Sipas të dhënave të publikuara të martën, Gjermania ka regjistruar një rritje prej 40% të krimeve politike në 2024, krahasuar me vitin paraprak.
DW raporton se nga shifra totale, 42,788 raste kishin lidhje me ekstremizmin e djathtë, që përbëjnë pothuajse 50% të krimeve me motive politike.
Lidhur me këto të dhëna, ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, ka thënë se rritja “ekstreme” e këtyre shifrave është “e nxitur nga polarizimi i shoqërisë” dhe nga rritja e antisemitizmit.
Ndërkohë, Natalie Pawlik, komisionerja qeveritare për luftën kundër racizmit, ka dënuar rritjen “dramatike” të krimeve raciste, antisemite dhe islamofobe në Gjermani.
“Përshëndetje naziste, nxitje për urrejtje, grushta në fytyrë – një krim i ekstremit të djathtë ndodh çdo 12 minuta në vendin tonë,” është shprehur ajo.
Pawlik poashtu u ka bërë thirrje qeverisë federale dhe landeve gjermane të punojnë më shumë në parandalimin dhe edukimin politik kundër këtyre krimeve.
“Dhe çdokush në këtë vend ka për detyrë të mos mbyllë sytë përballë ekstremizmit të djathtë dhe racizmit,” ka theksuar ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve që “të ndërhyjnë në raste incidentesh në autobusë apo trena dhe të mbrojnë bashkëjetesën paqësore.”