Beteja e fundit ndërmjet kontabilistëve dhe guerilëve - Gazeta Express
string(53) "beteja-e-fundit-ndermjet-kontabilisteve-dhe-guerileve"

Gazeta Express

18/12/2019 9:49

Beteja e fundit ndërmjet kontabilistëve dhe guerilëve

Gazeta Express

18/12/2019 9:49

LDK do postin presidentit. Me çdo kusht. Ministrinë e Mbrojtjes poashtu. Atë të brendshmen dosido. Edhe çka tjetër t’i jepet asaj? Qasja e «institucionalëve» perceptohet kryesisht si arrogante dhe kushtëzuese. LVV s’di kah t’ia mbajë. Ajo e di se ndryshimet që ka premtuar nuk i realizon as minimal, nëse mbetet pa pushtet efektiv brenda qeverisë. Nëse dështon koalicioni i votuar nga shumica absolute, kush do ta pësojë në zgjedhjet që vijnë. Rreth luftës ndërmjet kontabilistëve dhe ish-guerilëve.

Xhemal AHMETI

Lexo Edhe:

Publiku tregon shenjat e lodhjes. Bisedimet për koalicion ndërmjet dy partive fituese janë shndërruar në një maratonë ndërmjet kontabilistëve dhe gueriles kokëfortë. Kështu disa nga interpretimet që vijnë nga Prishtina. Eksponentë të të dyja partive elektrizojnë herë pa herë me deklarata që këpusin shpresa. S’ka koalicion? Apo ai do bëhet dhe do dal i fortë. Asnjëherë nuk del kështu nëse Kurti mbetet kukull e një qeverie ku ministritë kyçe i marrin ata që deri dje ishin në pushtet. Kjo mund të ishte lehtësuese për të, ngase do të kishte kujt t’ia fus fajin në xhep, mirëpo a do ta gëlltisnin këtë masat votuese? Çka ndodhë me dy armiqtë e djeshëm dhe favoritët e shumicave të sotme?

KALORËSIT E «INSTITUCIONALIZMIT»

Eksponenti i parë: Ç’a po lyp me Albin Kurtin sallave të Parlamentit? Eksponenti i dytë: Nuk ka koalicion nëse nuk marrim postin e presidentit. Eksponenti i tretë: Nuk i lihet në duar LVV-së Ministria e Mbrojtjes.

Janë këto vetëm disa nga deklaratat e ditëve të fundit që i lëshon LDK në adresë të partnerit të saj eventual të koalicionit. Strategjia është qartë, egocentrike, por e lejueshme: partia e Isa Mustafës do që të nxjerr maksimumin nëpërmjet kushtëzimeve. Sa më shumë pushtet që të jetë e mundur. Jo vetëm pushtet për nga numri i posteve, por më tepër duke përlarë dikasteret më kyçe.

Si do që t’i lexojmë kalkulimet e primatëve të LDK-së ajo na jep përherë të njëjtin rezultat që për nga dinamika i përngjanë asaj maksimës së Euthyfronit panteonist: «e shenjtë, e drejtë dhe e suksesshme mund të jetë vetëm ajo që prekim ne». Tjerët? Nuk mbrohen ndryshe institucionet nga barbarët e tipit siç i përshkruan Cvetan Todorov.

Pikërisht për shkak të këtij lloj arsyetimi të kushtëzimeve, shumica e opinionistëve vulosin LDK-në si arrogante. Ajo e konsideron veten si shkaktare, pronare dhe garantuese e vetme e institucioneve të Kosovës. Çka analistët harrojnë ta potencojnë më zëshëm, është se ata nuk ia mohojnë dot kontributin esencial e madhor LDK-së në ndërtimin edhe funksionimin e institucioneve të shtetit të ri. Kështu siç janë: të korruptuara, joefikase, para shpërthimit nga nepotizmi dhe e skeletuar nga tenderët ri-investuese për kuadrot e tyre të reja. Nuk mohohet diçka që ka histori kaq të freskët. Partia që do sa më shumë pushtet ishte gati përherë në pushtet.

Të kthehemi tek dilema jonë pothuaj teodiceike, jo duke pyetur nga buron e keqja – ngase në politikën shqiptare këtë e kemi bërë tabu duke e banalizuar – por të shohim prej nga gjithë ky vetëbesim kaq galopant i LDK-së të jetë ajka intelektuale e institucioneve të shtetit.

Një skenë e përjetuar para monitorit të një medie panterrestrike ndoshta mund të na shërbejë si hyrje.

