Napoli ka bërë një goditje të bujshme në merkato, duke firmosur me Kevin De Bruyne si lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës së tij me Manchester City. Mesfushori belg, një nga figurat më të mëdha të Premierligës në dekadën e fundit, ka zgjedhur Italinë, pavarësisht ofertave të shumta nga MLS dhe Arabia Saudite.
Në një intervistë për DAZN, De Bruyne rrëfeu prapaskenat e vendimit të tij:
“Vendimin për të ardhmen e mora disa ditë para se të firmosja me Napolin. Folëm shumë dhe, në fund, nuk mund të prisja të mbaronin të gjitha procedurat. E ndjeva se duhej të vija këtu. Kur isha i ri, ndoshta nuk do ta kisha menduar kurrë se do të luaja në Itali, sepse isha shumë i lumtur në Angli. Por u gjenda në një situatë me shumë opsione nga pjesë të ndryshme të botës. Pas bisedave me familjen, kuptova se Napoli ishte zgjedhja më e mirë në çdo aspekt. Ishte një vendim instinktiv.”
Ylli belg foli edhe për ambiciet e klubit në Ligën e Kampionëve:
“Sigurisht që synimi është të ecim përpara si në Evropë ashtu edhe në kampionat. Vitin e kaluar Napoli nuk luajti në Evropë, ndërsa këtë vit do ta bëjmë. Duhet të gjejmë ekuilibrin për të menaxhuar të dy frontet, por kemi një skuadër të ndërtuar mirë, me dy lojtarë për çdo pozicion, që na ndihmon të mbajmë intensitetin gjatë gjithë sezonit.”