Dy “binjake siameze” influencuese, të cilat kanë fituar mbi 280 mijë ndjekës në rrjetet sociale falë rrëfimeve intime për trupin e tyre të përbashkët, janë zbuluar se janë krijuar nga inteligjenca artificiale.
Valeria dhe Camila, që u bashkuan në Instagram vetëm dy muaj më parë, arritën shpejt mbi 288 mijë ndjekës. Ato postonin rregullisht foto dhe video ku shfaqeshin duke pozuar para kamerës, të veshura me bikini provokuese, apo duke u argëtuar me shoqe po aq glamuroze.
Në Instagram Stories, “binjaket” u përgjigjeshin pyetjeve të ndjekësve për jetën e tyre dhe për mënyrën si funksiononte trupi i përbashkët, përfshirë detaje nga jeta sentimentale.



Profili @itsvaleriaandcamila i mohonte hapur zërat se ato ishin të gjeneruara nga AI. Megjithatë, një ekspert i fushës ka konfirmuar dyshimet e shumë përdoruesve skeptikë.
Andrew Hulbert, inxhinier i specializuar në krijimin e përmbajtjeve me AI dhe konsulent për përdorimin e inteligjencës artificiale në marketing, tha për Daily Mail se Valeria dhe Camila janë qartazi produkte të AI-së. Sipas tij, rrëfimi i ndërtuar rreth tyre është krijuar për të maksimizuar ndërveprimin: “Është historia perfekte, e ndërtuar mbi personazhe perfekte, për të prodhuar angazhimin maksimal.”



Që nga dhjetori 2025, profili ka publikuar rreth 100 postime. Në to, “binjaket” shfaqen me trupa pa asnjë të metë, shpesh në poza erotike, madje në disa video duke u puthur me gra të tjera. Një seksion i veçantë i Stories u kushtohej pyetjeve dhe përgjigjeve, ku ato pretendonin se ishin 25 vjeçe, të lindura dhe rritura në Florida, me dy zemra dhe secila duke kontrolluar njërën anë të trupit.


Eksperti thekson disa shenja tipike që tregojnë se bëhet fjalë për imazhe të gjeneruara nga AI: trupat tepër të stilizuar dhe pa asnjë imperfeksion, mospërputhje të lehta në madhësinë e pjesëve të trupit nga një foto në tjetrën, sytë “tepër perfektë”, si kukulla plastike, si dhe detaje të dyshimta te gishtat, veshët dhe lëkura. Edhe cilësia e fotografive, sipas tij, është “tepër perfekte” për të qenë reale.


Një tjetër detaj që ngjalli dyshime ishte teksti pa kuptim në sfondin e një fotoje në një dyqan akulloresh – një gabim i zakonshëm në imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale. Valeria dhe Camila janë pjesë e një trendi në rritje të modeleve dhe influencuesve virtualë, të cilët ekspertët i kanë quajtur “një pamje shqetësuese e së ardhmes”. Psikoterapistja Charlotte Fox Weber ka paralajmëruar se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre figurave “të përsosura algoritmikisht” mund të deformojë perceptimin tonë për bukurinë normale, duke na bërë të ndiejmë se trupat tanë realë nuk mjaftojnë. /GazetaExpress/