Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur një mision të asistencës teknike të Zyrës për Asistencë Teknike (OTA) të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga ekspertët Joseph W. Burke dhe Norman Smith.
Sipas njoftimit të BQK-së, misioni është fokusuar në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe ekspertizës mbikëqyrëse të bankës në fushën e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Luftimit të Financimit të Terrorizmit (AML/CFT).
Gjatë takimit, guvernatori Ismaili ka prezantuar mandatin, detyrat dhe përgjegjësitë e BQK-së, me theks të veçantë në rolin e saj për ruajtjen e integritetit të sistemit financiar, forcimin e mbikëqyrjes AML/CFT dhe luftimin e falsifikimit të monedhës.
Ai ka vlerësuar progresin e arritur në avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, duke përmendur zbatimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, hartimin e rregulloreve për kripto-asetet dhe licencimin e ofruesve të shërbimeve të kripto-aseteve, si dhe forcimin e mekanizmave për shqyrtimin e investimeve të institucioneve të reja që synojnë të hyjnë në tregun financiar të Kosovës.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe projektit të ri që do të zbatohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Financave, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Me këtë rast, guvernatori Ismaili nënshkroi Termat e Referencës për projektin, duke riafirmuar përkushtimin e BQK-së për avancimin e kornizës kombëtare AML/CFT/CPF, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe mbrojtjen e sistemit financiar të Kosovës.
Në fund të takimit, Ismaili shprehu mirënjohje ndaj Departamentit të Thesarit të SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme, asistencën teknike dhe bashkëpunimin institucional në forcimin e kapaciteteve të sektorit financiar në Kosovë.