Në filmat e Marvel-it ai ishte i pathyeshëm, por në jetën reale Chris Hemsworth thotë se i ngjan më shumë personazhit plot ankth që luan në filmin e ri Crime 101.
Aktori australian flet hapur për pasiguritë e tij, sindromën e impostorit, paratë dhe përballjen personale me sëmundjen e Alzheimerit.
“Është si një divan terapie,” thotë Hemsworth, teksa ulet në një shtrirëse në një hotel në Londër. Qesh, por shpejt bëhet e qartë se është gati të analizojë jetën dhe imazhin që ka ndërtuar prej vitesh.

Si Thor, Zoti i Bubullimës, ai u shndërrua në simbol të një maskuliniteti të fortë dhe të sigurt në vetvete, rol që e bëri një nga aktorët më të paguar në botë. Megjithatë, siç pranon vetë, kjo siguri ishte pjesërisht e ndërtuar.
“Versioni që njerëzit shohin në intervista është unë, por edhe një krijim,” thotë ai. “Është ajo që mendoja se të tjerët donin të shihnin.”
Në realitet, gjatë fillimeve si Thor, Hemsworth përballej me ankth të fortë skenik dhe sulme paniku. Transformimi fizik, zëri më i ulët dhe qëndrimi imponues i dhanë ndjesinë e mbrojtjes. “Të luaja një zot u bë një rrjet sigurie. I bindi të tjerët se isha më i sigurt nga sa ndihesha vërtet.”
Në Crime 101, një thriller neo-noir i regjisorit Bart Layton, Hemsworth heq dorë nga kjo mburojë. Ai luan Mike Davis, një hajdut elegant bizhuterish, i mbushur me dyshime dhe cenueshmëri. “Në këtë rol u ndjeva i ekspozuar,” thotë ai. “Nuk mund të fshihesha pas posturës apo zërit. Duhej të bëja të kundërtën.”


Filmi, i bazuar në novelën e Don Winslow, ndjek një seri grabitjesh përgjatë Route 101 dhe sjell përballë personazhe në krizë ekzistenciale, të interpretuar edhe nga Halle Berry dhe Mark Ruffalo. Ashtu si filmat klasikë të zhanrit, Crime 101 shmang ndarjen e qartë mes “të mirëve” dhe “të këqijve”, duke treguar personazhe të bllokuar në role që nuk u përshtaten më.
Hemsworth thotë se me kalimin e viteve ka ndryshuar edhe ideja e tij për suksesin. “Mendoja se nëse fitoja një çmim të madh apo bëja filmin më të madh në histori, do të ndihesha i përmbushur. Sot e di që vetëvlerësimi im nuk varet më nga këto gjëra të jashtme – edhe pse ndonjëherë duhet t’ia kujtoj vetes.”
Kjo rikalibrim është thelluar nga ajo që ai e quan “kalimi i mesit të jetës” dhe veçanërisht nga diagnoza e Alzheimerit e babait të tij. Në dokumentarët Limitless dhe A Road Trip to Remember, Hemsworth ka folur hapur për historinë familjare të sëmundjes dhe faktin se ai vetë ka rrezik më të lartë se mesatarja për ta zhvilluar atë.
“Vendimi për ta bërë publike nuk ishte i lehtë,” pranon ai. “Kisha frikë se njerëzit nuk do ta shihnin më heroin e aksionit. Por doli të ishte një nga gjërat më të rëndësishme që kam bërë.” Ai e përshkruan dokumentarin si një letër dashurie për të atin dhe një mënyrë për të thyer heshtjen rreth një sëmundjeje për të cilën shumë vuajnë në heshtje.
Sot, Hemsworth thotë se është më i kujdesshëm në zgjedhjet profesionale dhe më pak i shtyrë nga nevoja për siguri financiare. “Pyes veten kur mjafton,” thotë ai, duke shtuar se tani preferon projekte më të zgjedhura dhe bashkëpunime me njerëz që i admiron.
Crime 101 shfaqet në kinematë e Britanisë dhe SHBA-së më 13 shkurt, ndërsa në Australi më 12 shkurt. /GazetaExpress/