Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka bërë të ditur që juria e Fondit të Përkthimit të librit shqip në gjuhë të huaja ka vendosur mbështetjen e disa botimeve.
Do të përkthehen në gjuhë të huaja këto botime:
Libri “Piramida e shpirtrave”, i autorit Virgjil Muçi, është përkthyer me cilësi në gjuhën serbe. Saktësia dhe besnikëria ndaj tekstit origjinal spikatin. Rrjedhshmëria e gjuhës është e një niveli të tillë, saqë nuk dallohet nëse libri është përkthyer apo është shkruar drejt e në gjuhën pritëse. Kjo vepër dhe ky përkthim e meritojnë plotësisht mbështetjen nga Fondi i Përkthimit letrar.
Romani “Kronikat e mjegullës”, i autorit Bashkim Hoxha
Një vepër sfiduese për nga zhanri dhe simbolika, e cila vjen bukur në gjuhën gjermane, duke ruajtur sa më shumë botëkuptimin origjinal, çka i jep mundësinë lexuesit të kultivuar gjerman që të njihet me një vepër të spikatur në letrat shqipe.
Romani “Engjëj të armatosur”, i autores Diana Çuli, përkthyer në greqisht
Autorja e mirënjohur, njëherazi përkthyese dhe studiuese e letërsisë shqipe, Diana Çuli, kësaj here përkthehet në greqisht. Teksti i përkthyer përcillet bukur në gjuhën greke, së bashku me të gjithë elementet stilistikore të veprës. Ky roman i drejtohet një lexuesi me shije, që e njeh mirë romanin si zhanër letrar. Dhe vetë autorja zgjon problematika të ndryshme me ngjyrime shpeshherë filozofike. Botimi i këtij romani në gjuhën greke është një kontribut i rëndësishëm në njohjen e letërsive fqinje ballkanike.
”Poema të zgjedhura” e autorit Preç Zogaj është përzgjedhur si një përballje e bukur e kulturës shqipe në atë greke, jo vetëm për peshën që ka autori për letrat shqipe, por tërësinë e tematikave dhe mënyrën se si vargu i tij përcjell koncepte dhe përfytyrime, të cilat meritojnë që të shijohen nga një auditor aq i kultivuar me poezinë.
”Sende që nxirrte deti” i autorit Ardian Vehbiu është përzgjedhur sërish në gjuhën greke dhe me një përkthim të arrirë, ku gjuha e autorit vjen e fuqishme për të përcjellë perceptimin e Shqipërisë përmes një pene intelektuale. Dhe, tematikat e jetës, të cilat ngjallin kujtesë emocionale të thellë përfshijnë shikime filozofike të individit shqiptar që shijohen bukur.
”Përcjellja në arabisht e librit “Midis krimeve dhe mirazheve” e autorit Besnik Mustafaj është vlerësuar maksimalisht nga eksperti i gjuhës. Juria ka vlerësuar përveç faktit të vlerave të autorit dhe idenë se libri po përcillet në një treg, i cili ka nevojë që të njihet me kulturën tonë. Dhe, cili më mirë mund ta realizonte sesa autori ynë, i cili njihet për thellësinë e vështrimeve dhe mënyrën se si e përcjell paradoksin.