nevojshme për të shmangur çdo konflikt të mundshëm interesi, në përputhje të plotë me ligjin në fuqi.

Po ashtu, MKRS ka bërë të ditur se do ta përcjellë nga afër situatën dhe do të bashkëpunojë me institucionet relevante, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të ruajtjes së integritetit në sport dhe respektimit të standardeve të qeverisjes së mirë.

Ministria ka paralajmëruar se, përmes kanaleve zyrtare, do t’i drejtohet edhe Federatës së Basketbollit të Kosovës, duke kërkuar që të sigurohet se në zgjedhjen e organeve drejtuese të KB “Sigal Prishtina” janë respektuar dhe do të respektohen të gjitha detyrimet ligjore, veçanërisht ato që lidhen me papajtueshmërinë e ndërhyrjeve politike në menaxhimin e organizatave sportive.

MKRS ka nënvizuar se respektimi i normave ligjore dhe ruajtja e integritetit sportiv janë kushte të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë zyrtare të basketbollit në Republikën e Kosovës. /GazetaExpress

Advertisement
Advertisement
Advertisement