Bojanic do të debutojë për Suedinë kundër Kosovës: Çfarë ndjenje e mrekullueshme


Gazeta Express
10 Dhjetor 2019 12:52

Mesfushori 24-vjeçar me origjinë boshnjake që luan për Hammarby, Darijan Bojanic, do ta ketë mundësinë të debutojë për ekipin kombëtar të Suedisë në ndeshjen kundër Kosovës. Ky rast i dhënë nga trajneri Janne Andersson e ka lënë futbollistin shumë të lumtur.

Kosova dhe Suedia do të përballen në një ndeshje miqësore në Katar, më 12 janar, në kuadër të një turneu dimëror gjatë të cilit Suedia do të përballet edhe me Moldavinë, transmeton Gazeta Express.

Në mesin e 25 futbollistëve të ftuar nga Kombëtarja e Suedisë për këtë turne është edhe 24-vjeçari me origjinë boshnjake Darijan Bojanic, i cili do të ketë mundësi ta bëjë paraqitjen e tij të parë për ekipin kombëtar të Suedisë.

“Natyrisht që është një ndjenjë e mrekullueshme dhe ty të duket se ke bërë diçka të mirë këtë sezon. Është një mirënjohje e mirë për atë që e ke bërë deri më tani dhe të bën të kuptosh se puna jote po vlerësohet”, tha Bojanic.

“Gjëja më e rëndësishme për mua gjatë këtij turneu? Unë vetëm dua të jem vetja. Ta bëj punën time në fushën e lojës dhe pastaj të jem edhe personi që jam jashtë fushës së lojës”.

“Është e këndshme që turneu është dhjetë ditë e jo për një periudhë më të shkurtë kohore pasi që është më e lehtë ta dëshmosh veten në këtë periudhë. Megjithatë, pavarësisht se sa kohë do të zgjasë, do të jetë argëtuese”.

Për shkak që kjo ndeshje miqësore do të zhvillohet jashtë kalendarit të UEFA-s për ndeshje kombëtare, futbollistët do të jenë të angazhuar me klubet e tyre dhe kjo ka ngjallur raportimet se edhe trajneri Bernard Challandes do të ftojë lojtarë nga Ipko Superliga në Kombëtaren e Kosovës. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart