Covid 19 vs Kosova 2020 - Gazeta Express
string(23) "covid-19-vs-kosova-2020"

Gazeta Express

17/03/2020 14:19

Covid 19 vs Kosova 2020

Gazeta Express

17/03/2020 14:19

Qoftë edhe një jetë e shpëtuar e qytetarëve të Kosovës është shumë e rëndësishme pavarësisht moshës, profesionit a pozitës shoqërore dhe beteja jonë e parë është lufta për jetë, por duhet pasur parasysh edhe një gjë që pacienti më shëndetligë në Kosovës është ekonomia e këtij vendi, prandaj nëse virusi sulmon ata me shëndet të tillë, definitivisht në Kosovë një palë sy duhet të shikojnë patjetër kah ekonomia

Shkruan Fisnik Halimi

Lexo Edhe:

Kosova ndodhet në fazën e identifikimit të të prekurëve me virusin covid-19. Dhe ditët në vazhdim nuk kanë se si të mos rrisin shifrat e të të infektuarëve, prandaj gjasat janë reale që shumë shpejt numrat treshifror me të prekur të bëhen publike.

Si ka mundur të reagohet më herët, tash janë tregime të pavlera për arsye se tash vendi ynë ndodhet para një fakti të kryer. Kosova nuk është më në fazën ku parandalimi i smundjes është i mundur, Kosova tash ndodhet në fazën e shërimit nga smundja dhe ndryshe nga herët tjera kur vendi është ballafaquar me rrezik, kësaj here mbrojtjen duhet ta bëjë vet,sepse në këto kohë, solidaritet global thjeshtë nuk ka.

Poashtu janë të pavlera edhe teoritë e konspiracionit se “ata” të fuqishmit e botës me qëllim kanë hedhë tash këtë virus, për të mbuluar të palarat e veta, ku zakonisht Izraeli dhe Amerika përbëjnë boshtin e tregimit të konspiracionistëve në vendet tona. Edhe nëse virusi është krijuar me qëllim edhe nëse ekziston vaksina për “ata” ne sot jemi para një situate që krejt këto tregime, janë të pavlera dhe të dëmshme sepse pengojnë mobilizimin shoqëror për kundërvenije.

Shumë herë për shumë çështje kam thënë se kapacitetet partiake për të rregulluar një çështje janë të vogla për çfarëdo pune të madhe më të cilën është ballafaquar Kosova. Kështu del të jetë edhe kësaj rradhe. Kjo krizë nuk është thjeshtë krizë që mund të shuhet me angazhimin e eksponentëve të qeverisë. Aq më pak të kësaj qeverie dhe këtij kryeministri, i cili pervojën menaxheriale e ka të barabartë me zero.

Natyrisht qeveria e Kosovës duhet të jetë në ballë të luftës, këtu nuk duhet të ketë dilemë. Por ajo që duhet të ndodhë është thjeshtë një akcion gjithë Kosovar, pa dallime partiake në funksion të ngritjes së kapaciteteve, në ballafaqimin më gjithë atë që e sjellë virusi covid-19.

Konkretisht mendoj se Kuvendi i Kosovës duhet të thërras një seancë, ndryshe nga praktikat e deritashme të kësaj përbërje, për të diskutuar sinqerisht rreth situatës në të cilën jemi, ku diskursi “ju dhe ne” nuk do të duhej të ekzistonte.

Ajo senacë do të mund të përfundonte me një rezolutë të tipit, ku të gjitha partitë do të zotoheshin në bashkëpunim pa kushte, në përballje me sëmundjen tashmë më të famshme të këtij shekulli.

Kuvendi do të duhej të krijonte komisionin shtetëror për luftë kundër virusit covid-19. Ku në krye të të cilit do të duhej të emrohej Lul Raka mikrobiologu i rangut botëror me përvojë të jashtëzakonshme në luftë kundër epidemive, edhe me të rrezikshme nga kjo që po e përjetojmë ne sot. (sa për skjarim Lul Raka në botën e mikrobiologjisë është si me thanë Majlinda Kelmendi në xhudo dhe është i joni këtu në Kosovë jeton dhe vepron).

Lul Rakës, gjegjesisht komisionit do të duhej ndarë për një afat prej tre muajsh mjete të vërteta financiare prej së paku 50 milione euro.

Zëvendës i parë i tij do të duhej të emërohej një ekspert i ekonomisë, i cili do të koordinonte ekspertët e ekonomisë në hartimin e një plani për ruajtjen e shëndetit të ekonomisë edhe ashtu të brishtë kosovare. (ECIKS, kompania e cila doli para disa ditësh me një seri propozimesh për këtë aspekt të krizës do të duhej të kishte hisen e vet në dimenzionin ekonomik të krizës.)

