Bashkëpunëtori i lartë i Institutit të Kosovës për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Ilir Deda, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Në një intervistë për N1, Deda tha se një retorikë e tillë e rikthen rajonin në atmosferën e errët të viteve ’90 dhe të luftës në Kosovë.
“Ajo e përsëriti tri herë se do ta spastronte etnikisht Kosovën. Kjo na rikthen në ferrin e konflikteve dhe luftës së viteve 1998-1999. Jam i habitur që ajo ende mban postin e ministres në Qeverinë e Serbisë. Fakti që nuk është shkarkuar tregon se kjo lloj retorike mbështetet nga pushteti aktual në Serbi”, deklaroi Deda.
Sipas tij, deklarata të tilla e bëjnë edhe më të vështirë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Sa kohë që legjitimohet dëshira për spastrim etnik, që ndodhi gjatë viteve 1998-1999, nuk shoh se si mund të arrihet qoftë edhe një nivel minimal normaliteti në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
Deda theksoi se problemi nuk qëndron vetëm te deklarata e ministres, por edhe te mungesa e reagimit nga Qeveria e Serbisë.
“Shumë reagime pati, por të gjithë prisnin të shihnin se çfarë do të bënte Qeveria e Serbisë. Nuk reagoi fare. Kjo vetëm sa forcon bindjen se me një Serbi të udhëhequr nga njerëz të politikës së viteve ’90 është e vështirë të arrihet çfarëdo marrëveshjeje apo një vizion i përbashkët për Ballkanin Perëndimor, të bazuar në respekt të ndërsjellë”, u shpreh ai.
Deklaratat e Paunoviqit kanë shkaktuar reagime të shumta në Serbi dhe në rajon. Megjithatë, autoritetet më të larta shtetërore nuk e dënuan publikisht atë.
Pas kritikave, ministrja kërkoi falje, por jo qytetarëve, por presidentit Aleksandar Vuçiq, kryeministrit Gjuro Macut dhe Qeverisë së Serbisë, duke thënë se u vjen keq që ata “u sulmuan pa faj”.
Më pas, Paunoviq deklaroi se një pjesë prej shtatë sekondash nga intervista e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe ishte përdorur me qëllim që ajo të akuzohej për thirrje në spastrim etnik.