Yjet e Barcelonës, Robert Lewandowski dhe Lamine Yamal, janë dënuar nga UEFA për shkelje të protokollit anti-doping. Ndërkohë, trajneri Hansi Flick ka marrë një sanksion edhe më të rëndë nga organi qeverisës i UEFA-s.
Sipas Marca, si Lewandowski ashtu edhe Lamine Yamal janë gjobitur me nga 5 mijë euro secili për shkeljen e rregullave të protokollit anti-doping pas një ndeshjeje. Shkeljet lidhen me dy çështje: lojtarët nuk kanë marrë pjesë menjëherë në testet e kontrollit anti-doping pas përfundimit të takimit dhe nuk kanë ndjekur udhëzimet e zyrtarit që po kryente testet.
Nga ana tjetër, trajneri Hansi Flick ka marrë një dënim më të rëndë. Strategu gjerman është gjetur fajtor për shkeljen e parimeve të përgjithshme të sjelljes dhe rregullave bazë të etikës sportive. Edhe ndihmësi i tij, Marcus Sorg, është dënuar për të njëjtat shkelje.
Të dy do të mungojnë në ndeshjen e parë të Barcelonës në garat evropiane këtë sezon dhe do të gjobiten me nga 20 mijë euro secili. Nuk është bërë ende e qartë saktësisht se çfarë ka çuar në këto dënime, por Flick ka kritikuar arbitrazhin pas humbjes në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Interit vitin e kaluar dhe është parë duke protestuar gjatë ndeshjes.
Ky nuk është problemi i parë i Barcelonës me UEFA-n këtë verë, pasi klubi u gjobit me 15 milionë euro për shkelje të Rregullit të Fair Play Financiar. Nëse nuk i plotëson një sërë kushtesh gjatë këtij sezoni, gjoba mund të rritet në 60 milionë euro.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...