Zëvendës tjerë do të duhej të ishin ministrat Vitia, Bislimi dhe Bajrami nga kjo përbërje qeveritare si dhe ish ministrat Ismajli, Hameza, Lekaj dhe ndonjë tjetër).

Tutje Shpend Ahmeti, Gazmend Muhaxheri, Agim Aliu, Bali Muharremaj, Rufki Suma (dhe ndonjë tjetër kryetar komune me aftësi të ngjajshme menaxheriale) do të duhej të ishin pjesë e atij komisioni (Kam punuar me shumë kryetarë komunash nuk ia keni idenë se deri në çfarë mase e njohin deri në detaje secilën familje në komunat e tyre respektive). Poashtu në këtë komision do të duhej të merrnin pjesë edhe shefi i

FSK Rama, shefi i Policisë Çalaj dhe natyrisht shefi i Institutit të shendetit publik Ramadani.

Në komision vendimet do të merreshin me koncensus si opcion i parë, me 2/3 si opcion i dytë dhe si opcion i fundit, zoti Raka do të kishte të drejtën e vetos në rast të ndarjeve brenda komisionit.

Komisioni do të duhej paguar konform situatës dhe do të duhej siguruar financiarisht familjet e të gjithë anëtarëve në rast të ndonjë tragjedie.

Mendoj se pa këto tri profile pa tre background të ndryshmë kjo krizë nuk menaxhohet dot. Profili medicinal po nënkuptohet. Por neve na duhet edhe profili menaxherial dhe ai ekonomik.

Por dimenzioni ekonomik mbetet më i rëndësishëm për mendimin tim. Kriza me virusin mund të kaloj me më pak apo me më shumë dëme, por në secilin variant do të kaloj pa përmasa apokaliptike.

Ashtu si vërejti më herët gjatë javës afaristi dhe politikani Erolld Belegu, Kosova ka popullatë të re e cila do të mund të përballoj pak më lehtë prekjen eventuale nga Covid-19.

Në këtë logjikë, le të rikujtojmë se në Kosovë jetojnë rreth 60.000 persona mbi moshën 65 vjeçare, prej të cilëve vetëm një pjesë janë te sëmurë kronikë. Të cilët as në teori nuk mund të prekën të gjithë me virus dhe as në teori nuk do të mund të vdisnin të gjithë ata që preken. Posaçërisht jo në Kosovë ku kultura e bashkëjetesë në mes të gjeneratave është e lartë, me fjalë të tjera të moshuarit në Kosovë nuk bartin përgjegjësi brenda familjeve dhe rrjedhimisht skanë nevojë të lëvizin për të siguru të mirat esenciale. Prandaj sipas një llogarije, në bazë të statistikave të botuara deri më tash në bazë të probabilitetit për t’u sëmurë dhe atij për të mbijetuar në kushtet e sotme para shpikjes së vaksinës në Kosovë mund ta humbin jetën mes 0 persona deri në 350 maksimumi në rastin më të keq(shifër e nxjerrë në proporcion të popullatës së rrezikuar thye për numrin e banorëve në Kosovë thye për numrin e përgjithshëm të popullatës botërore).

Ideja është që komisioni (apo si po quhen këta trupa shtetërorë në Kosovë Task Force kohëve të fundit) duhet të ketë edhe mundësinë e rekrutimit të vullnetarëve në ndihmë të saj. Ku të gjithë ne të aftë për punë dhe jashtë grupit të personave me rrezikshmëri të lartë të vdekjes do të duhej të ishim të obliguar që t’i përgjigjemi vendit në luftë kundër sëmundjes.

Për fund qoftë edhe një jetë e shpëtuar e qytetarëve të Kosovës është shumë e rëndësishme pavarësisht moshës, profesionit a pozitës shoqërore dhe beteja jonë e parë është lufta për jetë, por duhet pasur parasysh edhe një gjë që pacienti më shëndet ligë në Kosovës është ekonomia e këtij vendi, prandaj nëse virusi sulmon ata me shëndet të tillë, definitivisht në Kosovë një palë sy duhet të shikojnë patjetër kah ekonomia.

Sqarim : asnjë prej të apostrofuarëve në këtë tekst nuk është në dijeni të botimit të këtij teksti, nga të gjithë të apostrofuarit unë personalisht njoh vetëm një pjesë të vogël të tyre, shkrimi është shkru për të provu për nxitur solidaritet, vëmendje dhe gatishmëri për përballje me një sëmundje e cila po na hap telashe.

Se zoti vetë e tha me gojë…