Ish-sulmuesi i Anglia, Stan Collymore, ka kritikuar ashpër FIFA-n që ka lejuar bashkëorganizatoren Meksika të luajë ndeshjet e saj në stadiumin me lartësi të madhe “Estadio Azteca”.
Megjithatë, mesfushori Declan Rice ka insistuar se skuadra angleze nuk është aspak e shqetësuar nga kushtet përpara përballjes së 1/8 së finales.
Vështirësitë fizike të lojës në “Estadio Azteca” kanë dominuar diskutimet para ndeshjes së Anglisë ndaj Meksikës.
Stadiumi ndodhet 2.241 metra mbi nivelin e detit dhe paraqet sfida të mëdha fiziologjike për lojtarët që nuk janë të mësuar me lartësinë, duke shkaktuar lodhje më të shpejtë dhe rikuperim më të ngadaltë.
Shumë kritikë kanë vënë në dyshim drejtësinë e formatit të turneut, pasi Meksika i ka zhvilluar të gjitha ndeshjet në vendin e saj. Ky avantazh reflektohet edhe në statistikat mbresëlënëse të kombëtares meksikane, e cila ka pësuar vetëm dy humbje në 89 ndeshje zyrtare në “Azteca”.
Duke folur për “BetGoodwin”, Stan Collymore shprehu pakënaqësi të madhe për mënyrën se si janë shpërndarë ndeshjet mes vendeve organizatore dhe kërkoi ndryshime në sistem.
“Është gabim që Meksikës i është lejuar një avantazh kaq i madh fizik. Mendoj se FIFA dhe Gianni Infantino duhet të ulen me federatat e tjera dhe të gjejnë një mënyrë për t’i bërë këto turne më të drejta.
Për shembull, Kanadaja është gjithashtu bashkëorganizatore, por është detyruar të luajë përtej kufirit në Seattle, ndërsa Meksika praktikisht ka qëndruar në Azteca, ku ka humbur vetëm dy herë në më shumë se 80 ndeshje.
Të gjithë e dimë se avantazhi fiziologjik i të luajturit në lartësi është real. Kjo dihej shumë kohë përpara turneut, ndaj mendoj se është jashtëzakonisht e padrejtë që një skuadër të ketë një avantazh kaq të madh fizik në një garë që supozohet të jetë e barabartë.
Për mua, i gjithë sistemi i organizimit duhet të rishikohet. Anglia, me ndoshta kampionatin më të madh në botë, nuk e ka organizuar një Botëror në epokën moderne të televizionit, ndërsa Meksika tani e ka bërë këtë për herë të tretë. Prandaj po, mendoj se është plotësisht e gabuar që një vend të ketë një avantazh kaq të qartë fiziologjik ndaj një tjetri.”
Nga ana tjetër, në kampin anglez nuk ka vend për shqetësime.
Duke folur për “Lions’ Den”, Declan Rice theksoi se skuadra e Thomas Tuchel e konsideron këtë si një ndeshje normale jashtë fushe, pavarësisht historisë dhe veçantisë së stadiumit.
“Do të jetë pak a shumë si një ndeshje jashtë fushe për ne. Ata i kanë luajtur të gjitha ndeshjet në Meksikë deri tani dhe kanë qenë në shtëpi gjatë gjithë turneut. Për ne bëhet fjalë vetëm të shkojmë atje dhe të përballojmë gjithçka që do të na dalë përpara. Neve nuk na intereson se ku luajmë. Për ne është thjesht një stadium. Sigurisht, ‘Azteca’ njihet si vendi ku Diego Maradona shënoi golin e famshëm ‘Dora e Zotit’ dhe ku kanë ndodhur shumë momente ikonike. Për ne, detyra është të shkojmë atje dhe të bëjmë punën tonë. Sigurisht që do të jetë një përvojë e jashtëzakonshme, por në fund të fundit është thjesht një stadium tjetër ku kemi mundësinë të luajmë”./GazetaExpress/