Temat seksuale shpesh konsiderohen tabu. Por një studim i ri po hedh dritë mbi fantazitë seksuale dhe çfarë mund të zbulojnë ato për ju.
Shkencëtarët e Michigan State University analizuan frekuencën dhe llojet e fantazive seksuale të më shumë se 5,000 personave. Rezultatet zbuluan lidhje të papritura midis dëshirave më të thella të pjesëmarrësve dhe tipareve të tyre të personalitetit.
Sipas studimit, nëse keni fantazi seksuale të shpeshta, është më e mundshme që të keni një personalitet më neurotik ose të përjetoni simptoma depresive.
Në kontrast, ata që rrallë përjetojnë fantazi të tilla, kanë më shumë gjasa të jenë konsekuentë dhe bashkëpunues, duke respektuar rregullat dhe normat sociale.
“Personat me emocionalitet negativ mund të angazhohen në fantazi seksuale si një mënyrë për të menaxhuar gjendjen e tyre emocionale dhe për të kompensuar humorin e keq,” shpjeguan shkencëtarët. “Ndërsa njerëzit bashkëpunues mund të fantazojnë më pak për shkak të respektit për normat dhe të tjerët.”
Fantazitë seksuale rrallë diskutohen, kryesisht për shkak të turpit dhe stigmatizimit. Si rezultat, ka pasur pak studime mbi sa shpesh ndodhin ato, kush i ka më shumë dhe nëse llojet e fantazive ndryshojnë.
Për këtë studim, 5,225 të rritur u pyetën për natyrën dhe frekuencën e fantazive të tyre. Fantazitë u klasifikuan në katër kategori kryesore:
Eksploruese: pjesëmarrje në orgji ose eksperimente seksuale.
Intime: akti seksual në një ambient romantik, jashtë ose privat.
Impersonale: shikimi i të tjerëve gjatë marrëdhënieve seksuale.
Sadomasochiste: fantazi që përfshijnë dhunë ose dominim.
Pjesëmarrësit gjithashtu plotësuan pyetësorë për të matur pesë tiparet kryesore të personalitetit: hapësia, përkushtimi, ekstroversi, bashkëpunueshmëria dhe neurotizmi.
Analiza zbuloi se personat me përkushtim dhe bashkëpunueshmëri të lartë kishin më pak fantazi seksuale në të gjitha katër kategoritë. “Bashkëpunueshmëria dhe përkushtimi lidhen me respektimin e normave, parandalimin e dëmëve dhe tradicionalizmin,” shpjeguan studiuesit. Kjo sugjeron se ata kanë më pak gjasa të angazhohen në fantazi jo-tradicionale ose që shkelin normat sociale.
Nga ana tjetër, ata me një nivel të lartë neurotizmi – sidomos personat me prirje depresive – raportuan fantazi seksuale më të shpeshta. “Fakti që depresioni lidhet ngushtë me fantazitë seksuale, ndërsa ankthi dhe luhatjet emocionale jo, mbështet funksionin e mundshëm të rregullimit emocional të fantazive seksuale,” shtuan studiuesit.
Studiuesit shpresojnë që këto rezultate të ndihmojnë në biseda më të informuara dhe pozitive për seksin. Ata sugjerojnë gjithashtu që studime të ardhshme të eksplorojnë nëse ndryshimet në personalitet mund të parashikojnë ndryshime në fantazitë seksuale me kalimin e kohës ose në kontekste të ndryshme marrëdhëniesh.
Një studim tjetër i fundit nga Indiana University Bloomington zbuloi se çfarë njerëzit e shijojnë më shumë te seksi. Një sondazh mbi më shumë se 4,000 persona tregoi 22 arsye kryesore, nga “kink dhe dhimbje” deri te “fëmijët dhe prokreacioni”.
Ndërsa shumë mund të prisnin që “orgazmi” të ishte në krye të listës, rezultati ishte i papritur: gjëja që njerëzit e vlerësojnë më shumë është afërsia dhe intimiteti.
“Përgjigjet që lidhen me intimitetin ishin më të zakonshmet,” shkruan studiuesit në Journal of Sex & Marital Therapy. Disa pjesëmarrës përshkruan ndjenja si “të humbur në moment” (grua biseksuale 57 vjeçe), “ndjenja e jashtëzakonshme e afërsisë” (grua lesbike 50 vjeçe) dhe “ndjenja që bota nuk ekziston; vetëm ne të dy kemi rëndësi” (grua biseksuale 42 vjeçe). /GazetaExpress/