Chase Elliott arrin fitoren e parë në cirkuitin e Daytonas dhe të tetën në karrierë - Gazeta Express
string(83) "chase-elliott-arrin-fitoren-e-pare-ne-cirkuitin-e-daytonas-dhe-te-teten-ne-karriere"

Chase Elliott arrin fitoren e parë në cirkuitin e Daytonas dhe të tetën në karrierë

Gazeta Express

17/08/2020 16:31

Chase Elliott siguroi fitoren e parë në cirkuitin e Daytonas dhe të tetën në karrierë, duke u ngjitur në vendin e katërt në klasifikimin e përgjithshëm të kampionatit NASCAR. Për të fituar në një pistë të tillë nevojiten karakteristika të veçanta dhe një ngarje shumë e ndryshme e makinës, sidoqoftë 24-vjeçari nga Georgia duket se i ka me shumicë cilësi të tilla. Suksesi në Daytona është i treti radhazi në një cirkuit me itinerar rrugor, pas fitoreve të vitit të kaluar në New York dhe Charlotte dhe me një ecuri të tillë Chase Elliott po shndërrohet pa dyshim në një specialist të garave të tilla, që konsiderohen si tepër të vecanta në kalendar, e mbi të gjitha edhe shumë teknike.

Piloti që garon me Chevroletin me numër 9 te ekipi Hendrick Motorsports zhvilloi një garë të shkëlqyer dhe duke lënë mënjanë xhirot e detyrueshme pas futjes në “pit stop” 24-vjeçari nga Dawsonville ishte vazhdimisht në kryesim, ose duke rivalizuar për të marrë vendin e parë. Gara e 23 sezonale, e quajtur “Go Bowling 235”, u zhvillua në Florida, në Daytona Beach, në cirkuitin Daytona International Speedway.

Lexo Edhe:

Pilotët u rrotulluan plot 65 herë, në cirkuitin e gjatë 5,81 kilometra që zëvendësoi pistën tjetër me itinerar rrugor të Watkins Glen në New York, e cila u fshi fare nga kalendari i sivjetshëm, për shkak të masave shtrënguese të marra nga Guvernatori i këtij Shteti, Andrew Cuomo, për shkak të pandemisë së Koronavirusit. Pas testimeve të kryera në fundin e muajit korrik, u vendos që të bëhen ndryshime në kthesën e parë dhe të dytë, për sigurinë e pilotëve, pasi makinat në atë segment arrinin shpejtësi marramendëse për shkak të pjesës së drejtë, vërtet shumë të gjatë. Kështu organizatorët shtuan një “chicane” të përkohshëm mes kthesës numër katër dhe rrugës hyrëse për në “pit lane”, ndërsa në fund u përshtatën edhe dy kthesa të tjera, ato me numër 13 dhe 14. Pra për sigurinë e pilotëve pista e famshme në Daytona u modifikua, duke e çuar në 14 numrin e kthesave, ndërkohë edhe itinerari ndryshoi, duke u rritur edhe me 80 metra të tjerë.

Në Florida pilotët e filluan aventurën e tyre pa shumë njohuri, duke hequr dorë nga provat e zakonshme përgatitore apo qoftë edhe ato kualifikuese, për arsye të frikës së përhapjes së virusit COVID-19. Pilotët u nisën pak a shumë sipas klasifikimit të përgjithshëm. Kryesuesi i kampionatit, piloti i ekipit Stewart – Haas Racing Kevin Harvick startoi me Fordin e tij nga vendi i parë, i ndjekur nga treshja e skuadrës Joe Gibbs Racing, Denny Hamlin – Martin Truex Jr. – Kyle Busch, që garon me Toyota.

Chase Elliott u nis nga vendi i shtatë dhe u ndje mirë që në fillim, duke fluturuar shpejt në vendet e para. Piloti i ekipit Hendrick Motorsports u përshtat shpejt falë edhe punës së shëklqyer të bërë nga skuadra e tij, që kryesohet nga ish-piloti Alan Gustafson. Chase Elliott ishte shkëputur me 10” epërsi, kur gara u ndal për herë të fundit pesë xhiro para mbylljes, gjithsesi 24-vjeçari nga Georgia ruajti qetësinë dhe ristartoi në mënyrën e duhur, për të udhëhequr më pas edhe tre rrotullimet e fundit, duke administruar më së miri avantazhin dhe mbajtur prapa vetes rivalin kryesor Denny Hamlin, që kërkonte fitoren e gjashtë sezonale, për t’u barazuar kështu për nga numri i sukseseve me liderin e kampionatit të sivjetshëm Nascar Cup Series Kevin Harvick.

Elliott që kryesoi 34 nga 65 xhirot e kësaj gare kaloi vijën e finishit i pari, duke u rikthyer në këtë mënyrë te fitorja pas një periudhe kohe prej dy muajsh e gjysmë, më saktë që nga triumfi i 28 majit në Karolinën e Veriut, në Charlotte. Me 0.202” erdhi Denny Hamlin, i ndjekur edhe nga shoku i tij i ekipit te skuadra Joe Gibbs Racing Martin Truex Jr, e kurioz është fakti që të dy këta pilotë e mbyllën aventurën e tyre në Florida po në të njëjtat vende, ashtu sic edhe e nisën, ndërsa i katërti u pozicionua kolegu i fituesit të garës, 7 herë kampioni i garave Nascar, Jimmie Johnson që me Chevrolet-in e tij garon pikërisht për ekipin Hendrick Motorsports.

Kampioni në fuqi Kyle Busch duhet të presë ende, për të regjistruar fitoren e parë të këtij edicioni. Piloti i skuadrës Joe Gibbs Racing që garon me Toyota-n me numër 18, ndonëse startoi nga pozicioni i katërt pati probleme 5 xhiro para fundit dhe 35-vjecari nga Las Vegasi u shtrëngua për ta mbyllur garën e Daytona-s në vendin e 37-ë, me thjesht një pikë të vetme. Në renditjen e përgjithshme Kevin Harvick kryeson i shkëputur në kuotën e 939 pikëve, ndërsa më pas ndjekin Denny Hamlin dhe Brad Keseloëski, respektivisht me nga 821 dhe 803 pikë, ndërkaq Chase Elliott me këtë fitore u katapultua në vendin e katërt, vetëm 46 pikë larg pozicionit të dytë.

Deri në mbylljen e sezonit të rregullt nevojiten edhe tri gara, ndërsa më pas 16 pilotët me renditjen më të mirë do të rivalizojnë në fazën e play off-it, që përbëhet si zakonisht nga 10 gara gjithsej. Gara tjetër është ajo Drydene 311, që do të mbahet të shtunën e ardhshme në kryeqytetin e Shtetit Delaware, në Dover International Speedway. /SS/