"Çka po mi hapë sytë bre", aktvistja që shkoi në Gjinekologji për të lindur, e tmerruar me trajtimin që iu bë - rrëfimi i saj - Gazeta Express
string(119) "cka-po-mi-hape-syte-bre-aktvistja-qe-shkoi-ne-gjinekologji-per-te-lindur-e-tmerruar-me-trajtimin-qe-iu-be-rrefimi-i-saj"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 15:58

“Çka po mi hapë sytë bre”, aktvistja që shkoi në Gjinekologji për të lindur, e tmerruar me trajtimin që iu bë – rrëfimi i saj

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 15:58

Aktivistja kosovare, Neri Ferizi, në profilin e saj në ‘facebook’ ka ndarë me publikun një përjetim të tmerrshëm të saj në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku kishte zgjedhur që të lindte fëmijën e saj. Ferizi thotë se ka provuar shumë herë që të shkruaj për këtë përjetim, por se s’ka ditur nga t’ia filloj.

Ferizi ka treguar për mënyrën se si është trajtuar nga stafi që ishte përgatitur për të kryer operacionin e saj të lindjes.

Për një prej infermiereve, nga e cila Neri Ferizi thotë se ka pritur që të t’i jepte ndonjë sinjal për t’u ndjerë e sigurt, megjithatë “çka po mi hapë sytë qshtu”, ka qenë reagimi tronditës që ka marrë nga infermierja.

“Gjatë operacionit, ndërsa shikoja në sytë e një infermiereje për t’u ndjerë më e sigurt, ajo m’u drejtua ftohtë: “Çka po m’i hapë sytë bre qashtu?”. Aty e ktheva kokën dhe prita… prita të qajë foshnja. U duk si një përjetësi. E kur qau, ma sollën vetëm ta shihja për një çast”, ka shkruar ajo.

Ferizi ka shkruar për gjendjen e rëndë në QKUK, ku në një dhomë rrijnë afër 10 persona, e ku të njejtë s’guxojnë të ngrejnë zërin për ndonjë ankesë eventuale, për të mos nxitur reagim të infermiereve aty.

Ferizi thotë se nuk iu duhen shtesat nga shteti, kur s’trajtohen me dinjitet.

“Dikush duhet të jap përgjegjësi. Shteti duhet me na trajtu me dinjitet. Nuk na duhen shtesat kur tmerrohemi, duhen kushte të mira e trajtim dinjitoz”.

Postimi i plotë i saj:

 “Harrohet ky përjetim”

Kam tentuar ta shkruaj këtë postim disa herë, por nuk kam ditur si ta filloj. Si ta përmbledh një përjetim kaq të rëndë, kaq shokues?

Përballja me sistemin tonë shëndetësor më tronditi. U tmerrova nga mënyra se si trajtohen gratë shtatzëna — me mungesë respekti, pa ndjeshmëri, e në kushte çnjerëzore. Në dhomën ku qëndronim, bashkë me bebat dhe nënat, çdo gjë ishte përtej imagjinatës.

Zgjedhja ime për lindje në sistemin shëndetësor publik e që kisha zgjedh ta bëj lindjen me prerje cezariane, u prit me pengesa. Mezi më futën në sallë. Më priste një ekip prej gati dhjetë vetash që më trajtuan si objekt — pa një fjalë qetësuese, pa asnjë shpjegim paraprak. Dikush më kapi për krahu, tjetri më bërtiste ta mbaja shpinën në hark ndërsa dikush tjeter më zgjati një letër për ta nënshkruar në çast — e që e lironte stafin nga çdo përgjegjësi nëse do të ndodhte diçka. Askush nuk u përpoq të më qetësonte apo informonte për procesin e as për stafin mjekësor.

Gjatë operacionit, ndërsa shikoja në sytë e një infermiereje për t’u ndjerë më e sigurt, ajo m’u drejtua ftohtë: “Çka po m’i hapë sytë bre qashtu?”. Aty e ktheva kokën dhe prita… prita të qajë foshnja. U duk si një përjetësi. E kur qau, ma sollën vetëm ta shihja për një çast.

Pas operacionit, më transferuan me nxitim në një shtrat tjetër dhe më nisën drejt intenzives. Më pyetën nëse dikush më priste jashtë. U thashë se i dashuri ishte aty — por nuk e kishin lajmëruar fare. Nuk e kishin konsultuar për asgjë. Ai nuk dinte nëse isha mirë, as nëse beba kishte lindur. I kërkova një infermiereje që ta njoftonte — numrin e kishte në dosje. Por ajo vetëm përsëriste: “Tani do e lajmëroj”, dhe kurrë nuk e bëri. Vetëm pas shumë orësh, një infermiere tjetër, që ndodhi të njihte dike nga familja ime, e informoi.

Kur më çuan në një tjeter repart, ishim nëntë gra në një dhomë. Pa ndihmë, pa mbështetje. Vetë ushqenim bebat, vetë i ndërronim, pavarësisht se mezi qëndronim në këmbë. Vetëm solidariteti mes grave na mbante. Ndihmonim njëra-tjetrën, jepnim këshilla, ndanim dhimbjen. Ishte e vetmja dritë në atë errësirë.

Në atë repart, kishte një heshtje të pajtuar. Gratë e kishin normalizuar këtë trajtim. Heshtja shihej si strategji për të mos provokuar reagime nga stafi, ndoshta për të shmangur ndonjë keqtrajtim më të madh. E ndërkohë, pushteti i mjekëve shfaqej çdo mëngjes kur infermieret urdhëronin të mbulonim gjithçka — sepse do vinte “Zoti i repartit”. Por, atyre nuk u binte në sy një preparat i rrezikshem për mirëmbajtje (domoesdos) i hapur pranë një paqyreje, i cili kundërmonte dhomën.

Vizitat ishin formale. Për bebat që u lënduan gjatë lindjes nuk mbante askush përgjegjësi. Unë, që jashtë kisha zë, që flisja pa hezitim, aty isha e heshtur. Shoku më kishte bërë memec. Nuk kisha imagjinuar një realitet kaq të errët, kaq të pranueshëm për shumëkënd.

Doja të ikja sa më shpejt nga aty. Më dukej si Ferri i Dantes. Ndoshta në ndonjë nga rrathet… e shpëtimi thonin qe varej nga fati — në të cilin nuk besoja më.

Megjithatë, ajo që nuk do ta harroj kurrë është fuqia e grave që takova aty. Ato, mes dhimbjes, të jepnin forcë. Njëra, me fëmijën e pestë në inkubator të cilin fëmijë e kishin lënduar gjatë lindjes, më tha: “a është fëmija i parë? Nise menjëherë tjetrin.” I thashë: “qysh po mundesh me më thanë kështu, e sheh në çfarë gjendje jemi!” Ajo buzëqeshi me lodhje: “Harrohen këto shpejt.”

“Harrohet ky përjetim” — ky refren më është ngulitur në mendje. Sepse e dëgjova shumë herë, nga shumë gra. Por jo, nuk harrohet. Dhe nuk duhet të harrohet. Arroganca e përsonave që punojnë aty dhe kushtet në të cilat ndodhen dhomat, duhet të ndryshojnë.

Dikush duhet të jap përgjegjësi. Shteti duhet me na trajtu me dinjitet. Nuk na duhen shtesat kur tmerrohemi, duhen kushte të mira e trajtim dinjitoz.