SKENA

Debat rreth ekosistemeve të planetit në New York. Dy kategori përballë njëra tjetrës. Në njërën anë janë renditur kontabilistët dhe juristët e megakoncerneve globale e përballë tyre ca fytyra të mrrolshme, të lodhura profesorësh seniorë të Oxford-it, Harvard-it, ETH e shkollave tjera me bujë. Çeta e menaxherëve të kollarisur, me unazat si vula monarkësh linte përshtypjen sikur mezi pret të flasë. Gjëja e parë që njeri prej tyre tha ishte: Gjatë paleogjenit, para 66 milionë viteve, atëherë kur thuhet se një meteor me efektin asgjësues sa 2000 bomba atomike pas rënies, javëve pasuese, shkaktoi zhdukjen e 50% të specieve, nuk kishte njerëz në tokë apo? Menaxheri donte të thotë konkretisht se histeria për dëmet e antropocenit ndaj natyrës se ky mund të zhdukë planetin nuk qëndrojnë, apo kështu diçka. Heshtje. Akademikët seniorë shikonin njeri tjetrin të hutuar sikur të zënë zgrip nga juristi frizurëhekurosur. Dikur njëri nga pleqtë çoi gishtin: guxoj ta marr fjalën? Menaxheri ia shtroj dorën si lopatë. Shqiptarçe gjersa kjo i bie: hajt fol burrë! Profesori: e imja është teza që shtruat. Po ky – duke bërë me gisht drejt kolegut të tij pranë – ma demantoi. «Do flasësh ti»! Tjetri: «Me plotë dëshirë». Menaxheri: «Ta lëmë këtë se zgjatet shumë». Kontabilistët mund të dëshironin gjithçka por jo të flasë akademiku në radhë – është njëri nga ekologjikët më të ashpër.

INTERPRETIMI I SKENËS

Frika e kontabilistit nga profesori tjetër ishte pragmatike. Për dallim nga tjetri që jeton për shkencën ky përdor shkencën për politikë dhe asgjëson me retorikë, gjatë së cilës edhe iluzionin ta shet si argument kokëfortë. Është pra ideolog. Ideolog që shpërdor dijet për politikën pro Gaia-s. Po të mos ishte Albin Kurti ideolog, dmth. një nga ata që njohuritë intelektuale nuk i instrumentalizon për politikën pushtetosynuese, lirisht mund tu mbante ligjërata nateditë kontabilistëve të LDK-së dhe militantëve të tyre të acaruar medieve. Pa dilemën më të vogël. As që krahasohet me primatët fjalëprirës të LDK-së. Por ai është fatkeqësisht ideolog. Një ndër intelektualët kryesor gjithmonë brenda peshores që për bazë ka kapacitetet e kulturosferës ku operon. Kaq sa për mitin e intelektualitetit të LDK-së së sotme. Ia bëjnë qefin vetes. Ata janë kontabilistët dhe juristët e debatit të New York-it që e përshkruam lartë e Kurti ata profesorët bashkë.

Pra miti se LDK është parti intelektualësh është poaq qesharak sa edhe miti tjetër se Albin Kurti është shpëtimi i një shoqërie që ka nevojë për shekuj t’i shkoqet mentalitetit autodestruktiv. Iluzionet janë autobomba e çdo utopie: sa utopike del koalicioni ndërmjet dy partive që nënçmojnë njëra tjetrën e veçanërisht realitetin e gjendjeve të tyre?

KONTABILISTËT PSEUDOMAKIAVELIANË

Çka përmban edhe më tepër kalkulimi i LDK-së, përveç se të marrë sa më shumë pushtet? Po dështoi LVV – dhe s’ka si të mos dështojë nëse jep dikasteret kyçe që i përkasin zhargonit premtues politik të saj – LDK del sërish në zgjedhje me humbje minimale si kësaj radhe. Ashtu siç doli pas koalicioneve tjera. Po qe e suksesshme LVV rri me të deri sa të dështojë, që ajo të del dikur e para. Defekti i këtij kalkulimi është pikërisht në karakterin e kuadrove aktuale të LDK-së: është kontabilik dhe pa esencë intelektuale, ngase e fundit gjendet në anën tjetër. Prandaj del arrogant, i zhveshur dhe dëmton rëndë simpatinë ndaj partisë ish-rugoviste.

KONSEKUENCAT

LDK fitoi në sajë të Vjosa Osmanit. Kjo pa LDK-në nuk do t’i kishte këto vota. Ndaras asnjëra nuk mjafton të ruajë vendin e dytë. Osmani, thonë, është për një koalicion pa kushtëzimet agresive të klubit të seniorëve që gjenden në pozita që nga koha e Titos. Prandaj sulmet nga brenda ndaj saj. Nëse LDK vazhdon kështu dhe nuk heq dorë nga arroganca e saj mund të ketë zgjedhje apo koalicione të ndonjë formati tjetër. Kurti edhe po bëri koalicion me ata pas vijës së kuqe nuk do të humb (përkundrazi me humbësit dëshmohet më mirë). Votuesit duan me çdo kusht ta provojnë. Nëse ai lëshon pe ndaj kërkesave jodinjitoze të LDK-së dhe bëhet kukull si ca paraprakë të tij, do t’i ndodhë i njëjti fat.

Nëse së nuk bëhet ky koalicion duke respektuar fituesin e zgjedhjeve si deterministe të qeverisë, ai pas disa muajve do të dështojë. Prognozë kjo që vlen nëse nuk qëndron spekulimi që thotë se LDK saboton qëllimisht që të vijë deri tek dështimi, me shpresën se në zgjedhjet e ardhshme të dal e para. Ëndërr legjitime po që s’do të ndez kurrë. Përkundrazi.

Përtej këtyre analizimeve: Debatit për koalicion i paraprijnë një tekst i V. S. Naipaul me titullin: «Lufta e fëlliqtë», ku përshkruhet lufta e regjimit ushtarak të Argjentinës kundër gueriles.