Çmimet globale të naftës u rritën të mërkurën, pasi kishin rënë ndjeshëm në fillim të javës, për shkak të shenjave të ndërprerjeve në transportin detar në Detin e Kuq dhe pavarësisht deklaratave nga Washingtoni se një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të jetë e afërt, raporton CNN.
Kontratat e së ardhmes për naftën Brent, standardi global i naftës, ishin në rritje me 1.3% rreth orës 7:30 sipas kohës lindore të SHBA-së, duke u tregtuar me 80 dollarë për fuçi. WTI, standardi amerikan i naftës, u rrit me 0.6% në 76 dollarë për fuçi, rreth të njëjtës orë.
Të martën, Presidenti Trump la të kuptohej se një njoftim për një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të bëhej sot. Por mediat shtetërore iraniane hodhën dyshime mbi një rihapje të menjëhershmë.
Javët e fundit, konflikti është zgjeruar duke përfshirë edhe ngushticën Bab el-Mandeb, një tjetër rrugë e rëndësishme e tregtisë detare në hyrje të Detit të Kuq. Militantët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë kërcënuar se do të pengojnë transportin detar përmes kësaj ngushtice – duke krijuar një problem të veçantë për Arabinë Saudite, e cila e ka përdorur këtë rrugë ujore si alternativë ndaj Hormuzit për të eksportuar miliona fuçi naftë.
Alexandre Araman, drejtor për sektorin e prodhimit të naftës në Lindjen e Mesme në Wood Mackenzie, i tha CNN-it të martën se “rënia e ndjeshme e eksporteve përmes Detit të Kuq eliminon një nga mundësitë e pakta të mbetura të Mbretërisë për eksport”.
Araman theksoi se disa anije mund ta kenë kaluar ngushticën fshehurazi duke fikur sinjalet e tyre të gjurmimit.
Të mërkurën, rebelët Huthi pretenduan se kishin sulmuar një cisternë saudite të naftës në Detin e Kuq, sipas Reuters. Një ditë më parë, autoritetet indiane thanë se një anije me flamur indian ishte goditur nga një predhë dhe ishte fundosur pranë brigjeve të Jemenit, megjithëse nuk thanë se kush ishte përgjegjës.